Rama, drekë me Erdoganin në brigjet e rivierës turke : Vizitat e “mistershme” të kryeministrit në Turqi

Politikë

Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë në Turqi, ku është takuar edhe me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

Takimi me Erdogan është zhvilluar në rezidencën e Marmaris, qytet në brigjet e rivierës turke.

“Në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, shkruan kryeministri.

Ende nuk ka detaje nga temat që kanë diskutuar Rama dhe Erdogan.

Takimi i kryeministrit shqiptar me kreun e shtetit turk vjen pak ditë pas takimit Meta-Erdogan në Bosnje-Hercegovinë, në kuadër të samitit të SEECP.

Rama-Erdogan, vizitat e “mistershme” të kryeministrit në Turqi

Nëpërmjet një publikimi në ‘Instagram’, kryeministri Edi Rama njofton sot se është takuar me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në rezidencën e Marmaris. Kjo është takimi i parë për këtë vit midis Ramës dhe Erdogan, ndërkohë që gjatë 2018-ës ata kanë zhvilluar disa të tilla.

Që kur erdhi në pushtet në 2013-ën, Qeveria e kryeministrit Rama ka thelluar bashkëpunimin me Turqinë, ndërkohë që marrëdhëniet miqësore Rama-Erdogan janë forcuar edhe më shumë.

Ajo çka vihet re vitet e fundit është se takimet midis liderit shqiptar dhe atij turk janë zëvendësuar nga takime zyrtare në takime jo-zyrtare, ku në një pjesë të tyre nuk dihet se çfarë është diskutuar.

Bazuar në kërkimet në faqen zyrtare të Kryeministrisë së Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar vizitë zyrtare në Turqi për herë të fundit në 29 qershor të 2016-ës. Në atë kohë, Rama u takua me të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore të Turqisë, përfshirë Erdoganin, si dhe zhvilloi konferencë për shtyp me homologun Binali Yıldırım.

Ndërkohë që takime të shumta janë zhvilluar tre vitet e fundit midis Ramës dhe Erdogan, por ato kanë qenë jo-zyrtare dhe pa shumë detaje për temat që janë diskutuar.

Më 22 mars të 2018-ës u njoftua për një darke pune Rama-Erdogan në rezidencën në Stamboll dhe Ambasada shqiptare në Ankara deklaroi shkurtimisht se në dy liderët kishin diskutuar për aeroportin e Vlorës dhe ‘Air Albania’.

Më 9 korrik të të njëjtit vit, Rama u nis sërish drejt Turqisë për të marrë pjesë në betimin e Erdoganit si president i vendit.

Rreth 6 muaj më vonë, më 8 dhjetor, kur Shqipëria ishte në ‘ethet’ e protestës masive studentore, mediat turke raportuan për një vizitë ‘blic’ të Ramës te Erdogan. Asnjë informacion nuk u dha për këtë takim.

Edhe në takimin sotëm Rama-Erdogan është ndjekur e njëjta praktikë, ai nuk ishte zyrtar, nuk ishte lajmëruar më parë dhe nuk ka detaje për çfarë është diskutuar.(TCH)

Share: