Aksidentet me përmasa të frikshme/Çdo 34 orë një person humb jetën

Aktualitet Kronikë Kryesore

Policia Rrugore ka shënuar me të zezë qershorin si muajin ku ndodhën më shumë aksidente automobilistike, duke u marrë jetën 26 personave.

 

Por edhe dy muajt e fundit duket se po flasin për një bilanc tragjik në rrugë. Sipas statistikave, rezulton që çdo 34 orë, një person humb jetën në aksident. Gjatë muajit shtator, dhe deri dy ditë më parë, janë shënuar 39 viktima në ngjarje rrugore, ose 14 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shkaqet janë disa, duke nisur që nga infrastruktura, mungesa e ndriçimit në disa akse rrugore, pakujdesia e vetë kalimtarëve, por edhe nga shpejtësia e drejtimit të makinës apo përdorimi i alkoolit dhe celularit në timon. Askush më shumë se familjarët e atyre që kanë humbur jetën në aksidentet automobilistike, nuk e di rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Për këtë arsye, disa vite më parë, në Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit vendosën që sensibilizimi i drejtuesve të mjeteve të bëhej përmes të afërmve të viktimave. Në disa zona, të konsideruara si “njollat e zeza”, Policia rindërtoi skena aksidentesh, me makinat reale të disa prej personave që kanë humbur jetën.

Ndërsa pranë këtyre vendeve të rrethuara me shiritin e Policisë ishin vendosur tabela sensibilizuese, që në disa raste tregonin shkaqet e aksidentit, e në disa të tjera citime të familjarëve të viktimave. Megjithatë, duket se gjithçka u harrua shumë shpejt. Aksidentet vijuan të sjellin viktima.

AKSIDENTET

Gjatë muajve shtator-tetor rezulton të kenë humbur jetën në aksidente automobilistike 39 persona, 14 më shumë se një vit më parë. Nga data 1 deri më 26 tetor të këtij viti, kanë ndodhur 19 aksidente me pasojë vdekjen, ose 3 viktima më shumë, sesa tetori i vitit të kaluar. Aksidentet me pasojë vdekjen kanë shënuar rritje, edhe pse masat ndëshkuese nga efektivët e Policisë Rrugore ishin të ashpra, që nga pezullimi i lejes së drejtimit e deri tek arrestimi i tyre, kryesisht për rastet e alkoolit.

Edhe gjatë muajit shtator, numri i aksidenteve me pasoja të rënda ka qenë i lartë. Konkretisht, rezulton të kenë humbur jetën 20 persona, në një kohë që shtatorin e vitit të kaluar, pati 9 viktima. Shumica e aksidenteve të rënda ndodhin në tri autostradat kryesore, Tiranë-Elbasan, Tiranë-Durrës dhe DurrësKukës. Sipas statistikave, rezulton që nga muaji janar deri në fund të shtatorit kanë humbur jetën në aksidente automobilistike 157 persona, 5 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sipas specialistëve të Policisë Rrugore, një pjesë e aksidenteve, ku viktima janë këmbësorët, ndodhin për shkak se vetë ata nuk sigurohen para se të kalojnë rrugën. Por rezulton që gjatë dy muajve të fundit, mbi 80 për qind e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të drejtuesve të automjeteve.

POLICIA: DO PËRDORIM TË GJITHA FORMAT PËR PARANDALIMIN E AKSIDENTEVE

“Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, për të arritur i sigurt në destinacion”, ky ishte mesazhi sensibilizues që shpërndau dje Policia e Shtetit. Por nga ana tjetër premtoi se do të përdorë të gjitha format dhe mënyrat e kontrollit për të parandaluar aksidentet.

Policia tha dje se përgjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Policia Rrugore duke përdorur mjete dhe punonjës civilë e të uniformuar, ka konstatuar në të gjithë vendin qindra shkelje nga më të lehtat e deri tek ato që janë rrezik potencial për jetën e përdoruesve të rrugës, nga të cilat 432 masa administrative vetëm për parakalime të gabuara në të gjitha akset rrugore të vendit.

“Policia Rrugore do të përdorë të gjitha format, mënyrat e kontrollit dhe menaxhimit të trafikut rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë”, njoftoi dje Policia. Ndërsa shtoi se nisur dhe nga aksidentet e fundit, këshillon të gjithë përdoruesit e mjeteve dhe motomjeteve, çiklistët dhe këmbësorët, të tregojnë më shumë kujdes gjatë lëvizjes, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin 112 e në Komisariatin Dixhital çdo shkelje të Kodit Rrugor.

PANORAMA

Share: