Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka drejtuar një apel të fortë opozitës. Në një postim në “Facebook” mëngjesin e sotëm Kreu i Shtetit shprehet se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje dhe se çdo gjë tjetër është alibi dhe bashkëfajësi.
Meta i sjell si shembull rastin e opozitës në Serbi pas luftës në Kosovës, ku u përball me regjimin e Millosheviçit, ndërsa shton se 18 tetori, data e vendimit për negociatat po afron.
“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra.
Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi.
Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 tetori po afron!”, shkruan Presidenti Meta.