Shumica në Bundestagun gjerman kanë rënë dakord që t’i japin dritën jeshile Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e pranimit me BE-në, raporton Deutsche Welle. Vendimi zyrtar do të merret të enjten (nesër).
Gjermania mbështet gjithashtu hapjen e negociatave me Shqipërinë, por vendi ynë do të duhet të plotësojë një sërë kushtesh për të hapur negociatat.
Asnjë kusht i tillë nuk përmendet kur bëhet fjalë për Maqedoninë Veriore.
“Fakti që partitë e koalicionit kanë hapur rrugën për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një sinjal i rëndësishëm për integrimin evropian të të gjithë rajonit”, deklaroi anëtari i partisë Socialdemokratike Nezahat Baradari, raporton DW.
Qeveria gjermane është e detyruar të kërkojë miratimin e Bundestagut për vendimet që lidhen me zgjerimin e BE-së. Partia e Gjelbër gjithashtu pritet të pajtohet për vendimin.
Vendimi përfundimtar është në duart e liderëve të BE dhe pritet të merret në samitin e planifikuar për më 17 dhe 18 tetor të këtij viti.
Drejtuesit e Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë dhe Kroacisë tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të KB.