A do të mbijetojë Shqipëria?

Analizë Opinion

Nga Zamira Cavo

Po e them që në fillim për të gjithë ata “patriotë” (që kujtojnë se të thuash të vërtetën bën sakrilegj kombëtarë dhe të vërsulen jo për idenë por për cka të “përmban fisi”), se ky titull është analizë e cila mund të hidhet poshtë nga cilido, por me FAKTE.

Dikur Konica shkruante: Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).

A ka “vdekur” nga pak në histori Shqipëria jonë?  Sigurisht. Dikur ilirët ( që i konsiderojmë pararadhësit tanë) shtriheshin në pjesën më të madhe të Ballkanit të sotëm. Më vonë nën sundimin Osman, trojet shqiptare humbën kufijtë fizik por ruajtën gjuhën si elementin e vetëm identifikues. U mblodhën brënda “guackës” së tyre duke e reduktuar “atdheun” në sopëzën e tokës që i përkiste. Trimërinë e guximin nuk e shfaqën kurrë në ruajtjen e së tërës Arbëri, Albani Shqipëri, por u bën mish për top nën ushtritë  e huaja për të zgjeruar territoret e të tjerëve dhe jo për të bashkuar territoret e veta!

Dhe kur erdhi puna për pavarësi sërish u deshën të huajt të na marrin në mbrotje duke na gjymtuar edhe më shumë fizikisht. Sot Shqipëria është një pikë në hartë dhe jashtë kufijve të saj fizik gjenden trojet e dikurshme që kanë ndrruar emrat dhe që sot na qëndrojnë përballë në histori si për të na thënë “Nuk ishit të zotë të na mbronit”. Pra Shqipëria është rrudhur në maksimumin e vet fizik. Aryset janë ato të stërthëna :

-Individualizmi ekstrem i shqiptarit, që buron nga mënyra e jetesës së tij në fise, klane e familje të mëdha jashtë komunikimit social e pale politik!

-Mungesa e një udhëheqësi(Lideri) që të siguronte bashkimin dhe qëndresën e shqiptarëve përballë stuhive të kohës. Skënderbeu mbetet I vetmi burrë që arriti ta bëjë këtë bashkim sa ishte gjallë! (Dhe Skenderbeu u rrit dhe u edukua jo në trojet e veta). Lideri, për shqiptarin, ka qenë i pari i fisit që i mundësonte jetën dhe “clironte” nga të marrurit vendim. Në historinë tonë, të vjetër dhe të re, Lideri është “prijësi” të cilit i bindemi me sytë mbyllur, pa u lodhur të kuptojmë vendimin e tij dhe pa patur as dëshirën më të vogël për ta gjykuar!

-Në postpavarësi elita politike shqiptare shpesh gjysmake në formimin e saj kulturor e politik, nuk u përpoq asnjëherë për vendin dhe të ardhmen e tij dhe pse “shiti” patriotizëm me “okë”! Kjo bëri që edhe kur fituam pavarësinë shqiptari ta shikonte të ardhmen e tij jashtë vendit. Filozofia “Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë” e ka zanafillën që në atë kohë. Sepse kurrë nuk u morën vesh për Shqipërinë as Esad Pasha me Ismalil Qemalin e as Fan Noli me Ahmet Zogun.

-Vetëm në kohën e Enver Hoxhës, dhe rrethimit me tela të vendit, shqiptari u “fut” në vathë për të mësuar të punojë, por të mos mendojë. Kjo i pëlqeu aq kohë  deri sa kuptoi se varfëria po i zinte frymën. Por edhe atehërë nuk ishim të zotët të vepronim nëse të huajt nuk do na kishin orjentuar, sikundër dëshironin ata për qëllimet e tyre. Regjimi “komunist” ra sepse vetë ai sistem nuk mundej më të vazhdonte më, pra ishtë kalbur nga rrënja, por “inspiruesit” që frymën e merrnin nga demokracia e tjetërkujt, nuk ditën, nuk donin apo nuk mundën, të vënë më mbi t ë gjitha  interesat Shqipërisë. Ndaj dhe vendi shkoi edhe më keq!

-Për 30 vite elita politike shqiptare e ka shitur vendin pjesë pjesë ; në nëntokën dhe mbitokën e saj. Kjo e ka rrudhur Shqipërinë edhe më shumë. Mbas disa dekadash të huajt që kanë blërë pasuritë tona apo që kanë marrë koncensione  të copavë të tokës sonë, do ti ndrrojnë emrat dhe në një botë globaliste Shqipëria rrëzikon të mbetet konvencion . Sepse “elitat” tona politikë vazhdojnë të kërkojnë pushtet për tu pasuruar dhe jo pushtet për të vepruar n ë favor te vendit!!

-Sot paga mesatare në Shqipëri është më e ulta në Europë dhe as më vendet e Rajonit nuk krahasohet. E ardhmja ekonomike është  e  mjergullt për shkak t ë  politikave te mbrapshta publikë të ndërmarra nga qeveritë në këto 30 vitë. Kjo e bën të pasigurt jetesën në vënd. Ndaj dhe të rinjtë ikin dukë e rrudhosur Shqipërinë tashmë në elementin demografik.

Profecia e Konicës që gjithnjë i kemi thënë “larg qoftë” duket sikur troket pas derës jo larg disa dekadave. Shqipëria po zvarritët për mbijetësën e saj. Politika ia ka zënë aq keq frymën sa prognozate zymta ekonomike  shqiptarit nuk i bëjnë më përshtypje. Ai e ka ndarë mëndjen të “iki” nga sytë këmbët me shpresene një jete më të mirë.E ndërsa “patriotët” bërtasin për Shqipërinë e madhë që do realizohet një ditë , Shqipëria zvogëlohët cdo ditë dukë marrë frymë me vështiresi..

Nëse e doni Shqipërinë tregohuni më së paku qytetarë të mirë! Shqipëria nuk ka nevojë për shqiptarë “patriot”, Shqipëria ka nevojë për qytetarët e saj që dinë të sillen si të tillë ,përballë politikës së shitur e primitive!

Kur ta kemi kuptuar këtë do jetë vonë!

Share: