Një numër i madh prodhuesish do të jenë të pranishëm në fund të muajit në Barcelonë, ku do të mbahet panairi Mobile World Congress (MWC), gjatë së cilit do t’i prezantojnë produktet e reja. Shumë vëmendje do t’i kushtohet edhe telefonave 5G ndërsa shumë kompani do t’i shfaqin modelet e tyre, përcjell GSMArena.
OnePlus ka kohë që është duke e përmendur telefonin e vet 5G, ndërsa kompania tani ka zbuluar se prototipi 5G do të prezantohet me të vërtetë gjatë ngjarjes MWC 2019. Në këtë mënyrë, kompania do t’u ofrojë vizitorëve një pasqyrë për atë që pritet nga prodhuesi kinez gjatë vitit.
Tani për tani nuk dihet shumë për pajisjen me përkrahje 5G, por drejtori ekzekutiv i OnePlus, Pete Lau, më herët kishte theksuar se kompania po përpiqet të sigurohet që çmimi i pajisjes të jetë nën 1,000 dollarë. Kjo do të jetë arritje e madhe për OnePlus, pasi që konkurrenca si Samsungu do të ofrojë modele 5G me një çmim shumë më të lartë se 1,000 dollarë.