Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kreun e Kadastrës, Artan Lame, duke e akuzuar për ndërhyrje për punësime në administratë. Në një dalje para mediave ish-deputetja Oriola Pampuri deklaroi se Lame duhet të ishte në burg pasi sipas PD ai ka përdorur administratën për fushatë elektorale, ndërsa shton se “vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs”.
“Jemi dy muaj para zgjedhjeve që do të thotë se nga historia e deputetëve, kandidatë bashkie, kërkojnë ndihmë dhe mbështetje…E keni parë se Legalizimet është një nga gjerat më të rëndësishme që konsiderohet, kështu që deri në zgjedhje, historinë e ditës së shtunë nuk dua ta dëgjoj. Për sa kohë që unë ditën e shtunë jam në punë, kush mendon se do të rri pushim, fare thjesht le ta thotë dhe natyrisht të ikë pastaj. Në rastet kur janë larguar njerëz të tjerë, ua kam thënë ministrave e deputetëve përkatës; vëlla i dashur, ky vend është i joti.”, thuhej në audion ku fliste Lame, e cila u ripublikua sot nga PD. Audiopërgjimi i përket kohës para zgjedhjeve të 2017, ndërsa u bë publik nga PD në janar të vitit të kaluar.
DEKLARATA E PARTISE DEMOKRATIKE
Propaganda e Edi Ramës me punësimet shtetërore është një nga çështjet penalizuese jo vetëm për integrimin europian, por, mbi të gjitha, për keqfunksionimin dhe korrupsionin endemik, i përhapur në çfo qelizë të administratës shtetërore.
Shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve. Pak ditë më parë, Artan Lame, pa u skuqur fare, foli për konkurs të ndershëm në plotësimin e disa dhjetëra vendeve të reja të punës të hapur në ketë agjenci me shtrirje në të gjithë vendin. Por gjithçka është një teatër.
Artan Lame, si gjithë kolegët e tjerë pjesë të qeverisë grabitëse të Edi Ramës, nuk mund të organizojnë konkurse të ndershme. Ata dinë vetëm të punësojnë militantë partiakë, që i përdorin në zgjedhje në shkelje të ligjit ndaj kundërshtarit politik. Artan Lame është modeli tipik i kësaj skeme skandaloze që ka mbajtur peng administratën publike gjithë keto vite, duke punësuar militantë që vijnë me lista nga partia në pushtet dhe, në vend t’u shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë partisë në pushtet në kohë fushatash elektorale.
Rreth një vit më parë, kjo u provua me një material autentik, të publikuar në media, ku Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës. Ju ftoj ta ndekim këtë pjesë, ku Artan Lame nuk është në rolin e një shtetari që flet për konkurse, por në rolin e një partiaku që emëron militantët e sjellë nga partia.
Teatri që luhet me shqiptarët dhe tallja e tyre nga Artan Lame dhe shefi tij Edi Rama është e qartë. Në vend që ky funksionar i qeverisë të ishte sot në burg për përdorimin e administratës në fushatë, vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs.
Modeli i vërtetë i Artan Lames dhe gjithë të ngjashmëve të tij është vetë Edi Rama. Dosja 339, e trajtuar gjerësisht nga Zëri i Amerikës pak muaj më parë, provoi se është Kryeministri ai që ndêrhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës dhe, në mënyrë kriminale, ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar.
Edi Rama ka ngritur një shtet mafioz, ku gara në zgjedhje, gara për vendet e punës, gara për tenderat janë fasadë e një pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar. Pra daj, sot Shqipëria ka vetëm një zgjidhje, largimin e Edi Ramës!