“BalkanWeb” siguron dosjen e plotë të prokurorëve për vrasjen e 26-vjecarit, Indrit Çelaj pak ditë më parë nga vëllezërit Kusi, në banesën e të cilëve i riu, punonte për riparimin e kondicionerit. Në dosje e cila mban firmën e prokurorëve Julian Zonja dhe Ida Ahmetlli, vlerësohet si i ligjshëm arrestimi i 4 personave, dëshmitë e të cilëve hedhin dritë mbi atë çka ndodhi mesditën e 22 gushtit në familjen Kusi.
Nga marrja e dëshmive të personave të arrestuar, prokurorët e cështjes konstatojnë se personat, konkretisht, Ferdinand Bakalli, Ali Sula, Bujar Kusi e Luan Çaka nuk kanë dhënë deklarime në përputhje me të vërtetën. Nga dëshmite del ne pah fakti se si është tentuar të manipulohet vrasja e 26-vjecarit Çelaj nga vëllezërit Kusi.
Në dëshminë e tij, Ferdinand Bakalli i vënë në pranga nga policia për moskallëzim të krimit, Ai thotë se ka njoftuar ambulancën për një punëtor që ndodhej në gjendje të rëndë pasi ka rënë nga skela. Bakalli rrëfen se ka dal nga lokali ku ishte duke pirë kafe, rreth orës 11:19 dhe i është drejtuar objektit në rikonstruksion, ku ka dëgjuar disa zhurma e ulërima.
“Menjëherë pas këtij momenti, jam afruar aty te ky objekt dhe kam dëgjuar një person i cili ishte duke ulëritur me zë të lartë, të cilin pasi e kam pyetur se cfarë kishte ndodhur ky person më është prezantuar se ishte vëllai i një personi që ishte plagosur. Kam hyrë brenda objektit ku kam vënë re se një person ishte në gjendje të rëndë për jetën dhe ishte i shtrirë në dyshme, të cilin në momentin që e kam parë ishte i shtrirë përmbys dhe në pjesën e kokës po i rridhte gjak, ky person i dëmtuar ishte i vetëm, kur pranë tij nuk kam parë asnjë person tjetër që po i jepte ndihmë, apo që ishte prezent. Menjëherë pas kësaj situate kam dalë jashtë ambjentit dhe rreth orës 11:19 kam marr ambulancën në telefon në numrin 127 duke i kërkuar që të vinte urgjent pasi një person ka rënë nga skela gjatë punës dhe njëkohësisht kam dalë në rrugë të orientoja ambulancën për ta dërguar në spital këtë person të plagosur. Pas rreth 5 minutash ka mbërritu ambulanca dhe së bashku me stafin mjekësor që ishin rreth 3 punonjës kemi marrë personin e plagosur dhe e kemi futur në ambulancë dhe e kanë dërguar në spital. Unë këtë ngjarje e kam dëgjuar vetëm gjakë kohës kur kam qenë duke kaluar nga lokali drejt hyrjes së rrugës Myslym Shyri” ka dëshmuar Bakalli para prokurorëve.
Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë. Sakaq në dëshminë e tij, Luan Çaka është shprehur se ka qenë në banesë ditën kur ndodhi ngjarja, dhe se i ndjeri Çelaj i kishte kërkuar t’i blinte cigare e çokollata.
“Jam kthyer pas 15 minutash, kur jam kthyer pash se dera kryesore e banesës ishte e mbyllur, dhe aty ndodheshin të pesë punëtorët që të cilët nuk më kanë lejuar të futem në banesë. Ju kam kërkuar shpjegime dhe nuk më kanë dhënë, dhe më pas jam larguar për te makina ime.” është shprehur Çaka, i cili ndër të tjera ka theksuar se për sa ka qëndruar në objekt nuk ka patur ndonjë problem.
Ndërkohë në dëshminë e tij, Bujar Kusi, pronar i objektit në rikonstruksion në dëshminë e tij ka pretenduar se dy djemtë, Albano dhe Griseldo, ditën e ngjarjes kanë qenë në plazh.
“ Më 22/08/2019 në orën 07:00 të mëngjesit kam shkuar në Kombinat te dyqani im i cili ndodhet në qendër të kombinatit është byrektore, aty kam qëndruar deri në orën 12:30 minuta. Rreth orës 11:00 më ka marr në telefon cuni im, Griseldo Kusi dhe më ka kërkuar shumën prej 50 mijë lekësh, unë e kam pyetur se për cfarë i do dhe më ka thënë se do dalë me vëllain Albanon dhe dy shoqe. Unë më pas shkova tërhoqa shumën e parave që më kërkoi cuni, kam edhe faturën e bankës në banesë dhe këtë shumë ia kam dhënë dy çunave. Ndërkohë që kam qenë në banesë dikush i policisë më ka telefonuar dhe më ka thënë se duhet të paraqitem te objekti që ndodhet në ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku unë jam pronar dhe kam qenë duke rregulluar tubat e kondicionerit të kësaj banese. Jam paraqitur te banesa ime dhe aty mësova se cfarë ka ndodhur. Rreth orës 13:55 ndërkohë që kam qenë në objekt në prani të punonjësve të policisë kam marr në telefon shtetasin Mond Sula dhe i kam thënë kush janë punëtorët e kondicionerit që më ke sjellë. Mondi më ka thënë se paskën bërë sherr Lorenc Veliaj me këtë punëtorin e kondicionerit dhe Lorenci e paska qëlluar me armë zjarri, punëtorin e tubave të kondicionerit të cilin me emër nuk e njoh, por mësova se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Të dy çunat Albano dhe Griseldo në dijeninë time ndodhen në plazh te Gjiri i Lalzit me dy shoqet e tyre të cilat nuk i njoh” është shprehur Bujar Kusi, para prokurorëve.
26-vjecari Indrit Çelaj u vra më 22 gusht në vilën ku punonte si mekanik për riparimin e kondicionerëve. Ai u qëllua me plumb pistolete në kokë, ndërsa ndërroi jetë më pas në Spitalin e Traumës. Lidhur me ngjarjen policia ka vënë në pranga shtetasit,Bujar Kusi, Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka. Ata dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë. Sakaq janë shpallur në kërkim vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi.