“Ku i kalove pushimet? Me kë i kalove? Sa shpenzove?- Pyetjet që ta rrisin nivelin e stresit pas pushimeve

Aktualitet Shkencë & jetë

Disa prej statuseve që zënë hapësirën kryesore në rrjetet sociale, sidomos në këtë periudhë, janë ato të pushimeve. Pasi përfundojnë ato, një pjesë e madhe e njerëzve ndihen keq, madje u duhen disa ditë për të marrë veten dhe për t’iu rikthyer normalitetit. I njohur si sindromi i “pas pushimeve”, ky është një çrregullim që ka të bëjë saktësisht me përshtatjen dhe që mund të shoqërohet me simptoma të ndryshme deri në rifitimin e shprehive të zakonshme.

Të paktën ky është shpjegimi që japin studimet e ndryshme të bëra në të gjithë botën. Sipas psikologëve, vitet e fundit, stresi pas pushimeve është ndikuar edhe nga kriza ekonomike, pasi tashmë shqetësim nuk është vetëm përshtatja me ambientin e punës apo riorganizimi i rutinës në familje, por dhe stresi lidhur me vetë punën.

E vetmja këshillë që një mjek apo një psikolog mund të të japë, është që puna rinis më lehtë nëse ndryshon ritmin dhe shmang streset e tepërta.

 

 

 

Pas pushimeve, dua…pushim

Të rikthehesh në punë pasi ke pushuar, duket sikur është një sfidë më vete për këdo. Në vend që të gjithë të jenë më të kthjellët dhe produktivë, vihet re që ndodh e kundërta. Aq sa me të qeshur thuhet se duhen disa pushime pas pushimeve.

Të gjithë kemi kontakte me familjarët, miqtë apo të njohurit tanë, ku dëgjojmë prej tyre ankesat për një gjendje lodhjeje dhe depresioni pas kthimit në punë.

Pikërisht, lidhur me këto probleme është bërë një studim në Universitetin e Milanos, nga departamentit i Neuro-shkencës, ku rezulton se të gjithë të sapokthyerit nga pushimet janë tepër të lodhur, madje ata përdorin fjalën të “vdekur”. Për këtë arsye, ata nuk ndihen të gatshëm për t’u kthyer në punë.

Dita e parë

Dita e parë e punës nis me një lloj stresi dhe mosdëshire për t’iu kthyer rutinës së përditshme. Të gjithë do të donin që të kishin edhe disa ditë më shumë pushime. Prandaj, kudo mund të dëgjosh shprehje të tipit: “Mos ma ngarkoni mua këtë detyrë se është e vështirë”, “duhet të punoj edhe sot?” etj. Me pak fjalë, ata që kthehen nga pushimet në ditën e parë të punës presin që kolegët apo shefi ta mirëkuptojë dhe të mos i kërkojë llogari për punë.

Shumica e të sapokthyerve, ditët e para të rikthimit në punë i konsiderojnë si një lloj ambientimi nga faza e pushimeve në përshtatjen me ditët e punës.

Pse ndodh kjo…

Vetë personat që sapo janë kthyer nga pushimet dhe sociologët pranojnë se është paksa e vështirë që të përshtatesh nga qejfi në pushime tek kërkesa e llogarisë dhe përgjegjësia në punë.

Por, sociologët e lidhin edhe me një fenomen tjetër, që është mënyra se si i kanë kaluar pushimet këta persona. Nëse kanë qenë aktivë apo pasivë.

Domethënë, çdo gjë varet nëse ata kanë pushuar apo kanë bërë pushime, të cilat kanë qenë shumë aktive dhe detyrimisht të lodhshme.

Prandaj, presupozohet se kur shkojmë me pushime duhet të pushohet dhe jo të qëndrojmë gjatë gjithë ditës të angazhuar me lojëra verore, qëndrim në diell apo not, dhe gjatë natës nëpër klube të ndryshme me muzikë të fortë dhe argëtim deri në orët e para të mëngjesit.

Mund të themi se kjo është edhe një nga mënyrat më të preferuara për të rinjtë, se si ata i kalojnë pushimet

Dhe…pyetja e bezdisshme: Ku i kalove pushimet?

Pas kthimit nga pushimet, përveç problemeve me ambientimin në punë, na duhet që t’u kthejmë përgjigje kolegëve për çdo detaj të pushimeve. Kjo është stresuese për këdo që do të kthehet në jetën e përditshme, por pa fraza të shpeshta që i dëgjojmë si refren për të gjithë të sapoardhurit. Ja disa shembuj: “Ku i kalove pushimet? Me kë i kalove? Sa shpenzove? A ishte koha e mirë? etj. Ndërkohë që të gjithë janë të “vdekur” nga pagjumësia, lodhja, nervozizmi, të cilat janë të gjitha simptoma të kthimit nga pushimet. Në shumicën e rasteve ndodh për shkak të ndryshimit të klimës, apo të relaksit gjatë pushimeve dhe përditshmërisë së ngjeshur në punë. Megjithatë, psikologët ofrojnë disa këshilla për shmangien e këtyre shqetësimeve.

Mundohuni të ktheheni nga pushimet disa ditë përpara se të filloni punë në mënyrë që të mësoheni me temperaturat e ambientit dhe të ritmeve të qytetit. Nëse është e mundur, edhe punën niseni gradualisht. Në këtë mënyrë, do t’u duhet të shmangni edhe pyetjet. Miqtë, duhet t’i takoni para se të vini në punë dhe takimet me të njohurit mund t’i përfundoni po më përpara. Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për të fituar kohë në mënyrë graduale dhe për t’ju rikthyer punës pa emocione bezdie.

Share: