Mendimet tona kanë një fuqi të madhë krijuese, kur i vëmë në punë!

Shkencë & jetë Sociale

Sekreti nënkupton që ne jemi krijuesit e Universit tonë dhe se çdo dëshirë që duam të krijojmë, do të materializohet në jetën tonë. Prandaj dëshirat, mendimet dhe ndjenjat tona janë shumë të rëndësishme,  sepse ato do të materializohen.

Marie Diamond – “Një ditë shkova në shtëpinë e një drejtori artistik, një producenti shumë të famshëm filmash. Në çdo cep ai kishte imazhin e bukur të një gruaje lakuriqe të mbuluar me një copë, e cila sikur kthehej nga ana tjetër dhe thoshte: ‘’Nuk të shoh.’’ I thashë atij: ‘’Mendoj se mund të keni probleme me lidhjet e dashurisë’’, kurse ai  tha: ‘’Jeni gjë telepatike?’’ – ‘’Jo, por shikoni! E keni vënë në shtatë vende atë grua.” Ai ma ktheu: ‘’Por më pëlqen ajo lloj pikture. E kam pikturuar vetë.’’ – ‘’Aq më keq”, – i thashë.- “Sepse keni vënë gjithë krijimin dhe krijimtarinë në të.’’

Ai është burrë  shumë i pashëm,  është i rrethuar gjithmonë nga shumë aktore,  sepse kjo është puna që bën, por nuk kishte asnjë lidhje dashurie. E pyeta: ‘’Çfarë doni?’’ – ‘’Dua të dal me tri gra në javë.” Unë i thashë: ‘’Mirë, pikturojeni. Pikturojeni veten me tri gra dhe vareni në çdo cep të shtëpisë.’’

Kur e pashë pas gjashtë muajsh,  e pyeta: ‘’Si të shkon jeta dashurore?’’ – ‘’Shkëlqyeshëm! Femrat më telefonojnë,  duan të dalin me mua.’’ – ‘’Sepse kjo është dëshira juaj,’’  i thashë. Ai tha: ‘’Ndihem shkëlqyeshëm. Dua të them,  për vite të tëra nuk kam qenë i lidhur me asnjë femër,  kurse tani dal me tri në javë. Zihen për mua.’’ – ‘’Shumë mirë për ju,’’  iu përgjigja. Pastaj më tha: ‘’Tani dua  pak stabilitet,  dua të martohem,  dua një lidhje të vërtetë dashurie. ’’Unë ia ktheva: ‘’Epo pikturoje.’’ Ai pikturoi një lidhje të bukur romantike dhe pas një viti u martua; tani është shumë i lumtur.

Kjo ndodhi sepse ai shprehu një dëshirë tjetër. E kishte dëshiruar këtë gjë për shumë vite,  por nuk kishte ndodhur,  sepse dëshira e tij nuk mund të shfaqej. Niveli i tij i jashtëm – shtëpia e tij – ishte në kundërshtim të vazhdueshëm me dëshirat që kishte.Nëse e kupton këtë njohuri,  fillon të luash me të.”

Historia e klientit të Marie Diamond-it është një shfaqje e përkryer e mënyrës se si Feng Shui pasqyron mësimet e Sekretit. Ajo tregon se mendimet tona kanë një fuqi të madhë krijuese,  kur i vëmë në punë. Çdo veprim që ndërrmarrim duhet të paraprihet nga një mendim. Mendimet krijojnë fjalët që flasim, ndjenjat që ndiejmë dhe veprimet tona. Veprimet janë veçanërisht të fuqishme,  sepse janë mendimet që ato na kanë shtyrë të veprojmë.

Mund të mos e kuptojmë fare se cilat janë mendimet tona më të thella, por kuptojmë çfarë kemi menduar duke parë veprimet që kemi ndërmarrë. Në rastin e producentit të filmave, mendimet e tij më të thella pasqyroheshin në veprimet e tij dhe në mjedisin ku jetonte.

Kishte pikturuar shumë femra, por të gjitha i kthenin shpinën. A arrin ta kuptosh se cilat ishin mendimet e tij më të thella? Edhe pse me fjalë thoshte se donte të dilte me më shumë femra,  mendimet e tij më të thella nuk pasqyroheshin në pikturat e tij. Zgjedhja për të ndryshuar veprimet e tij e shtyu t`i përqëndronte të gjitha mendimet në atë që dëshironte. Një ndryshim kaq i thjeshtë e ndihmoi të pikturonte jetën e tij dhe ta materializonte falë ligjit të tërheqjes.

Pjesë e shkëputur nga libri “Sekreti”, Rhonda Byrne

Share: