Nga PËLLUMB KULLA
Nëse për vlerat e veprës letrare studiues, kritikë e lexues ndajnë mendime të ndryshme, janë shumë të paktë ata që nuk bien në një mendje se sa qe gjallë Dritëro Agolli ndihmoi kë të mundte, gjatë diktaturës e pas saj.
Në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të Dritëroit, Pëllumb Kulla i kthehet së shkuarës dhe sjell ndërmend një nga ato raste, ku askush tjetër veç Dritëroit nuk do të kishte pasur guximin të zgjidhte mes partisë dhe familjes…
VETËM DRITËROI MUND TË FLISTE KËSHTU
Po sillja ndërmend miqësinë me Dritëro Agollin dhe llogarita se e njoh atë prej shumë e shumë kohësh. E njoh, në kuptimin që jam ulur ballë tij, qëkur në Vlorë më dhanë një dënim të pamerituar dhe unë zgjodha t’i drejtohem për ndihmë atij gazetari energjik dhe fjalëmprehtë.
Që atëherë u bëmë miq. Për të më ndihmuar, Dritëroi atëherë trokiti në shumë porta të rënda dhe pa sukses, por unë i kam mbetur mirënjohës atij për përpjekjet dhe jo për rezultatin.
Që atëherë, unë u lidha edhe më ngushtë me krijimtarinë e tij të bukur dhe jetëgjatë, si edhe me veprimtarinë e tij shoqërore.
Dritëro Agolli ka qenë një individ i rrallë në botën e shqiptarëve. Mua më pëlqente vëzhgimi i tij, lumi i tij i mbushur dhe i rrëmbyer i krijimtarisë, mprehtësia, dinakëria dhe gjerësia shpirtërore. Dritëroi, sikurse dhe kolegët e tij të ndritur, ia paguan haraçet diktaturës, por ama gjetën hapësirë të endin veprat e tyre madhore.
Krijimtaria e Dritëroit është e ngjeshur me materialin jetësor të qëmtuar në bredhjet e tij dhe ky afrimi im me të më bëri ta ndjek edhe më nga afër atë burrë, në ca përplasje episodike ku shkëlqen guximi dhe mençuria e këtij njeriu të letrave. Haraçi që përmenda më lart i krijoi mundësinë të ishte më i lirë se të tjerët, të shkelte ca shtigje dhe të prekte ca tela të elektrizuar.
Kujtoj shumë ndodhi që dëshmojnë bukur karakterin e tij të rrallë.
Partia apo familja?
Gjatë përvojës sime teatrore, unë e kam sjellë dy herë në skenë krijimtarinë e këtij autori. Do të përshkruaja njërën prej tyre, atë të dramës “Baladë për një grua”.
Ishte një material dramatik tepër interesant:
Një çift i lumtur, intelektualë të klasit të parë, burri shkencëtar i kulturave bujqësore dhe gruaja juriste, i japin fund jetës së tyre të përbashkët. Shkaku shpjegohej nga shoqërimi i burrit të saj me një kuadër të lartë partiak, një miqësi fare e papranueshme nga gruaja. Shihte ajo në atë shoqërim një fije servilizmi e ndoshta nja dy arsye edhe më të forta, por të pathëna, të lakmive të kuadrit për nusen e mikut të tij. Ky nëpunës i lartë partiak futet ne burg. Buja është e madhe dhe burri, tashmë i divorcuar nga e shoqja prej afro një viti, u nënshtrohet kritikave për shoqërim me elementin antiparti. Organizata e partisë e përjashton burrin nga radhët e saj. Ndërkohë e shoqja e divorcuar që po rrit djalin e vogël lindur nga martesa me burrin e sapondarë, lumturisht pëson një katapultim: emërohet kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit!
Duke qenë në atë post, ajo, sipas rregullave të kohës, bëhej automatikisht anëtare e Byrosë së Partisë në Rreth, Byro që do t’i jepte udhë përjashtimit të të shoqit nga partia. Vetëm nëse do ta miratonte edhe Byroja, atëherë vendimi i organizatës quhej i plotë.
Mbledhja ishte një nga skenat e fundit, por më interesantja. Anëtarët e Byrosë e merrnin në analizë burrin e përjashtuar, e vlerësonin për punën e tij të suksesshme shkencore, e shanin për verbërinë e shoqërimit me armikun e partisë. Kish edhe anëtarë që e mbronin dhe nuk ishin dakord për përjashtim. E fundit foli ish-bashkëshortja. Ajo e kritikoi ashpër për shoqërimin e ish-bashkëshortit me atë individ negativ, por që për vlerat shkencore, për punën e palodhur që ai bënte, për netët që gdhinte në kërkime, gruaja e tij e dikurshme e vlerësoi me një zjarr të jashtëzakonshëm dhe propozoi ta mbanin në parti, si shkencëtar pasionant dhe me vlera të rralla.
Dhe kështu ndodhi. Burri, për lumturinë e tij, mbeti në radhët e partisë. Ai e priti gruan pas mbledhjes, i shfaqi mirënjohjen për shpirtmadhësinë e saj dhe ia propozoi si edhe dy herë të tjera ribashkimin. Por ajo tashmë ishte e vendosur dhe ia tha copë se përpara shokëve të Byrosë nuk e pat mbrojtur për të ngjitur bukën e tyre të thyer…
E punova me pasion këtë pjesë, e cila më tërhiqte me motivet e fisnikërisë kalorësiake të gruas dhe për shumë vlera të tjera letrare. Por gjatë punës sime më bezdiste një instruktor burokrat i Komitetit të Partisë, i cili nuk e pëlqente dramën apo ndofta kishte ndonjë urdhër të më sillte shqetësime ideore. Në një rast tjetër, ata mund të na e ndërprisnin punën e ta hidhnin veprën ne kosh, por belaja për ta vinte ngaqë autori nuk ishte dokushdo, por kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe, për më tepër, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Veçse ashtu të shqetësuar nga rreziku i njohur i përgjegjësive për dëmtime të vijës partiake, nuk rrinin pa shënuar ca kundërshtime, që shpresonin se unë do t’ua dëshmoja po t’ua sillte nevoja ndonjëherë, për t’ua hequr litarin nga gryka.
Ditën që organizuam një provë në tryezë, ku aktorët tashmë i kishin krijuar figurat, kishin përvetësuar tekstin dhe ritmin, erdhi autori peshëmadh, Agolli. Pranë tij u ulën dhe e panë provën e tryezës të mëdhenjtë lokalë.
Prova doli shumë mirë dhe të pranishmit shprehën kënaqësinë dhe vlerësuan punën tonë. U bënë disa vërejtje të parëndësishme. Autori shprehu pëlqimin dhe çdo gjë po mbyllej mirë e bukur. Por unë nuk po ia ndaja sytë atij instruktorit që ndiqte diskutimet, kish kyçur gojën dhe nuk guxonte të fliste.
“A ka më vërejtje të tjera për t’u bërë?”,- pyeta unë që drejtoja diskutimet.
Hiç! asnjë nuk pipëtinte.
“Ju shoku..”,- iu drejtova instruktorit. Meqë kemi autorin ia vlen të shfaqni ndonjë rezervë”.
Ai u ngrit i buzëqeshur: “Po ja, shoku Dritëro, unë kam merak mos thuhet se përse organizata e përjashton nga partia shkencëtarin dhe Byroja nuk e bën këtë. Mos duket sikur jemi një parti, që nuk paskemi harmoni në veprime? Kjo mospërputhje, ky tingëllim kështu, nuk do të qe…”
“Po ju jeni dhe instruktor i partisë dhe e dini që në statut nuk kanë frikë nga kjo mospërputhje. Aty në statut thuhet që fjalën e fundit e ka Byroja apo jo? E unë në dramë aplikoj statutin”.
“Si urdhëron, drejt e keni, shoku..”,- belbëzonte buzëmbël instruktori.
“Më duket se keni dhe diçka tjetër”,- nuk e lashë të qetë unë, ngaqë ai tip kish një muaj që ma kish prurë në majë të hundës.
E shtyva të hapej. Dhe ai u hap:
“Pastaj, ajo gruaja e pranon se ish-burri qenka i vlefshëm për partinë, si mund të thotë që nuk bën më për atë vetë?! A mund të jetë një njeri negativ për familjen dhe të jetë pozitiv për partinë?!”
Këtu Dritëroi uli kokën për të përmbledhur mendimet. Por kjo i dha ca zemër tjetrit:
“Demek, ky qenka i mirë për partinë dhe nuk qenka për familjen! Dhe vetiu, shoku Dritëro, spektatorët do të pyesin: Kush është më e rëndësishme, familja apo partia?”
“Familja!”,- tha Dritëroi prerë.
Në sallë u bë heshtje e rëndë. Vetëm një si Dritëroi mund të fliste kështu.
“Dëgjo, ti, instruktor! Ka ca gjëra që ne nuk i themi me zë të lartë, se ky popull nuk është mësuar t’i dëgjojë ato. Një grua sapo e sheh që burri e tradhton, ajo e dëbon. Por vetëm ndonjë skandal mund ta detyrojë partinë ta dëbojë atë mashkullin. Ne në parti kemi plot meshkuj të tillë. I dimë dhe mbyllim sytë.
Familja është delikate se është baza, nyja bazë e shoqërisë njerëzore. Partia nuk krahasohet dot me të. Gjatë luftës armiqtë e sulmonin Marksin për konceptet e tij mbi liritë në familje. Ai thoshte se familja do të arrijë të formohet me kontratë. “Bëmë bashkë dy fëmijë. Nuk të dua më. Nuk të tradhtoj, por nuk të dua më”. Kështu e shihte të ardhmen Marksi. Marksizmi ka një program maksimal dhe një minimal. Popullit ne i kemi rrëfyer vetëm minimalin, se e dinim që do të ishte i vështirë të gëlltitej ai maksimali. Por kundërshtarët tanë e njihnin mirë Marksin, se e kishin lexuar. Ata ishin më të ngritur kulturalisht se komunistët, që ishin më së shumti proletarë. Për të mos thënë që kjo pala këtej, e jona, kishte edhe plot fshatarë….”
Nuk ishte gjuhë e përditshme kjo atëherë. Vetëm Dritëroi mund të fliste kështu…