Shtatë këshilla të rëndësishme nga ISHP për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut

Shkencë & jetë Sociale

Të dhënat e Observatorit Global të Shëndetit të cituara nga revista Monitor e rendisin Shqipërinë në zonën e rrezikut mes vedeve me prevalencën më të lartë të hipertensionit në Evropë.

 

Të dhënat e këtij institucioni tregojnë se kjo sëmundje prek rreth 32 përqind të popullësisë së rritur në vend.

Ndërkohë, sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), niveli i vdekshmërisë nga sëmundja ishemike e zemrës që i atribuohet tensionit të lartë të gjakut është dyfishuar në 20 vitet e fundit.

Një ditë më parë, ISHP rekomandoi 7 këshilla të rëndësishme për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut, të cilat janë përsëritur edhe më herët nga ekspertët e AgroWeb.org

Këto këshilla janë të nevojshme sidomos tani në stinën e verës kur rreziku i atakut në zemër dhe goditjes në tru është i lartë.

Humbni në Peshë

Mbipesha rrit rrezikun e tensionit të lartë. Edhe një humbje e vogël në peshë mund të ndihmojë pasi sjell një ndryshim të madh në mbajtjen nën kontroll të tensionit dhe përmirësimin e shëndetit të zemrës.

Ushqehuni Shëndetshëm

ISHP rekomandon zbatimin e një regjimi të shëndetshëm mesdhetar.

Ky i fundit përqendrohet më shumë në ngrënien e shumë perimeve dhe frutave.

Për më tepër, ISHP këshillon uljen e konsumit të yndyrnave të ngopura, mishit të kuq  dhe karbohidrateve si makarona dhe bukë.

Më pak kripë

ISHP rekomandon që të hani jo më shumë se 1.500 mg në ditë. Sipas ISHP-së ka një lidhje të fortë midis marrjes së tepërt të kripës dhe hipertensionit apo çrregullimeve të tjera metabolike.

Jo duhanit

Pirja e duhanit dëmton shëndetin e mushkërive dhe rrit rrezikun e kancerit.

Megjithatë, pirja e duhanit është faktor rreziku për atakun në zemër dhe goditjet në tru.

Aktiviteti fizik.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon sa më shumë aktivitet fizik gjatë çdo dite të javës.

Sipas ISHP-së 30 minuta aktivitet fizik për të paktën 3 ditë në javë, zvogëlon shanset e tensionit të lartë të gjakut, diabetit dhe ndihmon në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit.

Larg stresit

Niveli i stresit është një nga faktorët e rritjes së presionit të gjakut.

Rrjedhimisht, përqendrimi në gjërat pozitive ndikon pozitivisht në shëndetin tuaj, thotë ISHP.

Jini të rregullt me ilaçet

Për pacientët që kanë vështirësi në uljen e tensionit të gjakut përmes dietës dhe stërvitjes, ISHP nënvizon rëndësinë e marrjes së ilaçeve të tensionit në mënyrë shumë të rregullt.

Burimi: AgroWeb

Share: