Bluza e Edi Ramës dhe “veshi i shurdhët” i ambasadorëve

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Tashmë Edi Rama ka marrë një angazhim “me shkrim” për respektimin e datës 30 qershor, si ditën kur do të votohet për qeverisjen lokale në Shqipëri. “PS30” është mbishkrimi në bluzat e fushatës që ai sapo ka publikuar në rrjetin social, si për t’i treguar palës përballë (por edhe për të detyruar veten indirekt nga ndonjë tundim i rastit), që në 30 qershor në Shqipëri do të ketë zgjedhje. Votime apo zgjedhje, pak rëndësi ka, nëse dëgjon ambasadorin italian Kutilo, i cili i deklaroi televizionit publik se “për mua këto zgjedhje janë legjitime. Zgjedhja për të mos marrë pjesë është një zgjedhje personale, që duhet respektuar, por që nuk i bën të pavlefshme këto zgjedhje. Nga kjo situatë demokracia nuk del e ekzaltuar, por as e poshtëruar”. Kushdo që ngre me të drejtë pyetjen se çfarë zgjedhjesh mund të jenë ato që mbahen pa njërën palë, le të lexojë formulimin e përzgjedhur me kujdes nga diplomati italian: një demokraci as e ekzaltuar, as e poshtëruar…

Në ditën kur Tirana ka marrë lajmin se Komisioni Evropian ka rekomanduar për të dytin vit rradhazi dritën jeshile për hapjen pa kushte të negociatave të anëtarësimit me vendin tonë, çeshtja e krizës politike dhe e zgjedhjeve në horizont ka hyrë natyrshëm në pyetjet e medias, gjatë ceremonive ku është shfaqur ambasadori i Komisionit Evropian Soreca. Edhe ai, si kolegu i tij, italiani tjetër Kutilo, ka dhënë përgjigje të ngjashme kur është pyetur për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve.

Soreca ka vënë në dukje se deri më sot ka qëndrime individuale deputetësh apo politikanësh të veçantë që kanë bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, por qëndrimi zyrtar i BE mbetet ai i zv.presidentes në dalje të Komisionit, Mogerini. E cila la të nënkuptohet disa javë më parë në Tiranë, se nuk do të ketë kërkesë për shtyrje zgjedhjesh, por vetëm ftesë për dialog të pakushtëzuar.

Në sfondin e këtij veshi të shurdhët ndaj kërkesave ngulmuese të opozitës për mosmbajtje të zgjedhjeve dhe ikje të kryeministrit Rama, qëndron një tjetër sinjal i qartë shpërfillës, kësaj rradhe nga Berlini. Aty ku ministri gjerman për çështjet europiane Roth ka hequr të dyja dorezat dhe ka nisur një grusht të thatë në një drejtim mëse të lexueshëm. “Në Shqipëri situata duket, në pamje të parë e ndërlikuar. Kjo për arsye se opozita ka arritur të prodhojë pamje dramatike – në vend që të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në garën politike të ideve në Parlament. Kjo politikë obstruktive dhe e papërgjegjshme nuk mund mbulojë gjithë atë që vendi ka bërë”, ka shkruar ai për shtypin gjerman.

Duke dhënë një mesazh tjetër dekurajues për të gjithë ata që mendojnë se 30 qershori do të jetë një ditë molotovësh, e jo një ditë votash.

Në Europë janë lodhur me sherret shqiptare. Janë lodhur gjithashtu edhe me nyjet gordiane të ndërtuara nga duart e klasës tonë politike, enkas që askush në botë të mos jetë i zoti t’i zgjidhë. Në Bruksel, Berlin e Uashington janë lodhur me natyrën sa unikale, aq edhe absurde, vulgare dhe jashtë logjike, të lëmshit 30 vjeçar shqiptar, që prodhon situata krejt paimagjinueshme, ku rrinë bashkë tragjikja me komiken.

“Të kërkojmë shtyrje të zgjedhjeve, është si të kërkojmë të ndryshohet Kushtetuta”, deklaroi para pak orësh deputeti i djathtë gjerman Haupman, si për të provuar se edhe ai, si shumë të tjerë në Evropë, nuk janë më të gatshëm të ndjekin cic-micet e një vendi që prodhon shumë më tepër histori sesa mund të konsumojë. Siç shkruante dikur për rajonin një kryeministër i famshëm britanik./javanews

Share: