Kreu i KED-së, Ardian Dvorani ka reaguar lidhur me kallëzimin penal që presidenti Ilir Meta firmosi ndaj tij, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Reagimi i Plotë:
Gjatë gjithë këtyre ditëve, zoti Ilir Meta ka vijuar të adresojë akuza të panumërta në drejtimin lidhur me veprimtarinë time si anëtar dhe Kryetar i KED, por edhe në drejtim të personit tim, njëkohësisht pa treguar asnjë kujdes elementar në përdorimin e gjuhës dhe epiteteve në komunikim dhe ndaj tjetrit, sikurse e kërkojnë jo vetëm normat elementare të etikës institucionale, por edhe ato të edukatës qytetare. Madje është bërë e vështirë të dallosh nëse sjelljet dhe deklarimet e tij bëhen nga shtetasi Ilir Meta apo Presidenti i Republikës, që sipas Kushtetutës dhe me dinjitet duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Megjithatë, jo vetëm për shkak të formimit tim profesional dhe edukatës qytetare, por duke qenë se jam funksionar publik, në detyrën e anëtarit dhe Kryetarit të KED, nisur edhe nga statusi i gjyqtarit, kam detyrimin kushtetues dhe ligjor të jem i vetëpërmbajtur dhe i kujdesshëm në komunikimin publik.
Nga ana tjetër, duke qenë se më përfshin në këtë histori dhe fushatë të tijën për arsye e motive që nuk më përket mua t’ia përmend e vlerësoj, por që gjithsesi ai i lidh me ushtrimin e funksioneve dhe të detyrës time shtetërore, kam edhe detyrimin që në masën, kohën dhe vendin e duhur të bëj transparente qëndrimin tim mbi të vërtetën dhe interpretimin e zbatimit korrekt e të drejtë të Kushtetutës dhe të ligjit. Këtë qëndrim e kam shprehur qartë në njoftimet publike të datës 14 dhe 15 Nëntor. Ndryshe nga Presidenti unë nuk mendoj se ai ka një status të veçantë dhe të privilegjuar për të thënë fjalën e fundit mbi interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Po kështu edhe bindjet dhe dëshirat e tij nuk ka se si të jenë detyruese për institucionet e tjera. Regjimi demokratik ku jetojmë ka ndarje pushtetesh, ka institucione kushtetuese të pavarura nga njëri tjetri, ka funksionarë shtetërorë që kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin kushtetues e ligjor të shprehen, të mbajnë qëndrime dhe të veprojnë vetëm sikurse ua kërkon detyra shtetërore. Ditën e sotme, për aq sa është e mundur të përcillet nëpërmjet medias, jam njohur me kallëzimin penal që Presidenti i Republikës ka paraqitur pranë organit të prokurorisë. Në fakt, ka ditë që në mungesë qetësie dhe me tone të larta e kërcënuese e paralajmëronte këtë nismë, e cila, në të vërtetë përbën një detyrim kushtetues dhe ligjor që ai, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale. Sikurse jam shprehur publikisht edhe më parë, unë si çdo shtetas, por edhe si çdo funksionar tjetër shtetëror, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim. Prandaj, ndryshe nga sa ndodhi edhe sot, ku rëndom si herë të tjera publiku është mësuar që të shikojë funksionarë të lartë publikë e politikë që e shesin për heroizëm përpara kamerave dhe mikrofonave mediatikë paraqitjen përpara prokurorit e gjykatës, që në fakt është detyrim ligjor dhe jo zgjedhje e tyre, unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi. Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit.
Por akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale. Në lidhje me këto aspekte të interpretimit korrekt të Kushtetutës dhe të ligjit vlerësoj edhe se nuk ka asnjë reflektim dhe gjykim racional sikurse ia kërkon detyra nga ana e Presidentit. Madje vërej se kjo po ndodh edhe nga ana e një pjesë të atyre që marrin përsipër të debatojnë publikisht, ndonëse tashmë interpretimi korrekt i Kushtetutës dhe ligjit është bërë i qartë dhe është shpjeguar në mënyrë të përsëritur nga çdo anë. Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.
Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën eskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen. Edhe për këtë arësye, përbën jo vetëm një të drejtë, por edhe detyrim ligjor për mua të mbroj autoritetin dhe kompetencat që Kushtetuta i njeh KED dhe kryetarit të tij e të kërkoj nga kushdo, pa asnjë dallim, që të respektojë këtë autoritet kushtetues. Aq më tepër, kur këto ditë, ka përpjekje për të cenuar e deligjitimuar, me një qasje dukshëm diversive fillimisht veprimtarinë time si kryetar i KED, por tashmë edhe në tërësi veprimtarinë e jashtëzakonshme që ka zhvilluar dhe po zhvillon intensivisht KED gjatë gjithë këtij viti si edhe vendimarrjet kolegjiale të tij, në kushtet kur burimet njerëzore dhe administrative, për arsye objektive kanë qenë dhe mbeten tejet të kufizuara. Gjithsesi, për sa i përket këtij kallëzimi, të deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh, të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Detyrimi im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre. Së fundi, duke qenë se krahas detyrimeve proceduale më duhet të respektoj edhe parimet e transparencës dhe të informimit publik, sigurisht që ky nuk do të jetë komunikimi im i fundit me publikun për këtë çështje.