Mblidhet Komisioni Hetimor për Metën, Manja: 3 muaj hetim të plotë

Aktualitet Kryesore Politikë

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mblidhur këtë mesditë në mbledhjen e parë, për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve socialistë.

Ky komision do të vendosë për shkarkimin ose jo të Kreut të Shtetit, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të anuluar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore.

Në mbledhjen e parë, kreu i komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se për një periudhë 3-mujore do të bëhet një hetim i plotë mbi vendimin e Metës, i cili më pas do t’i dorëzohet Kuvendit për veprime të mëtejshme.

“Qëllimi i ngritjes së tij është i njohur, unë po shfrytëzoj rastin dhe po lexoj vendimin e kuvendit të Shqipërisë: Ky komision hetimor ka për qëllim të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Ky komision ka për detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga presidenti i Republikës, të verifikojë pasoja e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera.

Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij konstatohet se sjellja e tij në lidhje me procedurat e ndjekura, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra. Ky komision referuar saktësisht vendimit 84, për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë për t’i paraqitur Kuvendit një raport përfundimtar. Ky është edhe deklarimi i komisionit hetimor i përcaktuar në vendimin dhe komisioni është i detyruar t’i rrijë strikt”, tha Manja.

Pas dekretit të Metës, disa deputetë të Partisë Socialiste kërkuan ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit.

Kërkesa e tyre u miratua në Kuvend, gjatë seancës të së hënës, me 101 vota pro dhe 6 kundër.

Socialistët kërkojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke dekretuar 13 tetorin si datë për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

Share: