Pakti me Metën është frikshmërisht i pashmangshëm

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Ilir Meta është presidenti i rradhës së Republikës. U parashikua në fillim se nën të do të kishim një presidencë të paqme, realitet që presidenti aktual e shprishi qysh në ditët e para të emërimit ende pa u ulur në këtë poltron. Më vonë, kthimi i një pas njëshëm i dekreteve prej tij, që më shumë duket se ka penguar maxhorancën, në fakt e ka bërë edhe opozitën të konfuzohet shumë prej tij. Fillimisht prej ambiguitetit të figurës: një personazh i dyzuar me partinë e dytë të opozitës (LSI), që e ka drejtuar deri në ditët e fundit si lider partie, por edhe me paqartësinë për mbështetjen e Partisë kryesore të Opozitës. Mes dy figurave të saj, ai ka zgjedhur liderin historik Berisha, duke mbajtur  një distancë gjithsesi miqësore me kryetarin aktual Basha. Sa i përket marrëdhënies me kryeministrin Rama,  komplekset e të dyve ndaj hierarkisë së drejtimit të vendit kanë qenë të dukshme. I kanë shkaktuar vendit kokëçarje dhe të Majtës një goditje jo të vogël.

Gjithsesi vrulli i PS-së dhe parlamentarëve të saj për ta shkarkuar në shtator është më shumë se i vështirë, për të mos thënë i pamundur për arsyen e vetme se Ilir Meta ka ende shumë gjëra në dorë. Duke e pasur shumë mirë parasysh këtë, ai ka filluar qësëndisjen e PS-së dhe figurave të saj,  në një mënyrë që nuk i shkon ligjërimit klasik të presidencës, por edhe që tregon realisht se nuk është aq i kërcënuar sa besohet.

Tek e fundit,  Kuvendit të Shqipërisë, këtij aktualit i duhet një marrëveshje me Ilir Metën për funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke e filluar arsyetimin nga fillimi: Komisioni i Venecias do japë gjykimin e saj për çështjet e shtruara nga institucionet shqiptare dhe askush nuk mund të thotë se cili do të jetë ky sugjerim. Ndërkohë, KED (Këshilli i Emërimeve  në Drejtësi) këto ditë përfundon intervistat me personazhet që do të jenë pjesë në Gjykatën Kushtetuese. Janë nëntë anëtarë që e përbëjnë këtë trup në formën klasike, ndërsa kemi vetëm pesë vakanca deri më sot. Ligji shqiptar ia atribuon zgjedhjeve në këtë trup të tre kandidaturave që  vinë nga Presidenti, tre nga parlamenti dhe tre të tjerëve nga Gjykata e Lartë. Këtu kemi një kleçkë. Gjykata e Lartë, aktualisht, ka vetëm një anëtar. Tani, një ndërhyrje: KED-it i duhet pas shqyrtimit të procedurave për anëtarët e listuar të hartojë dy lista dhe pasi të votohet me shumicë votash nga ajo, të shkojë dhe të miratohet nga presidenti brenda 30 ditësh. Ai cakton renditjen e tre kandidaturave të para për Gjykatë Kushtetuese, kurse në rast të mos përgjigje prej tij, respektohet renditja e të parit të listës së KED. Gjyqtarët e Kushtetueses zgjidhen me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, por kësaj të fundit i duhet të presë zgjedhjet e presidentit për anëtarët.

E gjithë kjo procedurë i jep mundësi Metës të kërkojë një deal të pastër, pasi Gjykata Kushtetuese që mund të  ngrihet aktualisht me gjashtë anëtarët e saj (njëri rrezikon shkarkimin që në proces)të zgjedhur dhe që përbëjnë kuorumin e nevojshëm për vendime,  nuk mund të thuhet se është e prerë në shkarkimin e Metës, pasi për largimin e tij do duhen pesë votat e të gjithë anëtarëve. Me pak fjalë, Kuvendit do t’i duhet të ulet me presidentin për kandidaturat dhe të gjejë gjuhën për të ardhmen e tij, por edhe me fillimin e çprishjes së fillit të krizës shqiptare, që duket se fillon as më shumë e as më pak nga vetë ai, presidenti i vendit, një personazh që nuk jeton dot pa kriza…por edhe me eskursione patetike, që e kanë bërë pak si qesharak. (Javanews)

Share: