Vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike firmosi një marrëveshje me artistët të cilët nuk duan prishjen e Teatrit Kombëtar, sot Presidenti Meta ka deklaruar se do të mbështesë kauzën e tyre dhe aplikimin që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë në organizatën “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Meta ka thumbuar edhe kryeministrin Rama, ku ka shpërndarë një video të tij kur kreu i qeverisë ishte në atë kohë ministër kulture dhe thoshte se duhen mbrojtur monumentet kulturore.
Sipas Metës videoja e Ramës konfirmon se ai vetë është në mbrojtje të këtyre çështjeve që prej 20 vitesh.
“Të dashur miq! Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh,
Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzaknshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja”,përfundon kreu i shtetit.