Kosovarët kanë një fat të keq 20 vjet pas Luftës kundër Serbisë, që u dha lirinë e shumë pritur, pasi i nxori gati të traumatizuar nga një aksion ushtarak, ku u përdor masivisht ushtria dhe forcat paramilitare të Beogradit. Liria nuk u pagua vetëm me gjakun e shumë të pafajshmëve por edhe me traumën e madhe psikologjike, që sot është ngulfatur. Në kohë të caktuara, kangjellat e parlamentit kosovar janë të mbushur me imazhet e fatkeqëve për të cilët nuk dihet asgjë. Nuk kanë varr, nuk dihet si janë zhdukur, nuk dihet pse duhet të eliminoheshin. Nuk dihet…Nuk dihet… Anipse viktimat nuk janë por xhelatët janë të gjallë, madje shumë të akuzuar të Luftës japin mësim lirisht në Akademitë e Beogradit, kurse deri lidërshipi i parë serb mëton se edhe Sllobo ishte një lider i vërtetë por që pati pak gabime…(!). Ato ‘pak’ gabime për Serbinë u konvertuan me varre ngado në ish-Federatën e Republikave të Bashkim-Vëllazërim. Serbët e sotëm duket se e kanë braktisur pak dhunën pasi në vend të tyre janë të tjerë që po e mbajnë gjallë atë. Zyrtarët e tyre. Dhe, madje, fare pacipërisht deri në sytë e Evropës. Prova më e qartë ishte kryeministrja serbe Ana Brnabiç, në konferencën e shtypit me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, duke shpjeguar zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, pati kurajë cinike dhe aspak diplomaci të fyejë rëndë shqiptarët e Kosovës, duke thënë se: “keni punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson”.
Se çfarë e shqetëson kryeministren serbe nuk dihet tamam përveç faktit që dhuna fizike tashmë është një dhunë mirëfilli cinike verbale. Në një farë mënyre kjo të kujton shprehjen e famshme të Xhorxh Oruell: “Ata që duket se e ‘abdikojnë’ dhunën e bëjnë këtë vetëm sepse të tjerët po bëjnë dhunë në emër të tyre”. Nuk është e vështirë ta kuptosh se çfarë ndodh sot. Gjuha e Serbisë është ashpërsuar në një formë që tregon se urrejtja për shqiptarët është konstante dhe i është lënë parlamentit ta artikulojë. Të mjafton t’i dëgjoje në seancën e fundit të parlamentit për të kuptuar realisht qëndrimin serb ndaj Kosovës. Por kjo nuk habit më, kurse për mendimin e kthjellët ajo është kthyer në një demagogji pak qesharake. Mes Kosovës dhe Serbisë ka vija të kuqe që i mbron politika amerikane garantuese e paepur e kësaj demokracie dhe NATO.
Po mund të kotet Kosova dhe të jetë e qetë?! Në asnjë mënyrë jo. Lidërshipi i fjetur kosovar, që e ka gjetur argumentin serb si shkaktar të gjithë problemave nuk mund të tolerojë dhunën dhe padrejtësinë që po bëhet institucion në vetë Kosovë. Dhuna e Kosovës është nga skandalet e mëdha politike, por të tmerrshme mbeten dhuna dhe vrasjet. I tmerrshëm është momenti i pak orëve më parë, kur para të gjithë qytetarëve, iu vërsulën një gruaje rome që “po vidhte fëmijë”. Gjuha e urrejtjes, që vesh politikën kosovare është përcjellë tek turma amorfe, duke përfunduar në linçim publik ndaj një të pafajshme në forma që të kujtojnë rrahjet publike ndaj popujve me ngjyrë. Këto pamje nuk ishin shumë të largëta me ato që nxjerrin për ditë politikanët e Kosovës për njëri-tjetrin ose ato cinizmat që përdoreshin gati si normë në rastin e skandalit “Pronto”. Në një farë mënyre shoqëria e sotme kosovare po sillet në mënyrën sesi trajtohet nga njerëzit e saj, bash ata që zgjodhi t’i drejtojë në liri, porse i kanë dhuruar dy dekada dhimbje koke pa fund.
Shoqëria kosovare është e mbushur me sterotipe por edhe paragjykime të gjitha llojeve, fakt që bën me dije se ajo kërkon dekada të emancipohet e që ende i duhet shumë të kalojë traumat sociale dhe të shtrojë rrugën e re në demokraci. Ndaj, qoftë edhe para se të flasin për mllefin e pajustifikuar të kryeministres serbe duhet të merren me demonë që i mbajnë të ngërthyer në vete. “Njerëzit përgjigjen në mënyrën se si i lidhni me ta. Nëse i afroheni me dhunë, atëherë ata kështu do të reagojnë. Por nëse thoni: “Ne duam paqe, duam stabilitet”, atëherë mund të bëjmë shumë gjëra që do të kontribuojnë drejt përparimit të shoqërisë sonë”, u thoshte dikur Mandela, bashkëqyetarëve të vet të ndërkryer.
Kur të heqin këto demonë, që kanë zenë vend në Kosovë, atëherë lajthitje të zyrtares serbe dhe të zyrtarëve të tjetër do të shkërmoqen, por në mënyrën sesi veprojnë kosovarët hera herës të kujtojnë se kanë shumë premisa të bëhen si ata, në një kah tjetër. Dhe, ky është realisht lajm i keq…për vetë Kosovën. (Homo Albanicus)