Nga Mentor Kikia
Kësaj makine sapo i janë zbërthyer mushkëritë në një ofiçinë në Tiranë. Blozë dhe baltë të zezë, që ka ardhur si pasojë e karburantit skandaloz që kompanitë na shesin çdo ditë.
Një litër nga kjo gjëja, që vetëm karburant nuk quhet, sot kushton 180 Lekë. Kostoja e shërbimit të makinës nuk llogaritet. Po kostoja e shëndetit tonë?
Sa prej kësaj bloze ne e kemi thithur dhe e kemi në gjak? Çfarë ka patur brenda ky karburant? Me çfarë kurajoje këta kriminelë na shesin të tillë llumra, duke na shkatërruar jetën? Dhe pale, edhe të padisin në gjykatë, kur i quan abuzues.
Unë e mirëprita dhe e përshëndeta publikisht deklaratën e ministres Balluku, kur tha se do të kontrollojmë tashmë edhe informalitetin cilësor të karburanteve dhe jo vetëm evazionin fiskal të kompanive.
Dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë tashmë, ndaj dhe po ju jap një provë të fortë të maskaradës që ndodh në këtë treg ujqërish të pamëshirshëm.
Mijëra tonelata naftë vergine, e Ballshit, që duhej të shkonte jashtë për përpunim, na është shitur këtu, si naftë importi, duke u përzjerë në çisterna.
Një kastë njerëzish janë pasuruar deri në paimagjinatë, duke na zhvatur jo vetëm paratë por edhe shëndetin.
Ky nuk është vetëm një krim financiar. Kjo është vrasje!
P.S: Të nderuar miq, meqë në protestë ne nuk dalim për këto gjëra, ju ftoj ta shpërndani këtë postim, si një formë proteste që të shkojë deri në zyrën e kryeministrit, për ta nxitur dhe mbështetur, në vazhdimin e asaj që ka nisur.