Pas lëkundjeve të forta të shënuara sot në Korçë, është mbledhur Shtabi i Emergjencave. Gazetarja Lorena Kodra raporton për “Balkanweb” se Shtabi i Emergjencave u mblodh sot pasdite.
Raportohet se dëmet e shkaktuara janë të mëdha. Dëmi më i madh është bërë në fshatin Flloq. Rreth 50 shtëpi janë dëmtuar rëndë dhe banorët nuk lejohen që të rrinë akoma në banesa. Të njëjtin mendim ndajnë edhe ekspertët.
Bëhet me dije se banorët e fshatit Flloq janë traumatizuar. Ndërkaq, bashkia dhe institucionet kanë marrë masa pas tërmetit që tronditi jug-lindjen e vendit. Forcat e armatosura kanë dërguar një numër të caktuar çadrash. Banorët do të pajisen me çadra përpara se të errësohet. Pikërisht çadrat do shpërndahen edhe në Qafë –Zezë.
Mjediset publike në fshatin Flloq, si shkolla dhe lokali i fshatit janë vënë në dispozicion të fëmijëve, që ata të strehohen. Janë ofruar po ashtu paketa ushqimore të çastit.
Prefekti Dhori Spirollari deklaroi se Bashkia Korçë ka marrë masa pas rënies së tërmetit.
“Bashkia e Korçës të marrë masa për ujin e pijshëm. Të gjithë elementët e tjerë që duhet t’u vijmë në ndihmë. Nëse do na duhen vullnetarë, rinia korçare të vijë në ndihmë të vënies së çadrave”, tha Spirollari.
Ndërkohë, gjendja e njëjtë paraqitet edhe në Bashkinë e Kolonjës. Në qytet nuk ka pasur probleme, ndërsa në njësinë administrative Mollas ka pasur dëmtime, kurse probleme ka edhe në fshatin Qafë – Zezë, ku janë dëmtuar 30 shtëpi.
Ndërkaq, ndërtesat e reja nuk kanë pasur probleme, por njerëzit sërish janë në panik. Njerëzit thonë se janë në panik e presin ndihmë.
Në lidhje me situatën, ka folur edhe nënkryetari i Bashkisë së Kolonjës Gjergji Qiriazi.
“Me probleme paraqitet edhe Selenica. Në fshatin Butkë janë dëmtuar 5 shtëpi, kurse në fshatin Rehovë janë 15 raste të dëmtimeve të banesave, të cilat më së shumti kanë pësua plasaritje. Kurse, në 7-8 fshatra ka dëmtime në kabinat elektrike. Po shohim situatën nga afër dhe po marrim masa”, tha Qiriazi.