Testimet e informatizuara për punësimin e mësuesve të rinj në shkollat e arsimit parauniversitar do të vijojnë edhe përgjatë tre javëve të para të muajit gusht. Sipas listave të detajuara së fundmi nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, këtij testimi do i nënshtrohen mësuesit e matematikës, kimisë, biologjisë, fizikës, gjeografisë, historisë, informatikës, si dhe ata të artit pamor. Konkretisht bëhet fjalë për 1714 mësues të këtyre profileve, të cilët do të zhvillojnë fazën e dytë të konkurimit për lidhjen e një kontrate pune në shkollat 9-vjeçare, apo edhe gjimnazeve përgjatë vitit të ri mësimor 2019-2020.
Kushtet e testimit
Për të shmangur mbingarkesën, edhe për kandidatët e këtyre profileve testimet do të zhvillohen me tre turne gjatë ditës, si dhe në data e orare të përcaktuara për secilin profil. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e 1714 mësuesve që do të kalojnë në testim, ku për secilin prej tyre jepet data dhe ora se kur duhet të paraqitet në QSHA për të zhvilluar provimin. Në të kundërt nuk do të mund të garojnë më për vendet e lira të punës përgjatë këtij viti. Këta mësues duhet të presin garën e vitit që vjen për të hyrë sërish në konkurim. Ekspertët e kësaj qendre bëjnë me dije se provimet edhe për këta kandidatë do të ndjekin të njëjtat rregulla të zbatuara edhe për mijëra mësuesit e profileve të tjera që e kanë zhvilluar këtë provim gjatë këtij muaji. Testimi i informatizuar do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kandidati duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para orarit zyrtar të testimit. Në rregulloren e zbardhur bëhet e ditur se secili mësues duhet të paraqitet për të dhënë provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të. Ndërkohë që ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) bashke me kopjet e tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në drejtorinë përkatëse rajonale të arsimit. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar.
Përgatitja e mësuesve
Testimi i të gjithë kandidatëve do të jetë në përputhje me profilin e tyre lëndor, ku duan të ushtrojnë edhe profesionin e mësuesit. Krahas pyetjeve specifike mësuesit do të testohen edhe për njohuritë në lidhje me legjislacionin që vepron në fushën e arsimit. Teza e testimit të informatizuar do të ketë në përmbajtje rreth 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave do të vlerësohen me 70 pikë. Testimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Çka do të thotë se testimi do të fillojë dhe të mbarojë njëkohësisht për të gjithë kandidatët. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë automatike nga sistemi kompjuterik. Rezultati i tetit i shfaqet kandidati në monitor dhe mund të printohet direkt.
Lidhja e kontratave të reja të punës
Sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin e dikasterit të arsimit për emërimet e reja në arsim përgjatë 2019-s, bëhet e ditur se renditja e fituesve do të bëhet në përputhje me rezultatet e arritura në vlerësimin e dosjes dhe rezultatin e arritur në testim. Rezultati përfundimtar është shumatorja e pikëve të arritura nga kandidati në vlerësimin e dosjes dhe pikëve të fituara në testim. Renditja e kandidatëve të cilët kanë përfunduar të dy fazat e konkurimit fillon me kandidatin që ka më shumë pikë dhe vijon me rend zbritës për çdo profil dhe zyrë vendore. Kandidati që në renditjen e përgjithshme ka më shumë pikë ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe është i detyruar të konfirmojë edhe vendin e punës në zyrat arsimore vendore brenda 24 orëve nëpërmjet adresës elektronike. Në rast të moskonfirmimit nga kandidati ky pozicion pune i ofrohet kandidatit të listuar një rend më poshtë.