Ditmir Bushati: Kontributin në PS e shoh si përgjegjësi, qëndrimet e mia disi të ndryshme nga drejtuesit e partisë

Aktualitet Kryesore Politikë

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka treguar në një intervistë për “Deutche Velle” nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Partisë Socialiste pas përplasjeve të fundit me kryeministrin Edi Rama lidhur me kandidimin e njerëzve të inkriminuar.

I pyetur nëse do të vijojë të jetë pjesë e PS apo do të bëhet pjesë e ndonjë projekti të ri politik, Bushati i është përgjigjur se ka mbështetje maksimale nga të gjitha strukturat e PS, duke shuar kështu dyshimet që mund të largohet prej kësaj partie.

Ndër të tjera, ish-kryediplomati shqiptar thekson se fakti që ka artikuluar disa qëndrime ndryshe me ato të udhëheqjes së PS nuk do të thotë se ka një projekt tjetër.

“Unë jam anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, deputet. E konsideroj veten me fat që kam pasur një mbështetje maksimale nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, nga socialistët progresistë dhe demokratët që militojnë në Partinë Socialiste. Sot mendoj më shumë se asnjëherë tjetër se është përgjegjësia ime për të vazhduar për të kontribuar për projektin e Partisë Socialiste, sepse është një familje e madhe politike e socialistëve dhe e progresistëve shqiptarë.

Fakti që sot për sot kam artikuluar jo vetëm brenda strukturave të Partisë por edhe publikisht disa qëndrime që mund të përceptohen si disi të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Socialiste nuk do të thotë që kam një projekt tjetër përveçse kontributit brenda Partisë Socialiste. Unë besoj se vetëkorrigjimi është një proces fiziologjik i domosdoshëm për çdo forcë politike, sidomos kur je në vitin e shtatë të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi. Dhe vetëkorrigjimi nga ana tjetër do të krijonte mundësinë për të rikthyer shpresën që është topitur në disa raste e mund të jetë vrarë në raste të tjera.

Në radhë të parë, për ata njerëz që na kanë besuar në projektin tonë që në 2013-ën, pa përmendur këtu edhe të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme. Partia Socialiste i ka të gjitha mundësitë për të qenë promotore e ndryshimit dhe i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm forca e progresit dhe intelektit por edhe forca e komuniteteve. Dhe me këtë dua të them që rasti i Shkodrës na mëson se në procesin vendimmarrës duhet të përfshijmë më shumë njerëzit dhe komunitetet dhe jo t’ia besojmë atë një grupi të ngushtë njerëzish, qoftë edhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste”, ka thënë ish-ministri Bushati.

DW: Le të ndalojmë pak tek situata politike në vend dhe jo tek ajo mes qeverisë dhe opozitës, por tek debatet që keni pasur kohët e fundit me kryetarin e Partisë Socialiste, në lidhje me personat e inkriminuar brenda PS-së së qarkut Shkodër. Z.Rama e ka cilësuar këtë si përgjegjësi tuajën, si drejtues politik i këtij qarku…

Ditmir Bushati: Ne kemi pasur një diskutim në Kryesinë e Partisë Socialiste për situatën që u krijua në Shkodër pas 30 Qershorit. Do të vazhdojmë që të kemi një diskutim dhe një analizë më të thelluar në këtë drejtim. E kam thënë dhe mbroj të njëjtën pikëpamje sipas së cilës përgjegjësia individuale dhe ligjore duhet të trajtohet e ndarë nga përgjegjësia politike që kemi ne të gjithë si politikanë, por edhe si forcë politike për t’u ofruar qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi njerëzit e duhur që do t’i përfaqësojnë ata në të gjitha institucionet përfaqësuese të shtetit, qoftë në nivelin qendror apo vendor. Është e vërtetë që Partia Socialiste por jo vetëm, edhe forca të tjera politike në të shkuarën janë prekur nga ky virus. Kjo është edhe arsyeja pse miratuam fillimisht një Rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, e më pas kjo rezolutë u përkthye në një ligj të detyrueshëm, i cili është goxha strikt nga pikëpamja e kritereve që parashikon për njerëzit që duhet të zgjidhen. Por ja ku jemi disa vite pas miratimit të këtij ligji. Fakti që kjo lloj “sëmundjeje”, ky lloj “vesi” nuk është trajtuar në rrugën e duhur duhet të na shtyjë të mendojmë që jeta politike në Shqipëri ka nevojë për një reformë më të madhe. Ne nuk duhet të kemi frikë nga gara, në radhë të parë brenda partive tona politike, sepse një garë në politikë përkthehet në më shumë garë në jetën ekonomike të vendit dhe më shumë garë në jetën publike. Prandaj mendoj që reformimi i mëtejshëm i jetës politike do të jetë një “ilaç” edhe për këtë “virus” që ka prekur politikën./DW

Share: