Basha: Populli në shesh deri sa të marrë fatet e veta në dorë

Aktualitet Kryesore Politikë

Kreu i Partisë Demokratike dha një tjetër intervistë për mediat, direkt nga bulevardi para kryeministrisë, ku komentoi përshkallëzimin e protestës.

Basha shmangu komentet për reagimin kundër dhunës, të komunitetin ndërkombëtar dhe theksoi se populli do të qëndrojë në protestë, për të marrë në dorë fatet e tij.

Si e komentoni përshkallëzimin e protestës, në akte dhune?

“Siç e patë edhe ju, në veçanti ju që e njihni punën e policisë, patë një hapje të menjëhershme dhe të çuditshme të gardhit të oficerëve të policisë, që mbronin perimetrin e kryeministrisë.

Kjo është qartësisht pjesë e një plani për të provokuar futjen e protestuesve në selinë e Kryeministrisë, sepse në asnjë rast policia dhe gardhi policor, edhe kur kanë presion shumë më të madh, nuk hapet në këtë mënyrë.

Pra ka patur një skenar të mirëmenduar madje të paralajmëruar nga Edi Rama, për të çuar në dhunë dhe konfrontim. Ne qëndrojmë në krah të tyre dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarëve deri në fund”, deklaroi Basha.

Protesta është organizuar nga ju, a keni një thirrje që ata të mos kryejnë akte dhune?

Qytetarët janë thirrur nga opozita me një qëllim të qartë politik. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, t’i japim fund qeverisë, që është kapur në vjedhje tek Unaza, tek Teatri, është kapur në vjedhje të votave, siç BIRN dhe Zëri i Amerikës që, në fakt kanë meritat, por edhe ju si gazetarë, demonstroni përmes fakteve të prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në çdo vend të Europës, kur qeveria kapet në vjedhje, ikën qeveria dhe shkon në burg hajdutët, nuk vuan populli. Populli e ka kuptuar këtë dhe është bashkuar në një protestë më të madhen në këto 30 vite. Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune.

Ju e dini fare mirë se si organizohen protestat e dhunshme. Asnjë prej protestuesve këtu nuk erdhi për të kryer akte dhune. Ato u provokuan dhe u nxitën nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës dhe i ekzekutuar nga një grusht policësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

U bëj thirrje të gjithë efektivëve të policisë të ruajnë qetësinë sikundër, u bëj thirrje qytetarëve të vazhdojnë të rrinë të bashkuar për të drejtat e tyre.

Share: