Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i ka dërguar letër kryeprokurorës Arta Marku, pas lajmit të publikuar nga Partia Demokratike se Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin që Agim Kajmaku është shtetasi Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi për falsifikim parash.
Në përgjigjen e publikuar sot nga Sekretari i PD, Gazmend Bardhi, Prokuroria i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i hiqet mandati i kryebashkiakut Agim Kajmakut, pasi ka gënjyer në formularin e Dekriminalizimit. Në letrën drejtuar Markut, Kajmaku sqaron se është vënë në dijeni të dënimit nga autoritetet greke pasi është zgjedhur kryebashkiak i Vorës.
“Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë”, thekson Kajmaku.
Më tej, në vijim të sqarimit të tij, Kajmaku thekson se ka kërkuar heqjen e pezullimit nga drejtësia greke, e cila siç thekson kryebashkiaku, “në përfundim të këtij gjykimi ka vendosur më datë 12.09.2019 shpalljen të pafajshëm të të akuzuarit për aktin e vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara, që pretendohet se është kryer në Arta, Greqi, më datë 13 janar 2003”.
Më poshtë, po iu sjellim vendimin e gjykatës greke, që Kajmaku ia ka dërguar kryeprokurores Marku, me të cilin pretendon se është shpallur i pafajshëm.