Deputetët i drejtohen SHISH për informacion, pas deklaratave të Metës

Aktualitet Kronikë Kryesore

Nëntë deputetë kanë bërë kërkesë për seancë dëgjimore për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.

Helidon Bendo kreu i SHISH

Kërkesa vjen pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta të hënën që lamë pas se kishte informacione për djegien e Parlamentin, ndaj kishte vendosur të anulonte zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Pikërisht për këtë deklaratë të kreut të shtetit në komisionin hetimor parlamentar, do të pyetet edhe kreu i SHISH.

Presidenca deklaroi sot se kreu i Shtetit kishte marrë raport nga SHISH më 7 qershor.

Deklarata e plotë e Presidencës: 

Me përgjegjësi maksimale, dua të rikonfirmoj vendosmërinë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, të shprehur shumë qartë dje për të gjitha mediat dhe për mbarë opinionin publik, për të ushtruar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, si një PRESIDENT I SHTETIT TË SË DREJTËS.

Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019.

Sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje shumë qartë, jam i detyruar të rikonfirmoj se:

Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.

Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.

Po kështu, ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, z.Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.

Uroj që ky sqarim publik të lexohet drejt dhe të mos shtrembërohet sërish në “përkthimin” shqip-shqip që bëjnë në të tilla raste portalet dhe gazetat e SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve.

Share: