Organizata “Together for Life” ka bërë publik ditën e sotme një studim krahasues mbi kushtet e punës, të drejtat dhe legjislacionin në sektorin e Call Center-ave në Shqipëri.
Ky sektor është një ndër 10 punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, ku megjithë fitimet e mëdha, kushtet e punës mbeten të vështira.
Në këtë sektor janë punësuar mbi 25 mijë persona dhe mbulon rreth 5% të prodhimit të përgjithshëm bruto.
Sipas raportit, ngarkesa e punës rezulton në një presion të lartë për punonjësit. Kësaj i shtohen mungesa në kujdesin shëndetësor, fizik e mendor dhe mungesa e perspektivës për karrierë profesionale.
Të tjera mungesa janë kushtet e punës, si cilësia e dobët teknologjike, zhurmat e pajisjeve të punës, të cilat shkaktojnë stres dhe dëmtime serioze në mirëqenien e punëtorëve.
“Studimi vëren se punëtorët vuajnë nga lodhja, pagjumësia, dëmtime të syve, veshëve dhe gjymtyrëve. Mbi 60% e punëtorëve në sektorin e Call Center janë të punësuar part-time, megjithatë ata janë mbi 25 mijë persona dhe për ta paguhen sigurime shoqërore e shëndetësore bazuar në pagën minimale” – thotë Arlinda Shehu, përfaqësuese e organizatës “Together for Life”.
Afro tre të katërtat e të rinjve të punësuar në këtë sektor janë vajza e gra, ndërsa rreth 80% e të punësuarve në këtë sektor janë të moshave universitare 18 – 30 vjeç.
“Kushtet e punës janë të pasigurta dhe jodinjitoze, ndërsa punëtorët nuk kanë të drejtën për sindikalizëm, për dialog social dhe të drejtën për mbrojtje sociale. Punëdhënësit shpesh nuk i paguajnë operatorëve orët e punës jashtë orarit dhe ky abuzim është i theksuar në veprimtarinë e tyre” – thotë Plejada Gugashi përfaqësuese e Olof Palm International Center.
Madje punëtorët shpesh përballen me presion për të mos raportuar të gjitha orët e punës jashtë orarit. Një numër punëtorësh janë gjetur nga kontrollet se punojnë në të zezë.
Mbi 20% të punëtorëve nuk paguhen për punën në turnin e dytë jashtë orarit. Ndërsa një numër i madh punëtorësh nuk marrin pushime për festa zyrtare dhe as paguhen kur punojnë në ditë të tilla.
Burimi: VoA