Saimir Tahiri i ashpër në sallën e gjyqit: Edi Rama “shefi i madh” në politikë, po dënohem për makinën e shitur

Aktualitet Kronikë Kryesore Politikë

Gjatë seancës gjyqësore, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është shprehur se ka qenë me kryeministrin Edi Rama ditën që prokuroria e akuzon se ka folur me vëllezërit Habilaj.

Ish-ministri ka thënë në gjyq se në kohën kur trafikantët në përgjime flasin për “shefin e madh”, ai ka qenë në Gjermani, në një takim me Komisionerin për Zgjerim, dhe me t’u kthyer, ka shkuar në zonën e Dajtit, në një takim me Ramën dhe qeverinë.

Për këtë arsye, Tahiri ka thënë se përgjimi i Prokurorisë nuk qëndron dhe se nuk është ai “shefi i madh”, duke pretenduar se ka qenë në takime zyrtare.

As unë dhe as Rama nuk mund të jemi ‘shefi i madh’, por në raport me politikën, sigurisht që ai ka qenë shefi im i madh”, ka thënë Tahiri para trupës gjykuese.

“Unë kam punuar edhe kur më kanë vënë bombat. Kur unë takoja shefin e FBI, këta trafikonin drogë. Kur unë luftoja drogën këta më vinin bomba”, është shprehur Tahiri.

“Po më dënoni vetëm se i kam shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilajt” – tha Tahiri – ndërkohë që ka hedhur edhe ‘thumba’ ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, edhe pse nuk ja përmendi emrin.

“Këtu ka ministra që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit unë të mbaj përgjegjësi për vëllezërit e atij që i shita makinën”, tha Tahiri për rastin që i ka shitur makinën Artan Habilajt, ndërkohë që vëllai i tij Mojsi Habilaj akuzohet dhe gjykohet si kryetar i një bande të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

“Dhe sikur të isha Saimir Habilaj s’do më dënonit për vëllezërit”, tha Tahiri.

Ne fund, duke pretenduar pafajesi, ai ka deklaruar: Për ju kjo është vetëm një cështje, për prokurorët është vetëm një cështje, për gazetarët është vetëm një cështje, për mua kjo ështe jeta ime. Vendimi në fund është në duar tuaja, por nëse në ato fashikuj ka vetëm një provë që më lidh mua me trafikun e narkotikëve, unë shkojë vetë në burg. I them këtyre faleminderit që më hapet sytë që paskam ndihmuar me veprimet e mia dhe shkojë në burg, por s’do gjeni.

Avokati i ish-ministrit, Maks Haxhia kërkoi që çështja të pushohet, pasi sipas tij nuk ka vepër penale.

I gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kanë qenë të pranishëm edhe sot në sallën e gjyqit. Madje, seanca e sotme ka ngjallur edhe interesin e medieve të huaja, të cilat kanë ndjekur këtë proces. Ndërkohë, të pranishme në seancën e sotme kanë qenë edhe dy zonja nga ambasadat, të cilat kanë qenë të ulura në fund të sallës dhe kanë monitoruar gjatë gjithë kohës

Share: