Dështimet nuk i tregojnë vlerat tona…

Shkencë & jetë Sociale

Të gjithë ne kemi frikë nga dështimet. Mund të mos kesh dalë aq mirë sa prisje në një provim; ajo nuk të pranoi; nuk e fitove vendin e punës që doje etj. Këto e shumë të tjera janë situata, në të cilat ne përballemi me dështimet. Ato janë të frikshme, pasi na bëjnë të dyshojmë vërtet tek vlerat dhe aftësitë tona.

Na bëjnë të dyshojmë se jemi ne të paaftë të arrijmë diçka që e synojmë. Pasi përballemi me dështimet, nuk kemi më motivim për të vazhduar përpara në jetë. Kjo na çon madje tek të penduarit se pse jemi përpjekur, pasi edhe përpjekjet na duken të kota, kur dështojmë.

Kjo është gjëja më e gabuar. Të pendohemi që jemi përpjekur, kur kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Të paktën nuk rrimë me mendimin se po të ishim përpjekur, mund t’ia kishim dalë. Ajo që mua më bën përshtypje, është se ne i vëmë fajin vetes për çdo gjë që nuk shkon mirë në jetën tonë.

Ka gjëra që nuk i kemi ne plotësisht në dorë. Ka gjëra që nuk varen nga ne. Kjo nuk duhet të na bëjë të tregohemi të ashpër me veten, e aq më tepër të na bëjë të ndihemi si të pamjaftueshëm për të arritur gjëra të mëdha. Ne jemi plotësisht të mjaftueshëm dhe kjo gjë nuk tregohet nga një dështim i caktuar.

Ajo që ne duhet të bëjmë, është të kuptojmë se mund të bënim më tepër. Nuk duhet të ankohemi dhe as ta justifikojmë veten, sidomos kur e dimë se mund të bënim më tepër se aq, pasi kjo na shtyn të mos vetëpërmirësohemi për të arritur gjëra të mëdha.

Dështimet duhet të na bëjnë të kuptojmë se ne duhet të përpiqemi më tepër, sepse mund të bëjmë më shumë nga sa kemi bërë. Dhe pikërisht këtë gjë duhet ta kuptojmë mirë.

Dështimet nuk duhet të jenë përfundimi i përpjekjeve tona, por fillimi i përpjekjeve më të mëdha, këtë herë për t’ia dalë mbanë, meqë herën e shkuar përpjekjet e vogla nuk arritën të na siguronin suksesin që prisnim.

Ndaj, mos u ndal. Dështimet nuk e tregojnë absolutisht se sa vlen, sepse ti vlen shumë më tepër. Ato janë thjesht treguese që ti duhet të përpiqesh më tepër, në një rast të dytë që të ofrohet…/bota.al

Share: