Me Albinin kryeministër merr fund hegjemonia 20-vjeçare e Edi Ramës ndër shqiptarë

Analizë Opinion

Pas pak ditësh, e shumta pas pak javësh, në zyrën e kryeministrit në Prishtinë do të banojë një djalë që do t’ia marrë shkëlqimin homologut të tij në Tiranë. Tash nuk do të ketë më spektakël kur Edi do të kalojë nga Morina në Vërmicë, por kur Albini do të kalojë nga Vërmica në Morinë. Nuk mund të jesh edhe shok i Shefqet Kastratit – Qetit, edhe politikan rebel dhe antiestablishment. Iku koha kur hante qeni petulla 

Nga Berat Buzhala

I takojnë të kaluarës ditët kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas ditëve të lodhshme të punëve në Tiranë, vendoste që të dilte pak deri në Prishtinë për t’u çlodhur dhe për t’u argëtuar. Për të territori i Kosovës, kryesisht, ishte një lloj i cirkut të madh, ku flitej pak më ndryshe, njerëzit silleshin pak më ndryshe, kurse ai që nga pika e kufirit në Vërmicë e deri në Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë e gëzonte, padrejtësisht, epitetin e të diturit. Për Edi Ramën nuk do të këtë kurrfarë pengese që të vijë rregullisht në Prishtinë, sa herë t’ia dojë zogu i qejfit, të shkojë në Presidencë në Prishtinë, të shkojë në Fabrikën e Amortizatorëve, por tash ai e di që në Prishtinë është veshur me pushtet një politikan, të cilin opinioni publik në Kosovë dhe në Shqipëri e konsideron më të pastër, më të ditur, më të kulturuar, me të lexuar, sesa Edi Ramën.

Ka mundësi që Albinin e ndajnë nga pozita e kryeministrit edhe disa javë. Ka mundësi që atë e ndan nga pushteti edhe ndonjë plan i presidentit Thaçi, që të mos e lërë ta marrë pushtetin fare, por unë po flas këtu për vendimin e qytetarëve të Kosovës që ta veshin atë me pushtet. Ndërsa, kur kanë kaluar pesë ditë prej këtij vendimi, Edi Rama, që vite më parë e quante Kurtin “vlerë kombëtare”, ende nuk po denjon që ta urojë atë për fitoren. Edi Rama vazhdimisht e ka konsideruar Kurtin “vlerë kombëtare”, por për të qëndruar në opozitë e jo për ta ndarë me të, tash e tutje, një lloj të pushtetit mbarëkombëtar, kategori kjo jokushtetuese, por shumë domethënëse.

Më kujtohet kur Rama e kishte vizituar Prishtinën, si kryebashkiak, fill pas përfundimit të luftës. Ai, përveç takimeve të tjera, e kishte takuar edhe Ismet Beqirin, homologun në Prishtinë. Ai takim, në vetvete, dukej si satirë politike. Ismeti i parashikueshëm dhe i veshur me ca palë tesha të gjata dhe të gjëra, me ndonjë ngjyrë që ndoshta as nuk kishte emër, kurse në krah të tij Edi dekadent, i papërmbajtshëm dhe i paparashikuar, i veshur në atë mënyrë që vetëm ai do të guxonte. Plus me çorape të kuqe. Në atë kohë veshja e tyre nuk ishte gjë e lehtë, siç është sot, bie fjala, kur edhe “kuca e maca” e bëjnë një gjë të tillë. Ne që ishim më të rinj i lëpinim buzët. Dëshironim ta kishim në krye të kryeqytetit një djalë të ri dhe avangardist, sikur puna e Edit, që kishte arritur ta bënte, me ndihmën e ngjyrave, Tiranën një qytet simpatik. Dëshironim ta kishim në krye të Prishtinës një si puna e Edit, që kur nervozohej me konventat e merrte sëpatën në krah dhe dilte rrugëve të qytetit për të vënë rend dhe ligj.

Një gjendje e tillë e pabarazisë ka vazhduar gjatë. Kosova dhe Prishtina po zgjidhnin dhe po emëronin politikanë që Edi Ramën po vazhdonin ta shikonin prej pozitave inferiore. Në kafet kryesore të Prishtinës çdo koment për të niste e mbaronte me “llegendë osht”. Kështu thoshin edhe ata që ndoshta nuk do të votonin për të. Mirëpo, ishte “llegendë” ndryshe prej udhëheqësve tanë. Shkumonte në studio televizive, i thyente rregullat, i tallte njerëzit, i tallte udhëheqësit tanë e në fund u shkonte edhe në shtëpi për një gotë raki. Me një fjalë shou. Këta të ngratët intimidoheshin prej tij. Nuk e dinin se çfarë ishte e lejueshme e çfarë nuk ishte, nuk e dinin a duhej t’i përgjigjeshin a jo. Nëse e bënin një gjë të tillë rrezikonin ta bënin atë në mënyrë të trashë dhe të pashije. Prandaj, kryesisht zgjidhnin atë që dinin ta bënin më së miri: heshtjen e varrit. “Hajt se Edi mo”. Me demek: ky kështu është, nuk mund të shtyhemi me të. Kjo për Edin ishte fitore simbolike, por e jashtëzakonshme në fushën e propagandës. Me të nuk matet askush, sepse ai ka lexuar shumë, ai e cakton se çka është e lejueshme e çka nuk është e lejueshme, çka është e pranueshme e çka nuk është e pranueshme. Nëse e ka thënë Edi, edhe nëse nuk ka qenë e lejueshme deri atëherë, aty e tutje bëhej e tillë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke u ndier i kërcënuar prej fenomenit “edirama”, i ishte nënshtruar transformimit. Një ditë të bukur në Prizren, në Dokufest, vite më parë, në shoqëri me Edin (dhe Batonin) kishte vendosur të dilte i veshur me një bluzë të pazakontë për të deri në atë dakik. Aty e tutje Thaçi kishte vendosur të ndryshonte në veshje dhe në stil. Pak a shumë kishte ndryshuar me vendim. Mirëpo, jeta e tij, karriera e tij, ngritja e tij, ishte në mospërputhje flagrante me atë të Edit. Prandaj, çdo gjë që i rrinte Edit nuk i rrinte Thaçit. Ai shpeshherë është dukur në trup të huaj. Po e imitonte dikë që nuk ishte profil i tij. Mirëpo, këtë e bënte nën presion të madh publik. Dëshironte me çdo kusht që të ishte “in”. Ka mundësi që Edi këtë gjë e ka përjetuar me njëfarë lezeti. E ka ditur që kolegët e Prishtinës, po luanin në terrenin ku ai ishte i pamposhtur. Aty Edi do t’i mundte ata për të shtunë e shtatëqind vjet.

Mirëpo, çdo gjë e ka një fillim dhe një fund. Fundi i hegjemonisë kulturore dhe trendvendosëse mori fund të dielën në orën 19 të mbrëmjes. Qytetarët e Kosovës, me votën e tyre, përveç që i sfiduan rëndë politikanët e Kosovës, i sfiduan edhe politikanët e Shqipërisë, posaçërisht Edin. Para mikrofonit tash është një djalë i Prishtinës që veshjen, sidomos kohëve të fundit, e konsideron vetëm si një mjet për t’u mbrojtur nga të ftohtit ose të nxehtit, e jo për të vendosur standarde të reja, e as për të përcjellë mesazhe të koduara kulturore. Nëse establishmenti politik në Prishtinë dhe Tiranë do t’i vishte kostumet e Kurtit ne do të talleshim me zakonshmërinë e tyre. Mirëpo, kur i shohim të veshura në trupin e Kurtit ne të gjithë e dimë që ai këtë po e bën, jo pse nuk e di se çka është “më ndryshe”, jo pse ai nuk di që me anë të veshjes t’u përshtatet rrymave të preferuara muzikore të tij, e as rrymave të preferuara ideologjike të tij, por sepse kjo për të tash është e rendit të dytë a të tretë. Ai ka vendosur të vishet dhe të duket sa më në mënyrë monotone të mundshme, në mënyrë që kjo gjë të mos e shpërqendrojë votuesin e tij në Prishtinë, apo admiruesit e tij në Tiranë, prej asaj se çfarë thotë Albini. Veshja si deklaratë, veshja si rebelim, për Kurtin duket që ka qenë e rëndësishme në vitin 1997, kur përballë tij dhe shokëve të tij gjendej politika serbe. Tash, veshja për të është thjesht obligim, sepse ai nuk do të frikësohej nga gjykimi i opinionit edhe nëse do ta vishte atë xhemperin e leshtë që e kishte veshur në burgun e Pozharevcit, kur kishte arritur t’u fliste mediave botërore.
Se çka është antiestablishment e çka nuk është, koncepti i Kurtit tash dallon thelbësisht nga koncepti i Ramës. Për kryeministrin në ardhje të Kosovës veshja ndryshe gjatë ditës, “Adidas”-kat në takime të rëndësishme ndërkombëtare, kravatat plot lule, nuk të kualifikojnë si politikan rebel, nëse gjatë natës e takon Shefqet Kastratin – Qetin, për të bërë pazare të pista në kurriz të qytetarëve. Për Kurtin, së paku prej asaj çfarë ai ka thënë dhe çfarë është zotuar që do ta bëjë, nuk mund të jesh politikan rebel i majtë e jokonvencional, e në anën tjetër ta udhëheqësh shtetin më të varfër në Evropë, por personalisht të udhëtosh me “private jet”, “Rolls Royce”-t, “Bentley”-t e oligarkëve më të pasur në këtë pjesë të Evropës. Për këto dhe shumë arsye të tjera, Rama kur e sheh Kurtin e sheh atë që realisht do të donte të ishte vetë, por që i korruptuar në bosht i ka tradhtuar këto ideale. Krejt çfarë i ka mbetur prej tyre është gardëroba. Në teori, një socialist i majtë kurse në praktikë udhëheqës i një bande të babëzitur që synim në vetvete e ka që t’ua marrë shqiptarëve edhe dheun nën këmbë. Tashmë këtij revolucionari i ka dalë boja. I ka dalë boja në Tiranë e i ka dalë boja edhe në Prishtinë. Çdo gjë në këtë botë peshohet më së miri kur krahasohet me diçka. Edi Rama ishte interesant në krahasim me kë? Po, ai ishte interesant para 20 vjetësh në krahasim me Ismet Beqirin. Edi Rama ishte interesant, posaçërisht për rininë, në krahasim me kë? Ishte interesant në krahasim me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin e Hashim Thaçin. Mirëpo, a është Edi Rama interesant në krahasim me Albin Kurtin? Tash e tutje nuk është më. Albini për Edin është një pasqyrë në të cilën ai do të shikohet dhe do ta shohë veten se sa është plakur, se sa hipokrit është, se sa i korruptuar është, e pse jo edhe sa i paditur është. Në ndërkohë që Edi e ka argëtuar Qetin, duke mos pasur kohë për lexim, Albini e ka vazhduar stilin e tij të jetës. Kjo ka qenë një kohë mjaftueshëm e gjatë, sa për t’u krijuar një epërsi e dukshme kulturore. Ka mundësi që rrobat që Albini ka në trupin e tij blihen diku në Ferizaj e Prizren dhe nuk kushtojnë më shumë se 50 – 100 euro, kurse ato të Ramës në Paris a Milano dhe kushtojnë më shumë se 500 – 1000 euro, por për herë të parë dukja nuk do t’i ndihmojë Edit që të duket më ndryshe. Madje do të duket më ndryshe, por për fatin e tij të keq. Për herë të parë tash publiku rrobat e Edit do t’i gjykojë më ndryshe. Kur po flas për publikun po mendoj për atë në të dyja anët e kufirit.

Pra, iku koha kur Edi do ta kërcente kufirin për të ardhur në Kosovë për ta takuar një fis aborigjenësh primitiv, si një konkuestador pervers i kohëve moderne, të cilit i lejohej çdo gjë, thjesht dhe vetëm sepse ishte Edi. Koha e spektaklit mori fund. Tash njësi matëse do të jetë tjetër gjë.

Në një postim të tij në rrjete sociale, gazetari Lutfi Dervishi ishte kirurgjikisht i saktë kur shkroi se “Kosova nuk është vetëm popullsia më e re e kontinentit, nuk është vetëm vendi me rokstarët më të famshëm të kohës, nuk është vetëm kombëtarja më befasuese në futboll. Kosova është vendi që kur e lyp koha luftën e bën me armë, kurse për revolucion i mjafton kutia e votimit”.

Sigurisht që kam shumë pikëpyetje për Albinin kryeministër, por për ato një ditë tjetër./gazetaexpress.com

Share: