Pse Merkel e drejtoi Ramën në Bundestag?

Analizë Opinion

Nga Spartak Ngjela

Kancelarja gjermane, Merkel, ka kërkuar sot që të hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, por me një kusht dhe me afat kohor.

Rama ishte në takim me të… Por ajo e drejtoi në Bundeshtag. Pse?

l.

Hapja ose çelja e negociatave me BE, do të ndodhë me kusht. Cili është kushti? Rama nuk e thotë. Fakti që nuk e thotë, kuptohet se kushti është likuidimi ligjor i të korruptuarve të mëdhenj, madje, dhe me afat.

Shqipëria sot është në të njëjtën situatë me Kroacinë e disa viteve më parë, kur Berlini dhe Brukseli i vendosën si kusht anëtarësimi, arrestimin e kryeministrit kroat Ivo Sanader.

Ky është kushti themelor edhe për Shqipërinë: arrestimi i të korruptuarve të mëdhenj. Por këtu, likuidimi i të korruptuarve do të vijë mes organeve të SPAK-ut, të cilin e drejtojnë ndërkombëtarët.

Si mund të hysh në Bashkimin Europian kur drejtohesh nga një tufë hajdutësh që kanë depozituar rreth 5 miliardë euro nga korrupsioni shtetëror!?

Atëherë, çfarë po ndodh?

ll.

Politika shqiptare sot është nën shtypjen e dy trysnive të mëdha: njëra është presioni që i bëhet nga shqiptarët të cilët janë në ankthin e pranimit në Bashkimin Europian. Shqiptarët duan punë dhe një shtet që të jetë garant i jetës së tyre, sepse e dinë që sot nuk e kanë. Por e dinë dhe i njohin se shkaktarët e kësaj gjendjeje janë liderët e tyre, të gjithë të korruptuar. Prandaj e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian, se e dinë që, struktura perëndimore e shtetit europian, do të likuidonte domosdoshmërisht të korruptuarit e mëdhenj.

Trysnia tjetër vjen nga politika e lartë perëndimore: nga Uashingtoni dhe nga Berlini. Këta po kërkojnë Reformën në Drejtësi dhe likuidimin e liderëve të korruptuar. Pikërisht kjo është trysnia parësore. Sepse, politika e lartë perëndimore, duke e ditur që shqiptarët po presin me ankth anëtarësimin në BE, vendosën si kusht Reformën në Drejtësi. Tani, ata e kanë përfunduar vetë të gjithë bazën ligjore të kësaj Reforme. Mbetet vetëm fillimi i punës së institucioneve. Këta shpejt fillojnë seleksionimin penal të të korruptuarve të mëdhenj. Domethënë, Shqipëria po hyn në kohën e saj të drejtësisë dhe të zhvillimit real.

Ky është kushti i kancelares gjermane kundrejt kryeministrit shqiptar: ngritja sa më e shpejtë e institucioneve goditëse antikorrupsion. Dhe sigurisht që ky është një kusht në favor të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Share: