Puna falas/Shqipëria e dyta në Evropë dhe e para në botë: 9 miliardë dollarë punë të papaguar në vit

Ekonomi Kryesore Sociale

Një studim i sapo publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për uljen dhe rishpërndarjen e punës së papaguar na jep ne shqiptarëve një rekord botëror. Jemi në vendin e parë në të gjithë planetin sa i përket punës së papaguar, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Në vendin tonë kjo normë është në rreth 60% të prodhimit kombëtar, dhe në botë nuk njohim asnjë rival.

Mesatarja globale ndërkohë fiksohet në thuajse gjysmën e kësaj norme, në 34% të PBB. Pra, me një normë të punës së papaguar në 60% të prodhimit kombëtar, shqiptarët janë të parët në botë.

Kjo normë përkthehet në 9 miliardë dollarë në vit, duke marrë për bazë prodhimin kombëtar në 2018-ën.

Kaq është shuma e punës së papaguar që kryejnë shqiptarët. Por, kujt i referohemi me punë të papaguar?

Çdolloj pune e cila nuk përkthehet në shpërblim monetar e që në pjesën dërrmuese, kryesisht në Shqipëri, i referohet punëve të shtëpisë.

Në raporte të tjera, si ai i ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Shqipëria rezulton e para në Europë dhe e dyta në botë sa i përket punëve të shtëpisë së grave dhe vajzave, në 6-8 orë në ditë, ndërkohë që për meshkujt mesatarja flet për diçka më pak se një orë. FMN ndërkohë flet për rreth 5 orë në ditë punë të papaguar për femrat në Shqipëri.

Sipas institucionit, sasia më e madhe e orëve të punës së papaguara përkthehet në PBB për frymë më të ulët.

Pra, sa më pak punë të papaguar bëjnë femrat në një vend të caktuar, aq më e lartë është PBB për frymë.

Në rast se në vendin tonë, gjithë kjo energji dhe kohë e shpenzuar për punë të cilat nuk konvertohen në prodhim kombëtar, do të kanalizohej në punë me pagesë, atëherë ekonomia e vendit do të ishte 60% më e madhe se aktualisht, e po ashtu edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë.

Share: