- Të interesohesh për problemet e të tjerëve
Tregohuni i gatshëm për miqësi, harrojeni veten tuaj dhe mendoni vetëm për të tjerët. Vetëm në dy muaj duke u interesuar për të tjerët, do të krijoni shumë më tepër miq se sa në dy vjet, duke pretenduar që të tjerët të interesohen për ju.
Nëse duam të bëjmë miq të vërtetë nuk duhet të fillojmë duke pretenduar që ata të interesohen për ne dhe për punët tona. Napoleoni, që u soll në këtë mënyrë, i tha Xhuzepinës: “Xhuzepina, në këtë botë kam qenë me shumë fat; megjithatë në këtë moment, personi i vetëm që mund t’i besoj, je ti.” Dhe historianët nuk janë të sigurtë nëse edhe ajo ishte e besueshme…!
Psikologu i famshëm Alfred Adler, thoshte:”Individi që nuk interesohet për të tjerët, has në jetë vështirësi të mëdha, dhe është ai, që dështon më shpesh në qëllimet e tij.”
- Të buzëqeshësh
Për të rënë në sy, në një darkë zyrtare, një zonjë kishte shpenzuar shumë para për peliçe dhe xhevahire. Por nuk i kishte vënë rëndësi fytyrës së saj, që shpehte gjithë egoizmin dhe karakterin e saj të keq. Dhe të gjithë e dinë që shprehja e fytyrës së një gruaje është më e rëndësishme se rrobat që ajo vesh.
Karl Shvab thoshte që buzëqeshja e tij vlente një milion dollarë dhe me siguri kishte të drejtë. Suksesi i tij i jashtëzakonshëm, i dedikohej kryesisht dashamirësisë dhe personalitetit të tij ku buzëqeshja e tij luante një rol të rëndësishëm.
Buzëqeshja flet më tepër se një mijë fjalë. Dale Carnegie në librin e tij “How to win friends and influence people” shkruan se nuk bëhet fjalë për ato buzëqeshje false, stereotipe, por bëhet fjalë për buzëqeshjen spontane, miqësore që pushton zemrat.
Përshëndesni miqtë dhe të njohurit me një buzëqeshje.
- Të kujtohesh që për një njeri emri i tij/i saj është tingulli më i ëmbël dhe më harmonik i të gjithë njerëzimit
Në përgjithësi njerëzit interesohen më shumë për emrin e tyre se sa për gjithë emrat e tjerë së bashku. Nëse e thërrisni një person me emrin e tij, ai do t’ju jetë mirënjohës dhe do të kërkojë të jetë i dobishëm për ju.
Për një njeri, emri është tinguli më i bukur dhe më i rëndësishëm për të.
- Të jesh dëgjues i mirë, të inkurajosh të tjerët që të flasin për veten e tyre
Të gjithëve na pëlqen të flasim, kur e dimë që po na dëgjojnë.
Ajo që duhet bërë është që t’i kushtosh vëmendje maksimale personit që flet. Nuk ka asgjë më të mirë se kjo! Nuk është e nevojshme që të kesh diplomë universitare për ta kuptuar.
Edhe personi më i egërsuar, më qaraman, më kritik i kësaj bote, qetësohet kur ka përballë një person që di ta dëgjojë me qetësi dhe në heshtje, ndërsa nxjerr helm nga të gjitha poret e trupit. Por nuk është e lehtë të gjesh një dëgjues të mirë.
Nëse doni që njerëzit t’ju përçmojnë, mjafton të flisni pa pushim për veten tuaj. Ndërpriteni bashkëbiseduesin dhe deklaroni me zë të lartë idenë tuaj. Dhe fatkeqësisht ka shumë njerëz që sillen kështu.
- Të dish të ngjallësh interes te bashkëbiseduesi
Të gjithë ata që janë pritur nga Teodor Ruzvelti, kanë mbetur të çuditur nga njohuritë e shumëllojshme dhe të thella të presidentit. Ai dinte të sillej mirë me të gjithë ata që shkonin ta takonin: fshatarë, artistë apo diplomatë. Po si arrinte ta bënte këtë? Sa herë që priste një vizitor, ai harxhonte kohë për të mësuar disa gjëra, që mendonte se mund t’i interesonin mysafirit të tij.
Flisni me bashkëbiseduesin tuaj për tema që atij i interesojnë.
- Të bësh që të tjerët të besojnë se janë personazhe të rëndësishëm
Bëjuni të tjerëve atë që do të donit që të tjerët të bënin për ju!
Nuk është e nevojshme të presim që të bëhemi të rëndësishëm për të filluar të përdorim këtë rregull të vogël filozofik. Ai mund të vihet në praktikë në jetën e përditshme.
Fraza të tilla të thjeshta si: Më falni për shqetësimin, A do të ishit kaq i sjellshëm, Të lutem, Faleminderit, kontribuojnë që të vënë në lëvizje, pa tronditje, monotoninë e jetës së përditshme. Ato gjithashtu janë shenja të një edukate të mirë.
Çdo komb ndjehet superior ndaj të tjerëve dhe nga kjo ndjenjë lind patriotizmi dhe luftrat.
Për të arritur në zemrën e një njeriu, bëjeni të kuptojë sinqerisht që ia njihni superiotetin.
Emersoni thoshte”Çdo njeri është në diçka superior ndaj meje dhe unë mund të mësoj diçka prej tij”.