Teatri, Grida Duma: Beteja, e fituar vetëm me qytetarët

Aktualitet Kryesore

Partia Demokratike është rreshtuar që nga hera në krah të artistëve që protestojnë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ju si një ish-deputete e kësaj force politike, si mund ta përkufizoni këtë betejë të zgjatur prej një viti e gjysmë?

Jemi në kushtrimin e një pushteti jo autokratik, por diktatorial. Padyshim që ne e dimë shumë mirë që kur ka një aferë ekonomike gjigante, siç është kjo e 200 milionëve, Rama nuk ka ditur të ndalet. Ai ka përdorur të gjitha mjetet antihumane, antiligjore, antihistorike, antikulturore dhe antishpirtërore. Këtë betejë nuk kam se si mos ta përkufizoj si qëndresë dhe rezistencë, pikërisht ndaj pushtetit diktatorial.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së enjtes marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me artistët?

Padyshim që kishte ardhur momenti që Partia Demokratike të vendosej në pozita kontraktualiteti me të gjitha grupet përfaqësuese të shoqërisë. Çdo qytetar duhet të dijë se çfarë do ta presë në të ardhmen, nëse do të qeverisë Partia Demokratike. Marrëveshja e saj me aktorët e teatrit, padyshim momenti më absolut për kontratën e qartë dhe transparante me qytetarin shqiptar.

Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?

Artistët e Teatrit Kombëtar janë mbështetur dhe do të vijojnë të gjejnë mbështetje te Partia Demokratike. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Tentativat e Ramës me arrestime, burgosje tek ‘Astiri’, që s’janë veçse sinjale përkundrejt aktivistëve qendrestarë, mund të ndalen vetëm me një masivitet të madh njerëzish. Që të mbërrijmë në një përplasje finale, ku qeveria të heqë dorë nga projekti korruptiv, shoh si kusht kryesor mobilizimin e qytetarëve. Në fund të ditës, beteja bëhet për ta, që të mos mbeten pa gojë, sy, tru, e mbi të gjitha, pa zemër.

Share: