Tomas Man: Mërzia është “shpërdorim i kohës”

Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Mërzia është në vet aktin e të ekzistuarit. Njeriu tërë jetën e përshkon duke kërkuar kuptim, projekton qëllime dhe jeton në të ardhmen. Krejt kjo që t’i ikë përballjes me të tashmen.

Por kjo arratisje e njeriut nga e tashmja, nga çasti, nuk është asgjë tjetër veçse “shpërdorim i kohës”.

Këtë mesazh përpiqet të na jap shkrimtari gjerman Thomas Mann në romanin e tij “Mali Magjik”, që njihet si kryevepra e letërsisë gjermane.

Personazhi kryesor Hans Kastorpi, djali i një familjeje borgjeze në Gjermaninë e fundshekullit 19, me rekomandimin e mjekëve ndërmerr një udhëtim në malin magjik. Atje është i vendosur një sanatorium ku të sëmurë të ndryshëm përpëliten mes jetës dhe vdekjes.

Hansi, i mësuar me jetën mondane, në udhëtimin në malin magjik do të përballet për herë të parë me vdekjen. Në sanatorium shumica e të sëmurëve janë në prag të vdekjes dhe Hansi, i gjendur në këtë mes, do ta kuptoj për herë të parë anën tjetër të jetës.

Kur njeriu është pranë vdekjes ka një tjetër konceptim për kohën. Ai jeton në të tashmen, koha nuk matet më me ditë apo muaj. Disi humb sensi i kohës dhe njeriu humbet vetveten brenda një qarku metafizik.

Pas një kohe Hansi sëmuret edhe vet dhe i shtrirë në shtrat fillon përsiatjet mbi kohën dhe përjetësinë. Njeriu vetëm kur është pranë vdekjes e ndesh përjetësinë. Kjo i gjet edhe Hansit, personazhit kryesor tek “Mali magjik”.

Gjatë një bisede me Setembrinin, të sëmurin që në botën normale ka qenë letrar, Hansi përpiqet t’i shpjegoj këto mëdyshje lidhur me kohen dhe vdekjen.

Setembrini, një njëri i regjur nga vuajtjet e jetës, i thotë në një moment reflektimi Hansit:

“Kontakti i hershëm dhe i përsëritur me vdekjen ndihmon një zhvillim të tillë të shpirtit që e bën atë më të prekshëm dhe me të ndjeshëm ndaj ashpërsisë dhe mizorisë dhe, të themi, të cinizmit të jetës së përditshme.”

Mërzia sipas Manit mund të tejkalohet vetëm nga udhëtimet dhe të papriturat që na sjellë jeta. Nëse njeriu ka rënë në monotoni dhe çdo ditë është e njëjtë sikurse tjetra, ai e ka “shpërdoruar kohën” dhe mërzia është pasoja më e natyrshme këtu.

Siç do të kishte thënë Man “ne duhet në vazhdimësi ta freskojmë, rinojmë kohën”.

Më poshtë po e japim përsiatjen e Hansit mbi mërzinë dhe kohen:

“Ajo që quhet mërzi është në të vërtetë një shpërdorim morboz i kohës për shkak të monotonisë. Gjatë njëtrajtësisë së pandërprerë segmentet e mëdha të kohës tkurren në një farë mënyrë që e tremb zemrën për vdekje; në qoftë se një ditë është si gjithë të tjerat, atëherë edhe gjithë të tjerat janë si një ditë; kështu në një njëtrajtësi të përkryer edhe jeta më e gjatë do të përjetohej si tepër e shkurtër dhe do të kalonte pa u ndjerë. Ambientimi është një përgjumje apo mbase një zbehje e ndjesisë se kohës dhe në qoftë se vitet e rinisë rrjedhin më ngadalë, ndërsa jeta e mëvonshme rrjedh edhe nxiton gjithnjë e më shpejt, edhe kjo lidhet me ambientimin.

Ne e dimë shumë mirë se ndërrimi i zakoneve apo përvetësimi i zakoneve të reja është mjeti i vetëm për të qëndruar në jetë, për të freskuar ndjesinë tonë për kohën, dhe përgjithësisht për të rinuar, forcuar, ngadalësuar përjetimin tonë jetësor. Ky është edhe qëllimi i ndërrimit të vendit dhe të klimës, i udhëtimeve zbavitëse, kjo është edhe kënaqësia dhe shlodhja nga ndryshimet dhe ndodhitë.”

Thomas Mann, “Mali Magjik”
Përktheu Afrim Koçi

Përgatiti: Agon Sinanaj

Share: