Dostojevski: E pashë në sy vdekjen!

Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Në prill 1849, shkrimtari rus me shumë ndikim, Fjodor Dostojevski u arrestua bashkë me disa anëtarë të tjerë të Rrethit Petrashevski, një shoqëri e fshehtë intelektualësh, të cilët mblidheshin rregullisht për të diskutuar për letërsinë e ndaluar nga Nikola I, Perandori i Rusisë. Tetë muaj më vonë, në 22 dhjetor, ata u dërguan në Pallatin Semionov në Shën Petërsburg, ku të tre u lidhën në shtylla, me kokën mbuluar. Një skuadër pushkatimi ngriti pushkët dhe mori shënjestër. Heshtje totale, e cila u thye shumë shpejt, jo nga tingujt e tërheqjes së këmbëzave, por nga një urdhër për pushkatarët që të ulnin pushkët. Në sekondën e fundit, ekzekutimet ishin anuluar dhe anëtarët u dërguan sërish në burg.

Në fundin e asaj dite, Dostojevski i shkruajti një letër vëllait të tij, Mikhail. Në të, ai i përshkruante ngjarjet e paimagjinueshme të asaj dite, i kërkoi të mos shqetësohej për mirëqenien e tij ndërkohë që ndodhej në burg, si dhe i shkruajti që ndihej “i rilindur” si rezultat i asaj përvoje. Dostojevski u lirua pesë vjet më vonë, dhe më pas do të shkruante libra të tillë klasikë, si “Krim dhe ndëshkim” dhe “Vëllezërit Karamazov”.

Më poshtë letra e plotë:

“Kështjella e Pjetrit dhe Palit

22 Dhjetor 1849

MlHAIL MlHAILOVICH DOSTOYEVSKY,

Nevsky Prospect, përballë Rrugës Gryazny

në shtëpinë e Neslind.

Vëlla, miku im i shtrenjtë! Gjithçka është vendosur! Më kanë dënuar me katër vite punë të rëndë në kështjellë (besoj në atë të Orenburgut), dhe më pas të shërbej si ushtar. Sot, në 22 Dhjetor, na dërguan në Pallatin Semionov. Atje na lëxuan të gjithëve dënimin me vdekje, na u tha të puthnim Kryqin, shpatat tona u thyen mbi krerët tanë, dhe na kërkuan të shkojmë për herë të fundit në tualet (këmisha të bardha). Më pas, tre prej nesh u lidhën në shtyllën e ekzekutimit. Unë isha i gjashti. Na thërrisnin tre e nga tre; si pasojë, unë isha në grupin e dytë, dhe nuk më mbetej më shumë se një minutë jetë. Në mendje kisha ty vëlla, dhe gjithçka tënden; gjatë minutës së fundit, vetëm ti ishe në mendjen time, vetëm atëherë e kuptova se sa shumë të dua, i dashur vëlla! Arrita gjithashtu të përqafoj Pleshejevin dhe Durovin, të cilët qëndruan pranë meje dhe t’u them mirupafshim. Në fund, u dha urdhëri i tërheqjes, dhe ata që ishin lidhur pas shtyllës u larguan. Na u tha se Madhëria e Tij, Perandori na kish falur jetën. Më pas, na dhanë dënimet aktualë. Vetëm Palmi është falur, dhe do të rikthehet në ushtri me gradën që ka pasur.

Sapo mësova, i dashur vëlla, se sot ose nesër do të na largojnë prej këtu. Kërkova që të të takoj. Por më thanë që është e pamundur; mundem vetëm të të shkruaj këtë letër: nxito dhe më kthe përgjigje sa më shpejt që të mundesh. Kam frikë se në një farë mënyre do e kesh mësuar për dënimin tonë me vdekje. Nga dritaret e makinës së burgut, kur po na dërgonin drejt Pallatit Semionov, pashë shumë njerëz; ndoshta lajmi ka ardhur tek ti, dhe ti ke vuajtur për mua. Tani do të lehtësohesh. Vëlla! Nuk jam trishtuar dhe nuk kam rënë moralisht. Jeta është kudo, jeta është brenda nesh, jo në atë që është jashtë nesh. Do të ketë njerëz pranë meje, dhe të jesh një njeri mes njerëzve dhe të mbetesh përgjithmonë njeri, jo të biesh moralisht, jo të biesh para çfarëdolloj fatkeqësie që mund të të ndodhë – kjo është jeta; kjo është detyra e jetës. Këtë unë e kam kuptuar. Kjo ide më është futur në mish dhe në gjak. Po, është e vërtetë! Koka që krijonte, që jetonte me formën më të epërme të artit, është këputur tashmë nga supet e mia. Mbetet kujtimi dhe imazhet e krijuara, por jo më të mishëruara tek unë. Ato do të më “gërvishtin”, është e vërtetë! Por tek unë, mbeten zemra ime dhe po ai mish dhe gjak, që gjithashtu mund të dashurojnë, dhe vuajnë, dhe dëshirojnë, dhe kujtojnë, dhe kjo, në fund të fundit, është jeta. On voit le soleil! (Ne e shohim Diellin!) Tani, mirëupafshim vëlla! Mos mbaj zi për mua!

Dhe tani, për gjërat materiale: librat e mi (kam ende Biblën) dhe shumë dorëshkrime, skicën e dramës dhe të romanit (dhe historinë e përfunduar të “Një përrallë fëmije”) mi morën, dhe me shumë gjasa do të t’i kenë sjellë ty. Po të lë gjithashtu pallton dhe rrobat e vjetra, nëse dërgon dikë që t’i marrë. Tani, i dashur vëlla, mbase do të më duhet të bëj një rrugë të gjatë. Nevojiten para. I dashur vëlla, kur të marrësh këtë letër, dhe nëse ke mundësi të më dërgosh disa para, mi dërgo menjëherë. Tani paratë më duhen më shumë se sa ajri (për një arsye të caktuar). Më dërgo edhe disa reshta. Pastaj, nëse vijnë paratë nga Moska – më kujto dhe mos më braktis. Kaq kisha! Kam borxhe, po çfarë mund të bëj?

Puthi gruan dhe fëmijët. Folu vazhdimisht për mua që të më kujtojnë e mos të më harrojnë. Ndoshta, dikur do të takohemi përsëri! Vëlla, kujdesu për veten dhe familjen, jeto në qetësi dhe me kujdes. Mendo për të ardhmen e fëmijëve të tu… Jeto pozitivisht. Nuk kam ndier kurrë brenda vetes një jetë shpirtërore kaq të pasur, sa tani. Por a do të durojë trupi im? Nuk e di. Po iki i sëmurë, vuaj nga skrofulla. Por nuk ka gjë! Vëlla, tashmë kam hequr kaq shumë në jetë, saqë asgjë nuk më frikëson më. Të bëhet ç’të bëhet! Sapo të mundem, do të të njoftoj se ç’bëhet me mua. Përshëndeti dhe Maikovët nga unë. Thuaju që i falënderoj për interesimin e tyre të vazhdueshëm për fatin tim. Thuaj disa fjalë për mua Evgjeni Petrovnas, sa më të ngrohta që të mundesh, si të t’i ndiejë zemra. I uroj shumë lumturi, dhe gjithmonë do ta kujtoj me respekt dhe mirënjohje. Shtrëngoju duart Nikolai Apollonoviçit dhe Apollon Maikovit, si dhe të tjerëve. Gjej Janovskin. SHtrëngoji duart, falënderoje. Në fund, tako dhe shtrëngo duart me të gjithë ata që nuk më kanë harruar. Dhe ata që më kanë harruar – kujtojua dhe atyre Fjodor Dostojevskin. Puthe vëllanë tonë, kolian. Shkruaji një letër vëllait tonë, Andreit, dhe informoje për mua. Shkruaji edhe xhaxhait dhe hallës. Këtë ta kërkoj në emrin tim, dhe përshëndeti nga unë. Shkruaju motrave tona: U uroj sa më shumë lumturi.

Dhe ndoshta, një ditë, do të takohemi sërish, vëlla! Kujdesu për veten, vazhdo jeto, për dashurinë e Zotit, deri kur të takohemi. Ndoshta një ditë do të përqafohemi dhe kujtojmë vegjëlinë e rininë tonë, kohët tona të arta, rininë dhe shpresat tona, të cilat në këto moment po i heq nga zemra ime, me gjakun tim, për t’i groposur.

A mund të ndodhë vërtetë që mund të mos më bjerë kurrë një penë në duar? Mendoj se pas katër viteve atje, do ta kem një shans. Do të të dërgoj gjithçka që do të mundem të shkruaj, nëse do të mundem, o Zot! Sa shumë imagjinata që kanë jetuar përmes meje, që kam krijuar vetë, do të zhduken nga mendja ime, ose do të luajnë si helm në gjakun tim? Po, nëse nuk më lejojnë të shkruaj, do të zhdukem. Më mirë 15 vite burg me një penë në duar!

Më shkruaj më shpesh, më shkruaj detaje, më shumë fakte. Në çdo letër më shkruaj për gjithfarësoj detajesh familjare, për çikërrima, mos harro. Kjo do të më japë shpresë dhe jetë. Ta dije se si, letrat e tua, më ringjallnin brenda kësaj kështjelle. Këta dy muajt e fundit, kur ishte e ndaluar të shkruanim dhe të merrnim letra, kanë qenë shumë të vështirë për mua. Isha i sëmurë. Fakti që nuk më dërgoje para herë pas here më bënte të shqetësohesha për ty; do të thoshte se edhe ti vetë ishe në nevojë të madhe! Puthi përsëri fëmijët; fytyrat e tyre të bukura nuk i heq dot nga mendja. Qofshin të lumtur! Qofsh i lumtur edhe ti, vëlla, qofsh i lumtur!

Por mos mbaj dhimbje, për hir të Zotit, por mbaj dhimbje për mua! Beso që nuk kam rënë moralisht, mbaj mend që shpresa nuk më ka humbur. Pas katër vitesh do të ketë një zbutje të fatit tim. Do të jem një ushtar – jo më një i burgosour, dhe mbaj mend që një ditë do të mundem të të përqafoj. Sot isha në kthetrat e vdekjes për treçerek ore; kam jetuar me atë ide; Isha në çastin e fundit të jetës dhe tani jam sërish i gjallë!

Nëse dikush ka kujtime të këqia nga unë, nëse jam grindur me dikë, nëse i kam lënë një përshtypje të pakënaqshme ndokujt – thuaju që duhet ta harrojnë, nëse mundesh t’i takosh. Në shpirtin tim nuk ka vrer; do të doja shumë të përqafoja këdo nga ish miqtë e mi në këtë moment. Është ngushëlluese.

E përjetova sot, kur po u thoja lamtumirë miqve të shtrenjtë para vdekjes. Në atë moment mendova se lajmi i ekzekutimit do të të vriste. Por tani qetësohu, jam ende gjallë dhe do të jetoj në të ardhmen me mendimin që një ditë do të mundem të të përqafoj. Vetëm këtë gjë kam në mendje tani.

Çfarë po bën? Çfarë ke menduar sot? A ke dijeni për fatin tonë? Sa ftohtë ishte sot!

Ah sikur letra ime të mbërrinte sa më shpejt tek ti. Përndryshe, do të rri katër muaj pa lajme prej teje. I kam parë zarfet me të cilët dërgove para gjatë dy muajve të fundit; adresa ishte shkruajtur me dorën tënde, dhe isha i lumtur që je mirë.

Kur hedh sytë pas në të kaluarën dhe mendoj se sa shumë kohë e kemi çuar dëm, sa shumë kohë e kemi humbur me gënjime, sa shumë nuk e kam vlerësuar kohën, sa shpesh kam mëkatuar kundër zemrës dhe shpirtit tim – zemra ime pikon gjak. Jeta është dhuratë, jeta është lumturi, çdo minutë mund të ketë qenë një epokë e tërë lumturie. Si jeunesse savait! Tani, duke ndryshuar jetën time, mund të kem rilindur në një formë të re. Vëlla! Të betohem që nuk do ta humb shpresën, dhe do të ruaj të pastër shpirtin dhe zemrën time. Do të rilind në diçka më të mirë. Kjo është e gjithë shpresa ime, ngushëllimi im!

Jeta në burg ka vrarë tashmë tek unë kërkesat e mishit, që nuk kanë qenë tërësisht të pastra; më parë, kujdesesha shumë pak për veten. Tani, privimet nuk janë asgjë për mua, e si pasojë mos ki frikë se mos vështirësitë materiale do të më vrasin. Nuk mund të ndodhë! Ah! Vetëm shëndet të kem!

Mirëupafshim, mirëupafshim, vëllai im! Kur do të të shkruaj përsëri? Do të të shkruaj një rrëfim sa më të detajuar që të mundem, për udhëtimin tim. Nëse ruaj shëndetin, atëherë gjithçka do të shkojë mirë.

Mirëupafshim, mirëupafshim vëllai im! Të përqafoj fort, të puth fort. Më kujto pa dhimbje në zemër. Mos u brengos, të lutem, mos u brengos për mua! Në letrën tjetër do të të shkruaj si jam. Mbaj mend atë që të kam thënë: planifikoje jetën tënde, mos e ço dëm, mendo për fëmijët. Ah të kem të të takoj! MIrëupafshim! Tani largohem nga çdo gjë që e kisha të shtrenjtë; është e dhimbshme të largohem! Është e dhimbshme të ndahesh në dysh, të ndash zemrën në dysh. Mirëupafshim! Mirëupafshim! Por do të të takoj, jam i bindur – shpresoj; mos ndrysho, më duaj, mos e lër kujtesën tënde të ftohet, dhe mendimi për dashurinë tënde do të jetë pjesa më e bukur e jetës sime. Mirupafshim! Mirupafshim! Mirupafshim të gjithëve!

Vëllai yt, Fjodor Dostojevski

22 Dhjetor 1849

Ps. Kur më arrestuan, më morën disa libra. Vetëm dy prej tyre ishin libra të ndaluar. A nuk i merr të tjerët për vete? Por kam një kërkesë: një prej librave ishte “Vepra e Valerian Maikovit” esetë e tij kritike – kopje e Evgjeni Petrovnas. Ishte thesari i saj, dhe ajo ma huazoi mua. Kur më arrestuan, i kërkova oficerit të policisë që t’ia kthente asaj librin, dhe i dhashë adresën. Nuk e di në ia ka kthyer. Të lutem pyet. Nuk do të doja t’ia hiqja asaj këtë kujtim. Mirupafshim, edhe një herë!

Yti, F. Dostojevski

Përkthimi: Bota.al

Share: