Ditët e freskëta të fillim korrikut do t’ia lënë vendin të nxehtit afrikan që pritet të pushtojë sërish Europën. Sinoptikanët paralajmërojnë rikthimin e temperaturave ekstreme në pjesën më të madhe të kontinentit.
Agjencia franceze e motit, Meteo France, njoftoi se vala e dytë e të nxehtit pritet të vijë në fillim të javës së ardhme, teksa termometri do të arrijë në 35 gradë Celcius, për të pësuar rritje fundjavën e ardhshme kur pritet të shkojë mbi 40 gradë Celcius.
Krahas Francës, që gjatë valës së parë preku rekordin kombëtar të temperaturave 45.9 gradë, i nxehti pritet të godasë vendet iberike, por edhe Gjermaninë, Austrinë dhe vendet e Lindjes.
Nga ana tjetër, meteorologët thonë se këto janë efekte të ngrohjes globale dhe shkrirjes së akujve në Arktik, të cilat kanë shkaktuar një efekt të quajtur rezonanca e valës planetare, që prodhon mot të pazakontë thuajse të gjithë globin.