Hapja e negociatave/Presidenti i KE, Donald Tusk, nesër në Tiranë

Aktualitet Kryesore Politikë

Presidenti në ikje i Këshillit Europian, Donald Tusk, viziton të martën pasdite Shqipërinë. Zyrtari i lartë i BE-së pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

 

Vizita e tij në Shqipëri vjen një muaj para vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Tusk do të vizitojë më parë Maqedoninë e Veriut gjatë ditës së hënë dhe të martën më 17 shtator, pasdite pritet të mbërrijë në Shqipëri. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse pjesë e axhendës së Tusk do të jetë edhe zgjidhja e krizës politike, në të cilën ndodhet vendi prej më shumë se 7 muajsh.

Në një intervistë të mëhershme për të përditshmen malazeze “Vijesti”, komisioneri europian për zgjerimin në largim, Johanes Hahn, shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi veçanërisht përparimin që është bërë me Reformën në Drejtësi, të cilën sipas tij, Brukseli duhet ta shpërblejë. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerëson marrëveshjen e Prespës që u dha fund mosmarrëveshjeve disadekadëshe me Greqinë.

Share: