Vendet e Europës Juglindore kanë nevojë imediate për financa dhe investime të huaja për të modernizuar infrastrukturën, rritur punësimin dhe forcuar ndërmarrësinë. Bashkimi Europian është financues kryesor në Ballkan dhe burim i shumicës së investimeve të huaja. Në këtë rajon, dhe jo vetëm, BE-së i është shtuar një konkurrent i ri e i fuqishëm – Kina.
Nga Kujtim Dobruna
Rruga e mëndafshtë
Në vitin 2012 qeveria kineze publikoi nismën e saj «Një brez, një rrugë» (BRI), që ndryshe njihet edhe si «Rruga e Re e Mëndafshit», që synon zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj detare për të lidhur më mirë mes vete Azinë, Europën dhe Afrikën. BRI shtrihet aktualisht në 65 shtete, pritet të zgjerohet në më shumë se 100 vende dhe ka pas vetes resurse marramendëse financiare. Fondi rreth 66 miliardë dollarësh i alokuar nga qeveria kineze, mbështetet edhe nga fonde tjera bilaterale me Rusinë, Indinë dhe disa vende të Afrikës. Të gjitha këto resurse të mobilizuara, kanë potencial të madh që ta transformojnë rajonin.
Kalkulimet në prapavijë të BRI
Pas iniciativës BRI ekziston një kalkulim i qartë i Kinës, që bazohet në domosdoshmërinë e ndryshimit të modelit ekonomik, sigurimin e resurseve strategjike, tregjeve të reja për eksport dhe në forcimin e influencës gjeopolitike.
Pas një rritjeje të vazhdueshme dhe të fuqishme ekonomike gati 30-vjeçare, e cila u bazua në eksporte të lira, viteve të fundit Kina i është vetnënshtruar një «ribalancimi ekonomik», i cili synon një tranzicion strukturor të ekonomisë të orientuar kah ngritja e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve vendore.
Fokus tjetër është forcimi i kërkesës së brendshme, që rritja ekonomike të gjenerohet nga tregu i brendshëm dhe investimet lokale. Ky paraqet një proces të madh rregullimi strukturor dhe i kontribuon ngritjes së Kinës në një shoqëri moderne industriale e teknologjike, konkurrente e drejtpërdrejtë e ShBA-së dhe BE-së. Një ngritje e tillë kërkon infrastrukturë moderne e të shpejtë për tu qasur në tregun global, prandaj edhe arsyeja e nismës për rrugën e re të mëndafshtë bëhet e qartë.
BRI në Europë dhe Ballkan
Në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, nisma BRI ka si cak të shtrihet në 11 vende të BE-së dhe në pesë të Ballkanit, por ajo e përjashton Kosovën. Shtrirjen e saj BRI e ka nisur me blerjen e portit më të madh grek, atë të Pireut, i cili mundëson qasje të shpejtë, të lirë dhe të lehtë në infrastrukturën dhe tregjet europiane. Etja kineze për tregjet e Ballkanit është e madhe.
Menjëherë pas Pireut, kompanitë kineze kanë blerë të drejtat për eksplorimin dhe prodhimin e naftës në Shqipëri dhe kanë përvetësuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në Bosnjë përmes kredive eksportuese është financuar ndërtimi i një blloku të ri të termoelektranës në Tuzëll në vlerë prej mbi 700 milionë euro (gjë që Kosova nuk arrin ta bëjë tash e 15 vjet). Në vitin 2017, Bosnja ka nënshkruar marrëveshje tjera me partnerët kinezë për realizimin e projekteve të vlefshme 2 miliardë euro. Mali i Zi dhe Kroacia kanë përfituar investime në infrastrukturë, në veçanti në atë rrugore. Në Slloveni, kompanitë kineze kanë paguar 300 milionë euro për të blerë prodhuesin e pajisjeve elektrike Gorenje. P
or, përfituesi më i madh nga investimet kineze është Serbia. Ja disa shembuj: qeveria kineze po financon aktualisht ndërtimin e një hekurudhe moderne që lidh Beogradin me Budapestin, ka blerë minjerat e Borit dhe industrinë e çelikut në Smederevë dhe vetëm gjatë vitit 2017 ka financuar projekte në vlerë prej 6 miliardë dollarë – sa totali i investimeve të BE në tërë Ballkanin Perëndimor. Sipas një studimit të bërë nga Instituti për Krahasime Ekonomike në Vjenë, projektet infrastrukturore kineze kanë ndikim të fuqishëm në ekonomitë e vendeve të Ballkanit, respektivisht në Produktin e tyre të Brendshëm Bruto, dhe atë me sa vijon: 14 për qind në Mal të Zi, 11 % në Bosnje dhe 7 për qind në Serbi.
Rreziqet nga BRI
BRI nuk sjell vetëm të mira, por përcillet edhe me rreziqe të konsiderueshme për vendet përfituese. Rreziku i parë është ai i shtrirjes së ndikimit gjeoplitik kinez. Për rajone fragjile, siç është Europa Juglindore, ky ndikim mund të jetë fatal dhe nuk guxon të neglizhohet. Përkundër vlerësimeve të mëhershme të analistëve të ndryshëm se rreziku gjeopolitik është i ulët, zhvillimet e reja japin një pasqyrë tjetër. Më konkretisht, rritja e bashkëpunimit kinezo-serb në fushën e sigurisë, e kurorëzuar së fundmi me një marrëveshje bilaterale të nënshkruar në maj 2019 dhe bashkëpunimi i rritur në fushën e teknologjisë ushtarake, dëshmojnë për një ndërhyrje kineze në fusha të reja, jashtë atyre që i synon BRI.
Ky bashkëpunim, që hovin e vet e ka marrë që nga bombardimi i ambasadës kineze më 1999, është një arsye e madhe për shqetësim, jo vetëm për rrezikun që mund t’ia shkaktojë arkitekturës së sigurisë në Europë, por edhe për rrezikimin e sigurisë së Ballkanit, në veçanti të Kosovës, që vjen nga fuqizimi i pandalshëm ushtarak i Serbisë. Rreziku i dytë, dhe jo i fundit, është ai i krijimit të varshmërisë ekonomike të vendeve të Ballkanit nga Kina, qoftë për shkak të borxheve pranë bankave kineze, apo për shkak të prezencës së shtuar në tregun vendor të kompanive kineze. Kjo varshmëri dhe këto borxhe nuk e rrisin vetëm rrezikun makroekonomik në rajon, por janë edhe një levë e sigurt në duart e kredidhënësit, për të ndikuar tek kredimarrësit në rrafshin shoqëror, politik, të sigurisë dhe atë financiar.
Efekti në Kosovë
Përjashtimi i Kosovës nga mundësia për tu qasur në fondet dhe investimet kineze e ruan atë në njërën anë nga ndikimi i drejtpërdrejtë gjeopolitik i Kinës. Ndikimi i tërthortë megjithatë është i paevitueshëm. Në anën tjetër, disbalanci investiv, tregtar e infrastrukturor që po krijohet nga prezenca kineze, po e vendos ekonominë e Kosovës në një pozitë edhe më pak të favorshme në raport me vendet e rajonit. Të tjerët përreth po përfitojnë shuma marramendëse dhe po zhvillohen.
Ndërsa Kosovës, që edhe ashtu është vendi më i varfër në rajon, i mbetet të shpresojë në fondet dhe investimet nga Europa Perëndimore dhe posaçërisht nga aleati strategjik – ShBA-të. Por, fonde e investime perëndimore, për dallim prej atyre kineze, kushtëzohen me reforma demokratike, strukturore, sundim të ligjit, luftim të krimit, korrupsionit etj. Për aq kohë sa Kosova vazhdon të mbetet në mëshirën e politikanëve të padijshëm e të paaftë për të qeverisur, të korruptuar e të lidhur me krimin, fondet dhe investimet perëndimore do të mungojnë. Me këtë do të mungojë edhe zhvillimi i mirëfilltë e i qëndrueshëm ekonomik, përderisa rajoni prosperon.