Nga Klodian Tomorri
Përplasja e fortë për tenderin 20 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë është vetëm një nga frontet e luftës së ashpër që ka shpërthyer mes klaneve ekonomike brenda maxhorancës.
Fronti tjetër i kësaj lufte pritet të shpërthejë brenda pak ditësh dhe është ai i Unazës së Madhe të Tiranës.
Janë të njëjtët aktorë dhe është e njëjta përplasje identike. Në 22 korrik, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi ofertat e tenderit për ndërtimin e lotit te pare te Unazes, në segmentin që përfshin rrethrrotullimin e Shqiponjës. Në garë morën pjesë 8 kompani, morën pjesë 8 kompani, ku oferta më e ulët u paraqit nga Alb Building me 1.72 miliardë lekë ose 14.2 milionë euro, ndërsa e dyta ishte e Salillarit me 1.77 miliardë lekë.
Por ashtu si në rastin e Kardhiqit, pas shqyrtimit të ofertave, Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi për mospërmbushje të kritereve dy ofertat më të ulëta duke shpallur fituese kompaninë e vendit të tretë, vëllezërit Hysa, e cila ka ofruar ta ndërtojë veprën me 14.6 milione euro, pra 400 mijë euro më shumë se oferta më e ulët.
Edhe në tenderin e Unazës, vendimi i ARRSH është kundërshtuar nga kompanitë me ofertat më të ulëta, përkatësisht Alb Building dhe Salillari, të cilat e ankimuan shpalljen e fituesit në Komisonin e Prokurimeve. Ashtu siç parashikon procedura, me marrjen e ankesës KPP ka pezulluar menjëherë lidhjen e kontratës, deri në vendimin përfundimtar që do të marrë pas shqyrtimit të dokumenteve. Dosja ka tre jave që qëndron në KPP dhe deri tani nuk ka asnjë vendim.
Ngjashmëria mes dy tenderave është e frikshme. Në të dy rastet ARRSH ka skualifikuar ofertat më të ulëta. Në tenderin e Kardhiq-Delvine ajo shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë duke skualifikuar 5 ofertat më të ulëta, ndërsa në tenderin e Unazës u shpall fituese oferta e tretë më e lartë dhe u skualifikuan dy kompanitë me ofertat më të ulëta.
Por kjo nuk është koincidenca e vetme. Në të dy tenderat, fituesi është i njëjti. Ose me saktë prokurimi ka shkuar në të njëjtën dorë. Bëhet fjalë për kompaninë Vëllezërit Hysa. Edhe pse në tenderin e Kardhiqit kjo kompani nuk figuron vetë në konsorciumin fitues, ajo merr pjesë përmes kompanisë satelit të saj, Sulova. Kjo e fundit është një kompani që figuron në pronësi të Elton Mustës, për vite të tëra ish-ekonomisti i kompanisë Vellezerit Hysa.
Por vendimi i ARRSH-së për t’i çuar dy tenderat më të mëdhenj të infrastrukturës rrugore për vitin 2019 në të njëjtën dorë duket se nuk ka qenë i koordinuar në të gjithë hierarkine e pushtetit. Prova për këtë ishte ndryshimi i fituesit nga Komisioni i Prokurimit.
Në tenderin e Kardhiqit vendimi i ARRSH-së për të shpallur fituese ofertën më të lartë u cilësua si i paligjshëm nga Komisioni i Prokurimeve, i cili përmbysi fituesin duke urdhëruar kualifikimin e ofertës më të ulët, asaj të konsorciumit të përbërë nga Gjoka dhe Cobial me ofertë 4 milione euro më të ulet. Por pas refuzimit të Sonila Qatos për të ndryshuar fituesin, në lojë hyri Ministria e Infrastrukturës që urdhëroi anulimin e tenderit.
Gjasat janë që edhe në rastin e Unazes vendimi i ARRSH-së të rrëzohet sërish dhe fituesi të ndryshojë. Në këtë situatë ka dy skenarë. Ose Sonila Qato zbaton vendimin e KPP-së dhe ndryshon fituesin, ose e refuzon sërish ashtu siç bëri me Kardhiqin dhe tenderi i Unazës mund të shkojë drejt anulimit. Gjithmonë nëse nuk do të ketë ndryshime në kupolen drejtuese të ARRSH-së, çka pas këtyre që kanë ndodhur nuk do të ishin të paimagjinueshme.
Tenderat 40 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë dhe Unazës së Tiranës nxorën në sytë e opinionit publik luftën e ashpër mes klaneve ekonomike të maxhorancës. Por mbi të gjitha ato ekspozuan në dritën e diellit pazaret dhe korrupsionin në tenderat publike në Shqipëri. Tashmë Partia Socialiste nuk është më një parti politike, por një organizatë e mirëfilltë interesash, të cilat tani janë në luftë të ashpër brenda llojit. Qytetarëve u mbetet vetëm të paguajnë faturën.