Në botën e librave!

Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Shkruan: Blerina Morina

Është një pasdite e freskët vere e muajit të kaluar teksa po shëtisja sheshit të kryeqytetit dhe u ndesha si gjithë herë me kioskat e librave, andaj vendosa se kishte ardhur më në fund koha që të blija një libër të ri.

Pothuajse të gjitha librat që kisha lexuar deri më tani I kisha marrë në bibliotekën e tim eti, në atë publike të qytetit, dhe viteve të fundit isha lexuese e rregullt e bibliotekës së universitetit ku po ndiqja studimet.

Libra të vjetër antik që përfishinin të gjithë historinë e letërsisë greke, padyshim historinë e shkrimit dhe letërsisë së gjuhëve të huaja dhe shqipe, karakteristikë e librave të tim eti, dhe sigurisht të gjitha veprat e vjetra dhe më të rëndësishme të letëresisë botërore.

Isha njohur nga afër me të gjitha betejat famëkeqe të Uliksit dhe përpjekjet e shumta të Penelopes për të ruajtur fronin dhe dashurinë e tij, fuqinë e tmerrshme të parasë tek ‘Kopraci’ I Molierit, tragjedinë dhe fuqinë e hakmarrjes nga Shekspiri, nevojën për të vërtetën tek Hamleti, perlat boterore’Rubairat’ të matematikanit Khayam, dhe tashmë e dija se pse Hygo ishte babai I romantizmit dhe pse kishte shkruar për aristrokracinë dhe klasën e lartë françeze e angleze, megjithesë këtë e kisha më të qartë tek e ‘E kuqja dhe e Zeza’ të Stendal.

E kisha krijuar një ide se si funksion gjithcka, falë librit ‚Anna Karenina‘ të Tolstoit, adhuroja poezitë e Pushkinit, por e kisha të vështirë ti jepja të drejtë Tatjanës për letrën drejtuar Onjeginit.
Nga librat kisha mësuar për jetën e ‘shthurur’ të Zonjës Bovari, mund të isha ndonjëherë një Elizabetë idealiste e Xhejn Ostin, sepse të paktën e njihja jetën e fshatit dhe kisha pasionin e saj, megjithëse për vete kisha kuptuar se nuk doja një njeri si Darsi por ëndërroja për dashurine si ajo e Ravikut ndaj Xhoanës tek ‘Harku I Triumfit’, pa përfshirë karakterin e tij, andaj kisha fituar simpatinë time të pakufishme ndaj dy shkrimtarëve fatkeq dhe të brezit të humbur, Erich Maria Remark dhe Ernest Heminguej.

Akoma nuk e kisha kuptuar, megjithatë ngjashmërinë e shumëpërfolur të ‘Neveria’ nga Sartër dhe ‘I huaji’ të Kamy-s, përveq ekzistencializmit që i karakterizonte veprat e tyre. Për mua ‘I huaji’ ishte vepra më e thjeshtë dhe më e veshtira që e kisha lexuar. Kisha lexuar poashtu diku se autorin e ‘Neveria’ e quanin anije ndërsa Kamyn si varkë të kapur pas kësaj anije. Sa e vërtetë ishte ky pohim e kisha në plan të kuptoj vetë duke i rilexuar edhe njëherë të dy veprat. Ashtu si duhet të bëja edhe me Procesin e Kafkës.

‘Njëqind vjet vetmi më ka bërë shumë herë të qaj, ashtu si edhe Dashuria në koherat e kolerës dhe Marquez më ka njohur me një botë që nuk do ta njihja kurrë po të mos i lexoja librat e tij. Twain më ka shoqëruar gjatë fëmijërisë ashtu si ‘Bota e Sofias’ në adoleshencë. Librat e Hesse si Siddharta për mua janë udhtime drejt një universi të panjohur dhe Shopenhauer është një zgjedhje ideale për ngritje shpirtërore teksa rritem.

Letërsinë shqipe e kisha njohur nga lekurat shkollore që nga ‘Lulet e Verës’ të Naim Frashërit e deri ‘Lumi i Vdekur’ nga Jakov Xoxa. Kadarenë e rilexoja ndonjëhere dhe Kongoli ishte për mua një autor i shkëlqyer.

Kisha plot e perlplot libra të tjerë që I kisha marrë nga biblioteka dhe që I kisha lexuar aq furishëm sa I kisha marrë dhe që tani nuk arrij dot të i kujtoj të gjithë. Gjithë atë çfarë më duhej për të mësuar në jetë e kisha njohur më parë falë librave, kisha fituar mendime të çmuara ia kisha njohur fuqinë artit dhe isha ushqyer me të.

E di se vlera më e madhe që do ti mbetet njerëzimit ishin librat dhe pavarësisht revolucionit të sotëm të teknologjisë asgjë nuk do të mund të zëvendësonte ndjesinë që të pushton teksa shfleton faqet e një libri, ndjenjën kur e nënvizon atë që të tërheq, kthimi i një flete për ta rifilluar aty ku e le, kontakti pothuajse ndjesor që krijohet me librin e shtypur.

Dhe teksa po kërkoja për një libër të ri zgjodha Kunderën meqë isha njohur më të vetëm tek ’Lehtësia e papërballueshme e qenies’, një libër mjaft tërheqës që më krijoi ca pyetje që po përpicesha të gjeja përgjigje.

Sapo kisha përfunduar historinë e Sumirës nga Murakami, dhe mezi prisja të lëxoja nga ky autor, por zgjodha Kunderën se doja përgjigje si një fillim vere.

Po shqetësohesha për kohën që nuk do të mjaftonte të lexoja mbase të gjitha librat që po shihja në librari, dhe ndërsa unë kisha këtë shqetësim e dija se shumica nga bashkëmoshatarët e mi po përpiçeshin patjetër të merrnin aplikacionin e ri në celular.

Cfarë do të mësonin ata nga celularët përveq se për t’u siguruar të kryenin nivelet e fundit të të gjitha lojrave dhe të siguronin imazhet më të mira të fotografive?

Më në fund mora librin e ri teksa po mendohesha përse libraria nuk ishte e mbushur me moshatarë të mi dhe përse kishte një numër kaq të vogël lexuesish kudo në vend.

E kisha pranë titullin e librit dhe po thosha me vete: Epo ndoshta e bëjnë nga ‘Mosdija’

Share: