A është Shqipëria një kakistokraci? Më shumë ngjan si kakonomi

Analizë Opinion

Shqipëria mund të jetë duke u qeverisur nga njerëz të këqinj dhe pa skrupuj. Por vendi e ka një problem të madh me kontrata

 

Nga Enton Palushi

Ish-kryeministri Sali Berisha e përsëriti edhe gjatë një interviste se qeveria është një kakistokraci. Kjo nuk është hera e parë kur ai e përdor këtë etiketim, pavarësisht se nuk e ka marrë kush mundimin për ta pyetur më tej se çfarë është kakistokracia, sikundër nuk ka pasur asnjë shpjegim në median tradicionale. Ndoshta kjo vjen për shkak të gjuhës plot ngjyra që përdor zakonisht zoti Berisha. Me shumë gjasë njerëzit i kanë rënë shkurt dhe kanë bërë lidhjen: kakis është diçka e keqe dhe kratos do të thotë qeverisje, kështu që me pak fjalë, Berisha po na thotë se kjo është një qeverisje muti.

Nuk është interpretim i keq. Vetëm se, kur kjo fjalë u përdor në SHBA nga ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, rrjetet sociale shpërthyen. Fjalorët online raportuan një rritje të pazakontë të kërkimeve për këtë fjalë. Brennan po i referohej qeverisjes së Donald Trump si një ‘kakistokraci’. Për ta shpjeguar për lexuesit, ky term është përdorur për herë të parë në Angli në shekullin e 17-të gjatë një fjalimi kur Paul Gosnold paralajmëroi se monarkia po rrëshqet në një kakistokraci, që përndryshe përkthehet si qeverisje nga njerëzit më të këqinj, më pak të kualifikuar ose nga njerëzit me më pak skrupuj. A është qeverisja e Edi Ramës një kakistokraci? Ka shumë njerëz që do e pranonin se kurrë më parë përfaqësimi në Kuvend apo në organe të tjera të shtetit nuk ka qenë në këtë nivel të mjerueshëm. Por më shumë se kakistokraci, Shqipëria është në pikë të hallit për shkak se i ngjan një tjetër fjale me kakë. Ajo është një kakonomi.

***

Përse po na mbyt mediokriteti? Përse gjërat nuk kanë cilësi? Përse Italia nuk u afrohet në këtë drejtim vendeve të tjera si Franca apo Britania? Për këto tema po diskutonin një ditë dy prej akademikëve më të njohur italianë në botë: Gloria Origgi,  filozofe e institutit ‘Jean Nicod’ në Paris dhe Diego Gambetta, profesor sociologjie në Oksford. Pas kritikave të shumta për mënyrën se si organizohen gjërat në Itali, sidomos në planin akademik, ata arritën në përfundimin se kjo vjen për shkak të kakonomiksit- ose ndryshe ekonomisë së keqe.

Çfarë është kakonomiksi? Në një botë ideale mendohet se qëllimi i një kontrate është i tillë: të marrësh cilësinë më të lartë të një malli ose shërbimi në këmbim të pagesës. Po sikur palët të shkojnë me dëshirë drejt cilësisë së ulët? Madje ndihen mirë me këtë gjë, pavarësisht se kushtet e kontratës parashikojnë marrjen e shërbimit më të mirë. Imagjinoni një profesor që duhet të japë disa seminare për një shumë prej 1200 eurosh. Pagesa ka gjashtë muaj që i vonohet dhe në total i thuhet se do marrë vetëm 750 euro (gjasme do i zbriten ca taksa). Ndërkohë lektori e kalon shumicën e kohës me pushime dhe rrallë shfaqet përpara studentëve. Në mënyrë të çuditshme të gjithë ndjehen mirë: studentët bëjnë më pak mësim, fakulteti nuk ndjehet i turpëruar pasi tek e fundit profesori ka ardhur ndonjë ditë dhe ata kanë kursyer qindra euro për vete, profesori ka shijuar pushimet dhe nuk ka bërë ndonjë punë serioze. Një amerikan që e shijoi këtë ‘dolce vita’ të Italisë, thotë se po ndërtonte një vilë në Toskana: “Por ndërtuesit italianë nuk e mbanin kurrë premtimin, megjithatë gjëja e mirë ishte se as nuk prisnin që t’i paguaja në kohë”.

***

Jo vetëm për shkak të afërsisë me Italinë, por edhe sepse i ngjajmë në mentalitet, mund ta kuptosh lehtë se Shqipëria është një kakonomi ‘perfekte’. Shembujt i gjen kudo. Sa herë zgjohem në mëngjes, një ekskavator ka muaj të tërë që bën sikur punon tek rruga aty afër, që duhej të kishte mbaruar prej kohësh. Firma bën sikur punon sepse e di se do marrë dikur lekët, shteti gëzon sepse ka marrë pjesën e tij të ryshfetit dhe e di që një ditë ajo rrugë do mbarojë. Qytetarët konsumojnë pluhur e ndotje, shkatërrojnë nervat e makinat, por tek e fundit gëzojnë se po punohet. Rruga do përfundojë dikur dhe cilësia e saj do jetë mediokre.

***

Kur flitet për kontratat, shumë njerëz mendojnë se historia është e thjeshtë: ti kërkon një shërbim dhe mall të caktuar, kompania ose shteti duhet ta ofrojë me cilësinë më të mirë. Por kontratat janë një lëmsh i madh, një histori e komplikuar dhe e studiuar vazhdimisht nga ekonomistët. Në vitin 2016, dy ekonomistë fituan Çmimin Nobel në Ekonomi pikërisht për studimin në fushën e kontratave. Para disa kohësh, disa këshilltarë të presidentit amerikan, Donald Trump, mbrojtën nismën e tij për PPP-të në infrastrukturë. Me mjaft elegancë, në një shkrim në Nju Jork Tajms, ata argumentuan se problemi nuk janë koncesionet, por duhet bërë gjithmonë kujdes kur hartohen kontratat, duke garantuar që ato të zbatohen mirë.

Tani rikthehemi në terren shqiptar. Mbyllini sytë për një moment dhe imagjinoni se çfarë do bënit me 1 milion euro. Me shumë gjasë do zgjidhnit shumë prej halleve në jetë dhe do vinit për vije shumë gjëra të tjera. Nuk i thonë kot pyetja ‘1-milionëshe’. Edhe në psikologji mendohet se ky është numri që maksimalizon lumturinë.

Tani hapni sytë dhe mendojeni pak me thellë: kjo shifra që do ju garantonte lumturinë vlen sa … 60 metra asfalt diku në një rrugë me koncesion andej nga Balldreni, një fshat që shumica e shqiptarëve nuk e dinë me saktësi ku i bie. E gjitha falë kontratës për rrugën Milot-Balldren. Po a mund të quhet kjo një kontratë e mirë? A nuk duhet të ankohen qytetarët për barrën që do e mbajnë në shpinë për një rrugë që shumë nuk e dinë se ku i bie dhe çfarë ndikimi do ketë në ekonominë e rrënuar shqiptare? Sepse tani qeveritarët e kanë kapur edhe fabulën e re, ia ‘rrasin’ kontratën mbi shpinë parlamentit. ‘The Economist’ shkruante para pak ditësh se regjimet autokratike po ia kalojnë barrën parlamenteve me vendimet kontroverse, si për të thënë: ja, nuk e shkelëm ligjin.

***

Kur e sheh se sa ka rënë niveli i përfaqësimit në parlament e qeveri në Shqipëri, e kupton se në mos jemi kakistokraci, po rrëshqasim me shpejtësi në këtë drejtim. Por nuk ka asnjë dyshim që jemi kakonomi. Një arsye më shumë se pse kemi ngecur në kurthin e nënzhvillimit./gazetamapo.al

Share: