Toleranca represive

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli 

Askush nuk duhet të diskriminohet. Por po aq e rëndësishme është të mos ketë milici të mendimit. Mbi një çokollatë “raciste” zvicerane dhe sulmet kundër shkrimtares Joanne K. Rowling, e cila e ka shpikur Harry Potterin

Duhet të jemi tolerantë. Ndaj atyre që mendojnë ndryshe (për aq sa mendojnë dhe nuk e diskualifikojnë veten me fyerje). Duhet të jemi tolerantë ndaj atyre që nuk hanë mish. Duhet të jemi tolerantë ndaj atyre që kanë identitet tjetër intim. Pra, duhet të jemi tolerantë ndaj homoseksualëve. Duhet të jemi tolerantë edhe ndaj grave që bartin shami (përkundër faktit se shamia në shumë shoqëri është simbol i shtypjes së grave dhe një copë tekstil që keqpërdoret nga burrat për dominim shoqëror). Duhet të jemi tolerantë edhe ndaj zezakëve, aziatikëve, afrikanëve dhe arabëve. Duhet ta respektojmë dinjitetin e secilit. Kurrë nuk ka mjaft barazi. Andaj duhet protestuar kundër pabarazisë e diskriminimit. Këtë na e bëjnë të qartë edhe demonstratat e fundit në shumë vende perëndimore dhe në SHBA pas krimit policor ndaj një zezaku.

Por në debatet për barazinë ka diçka që nuk shkon. Për shembull: nuk mund të tolerohet një milici e mendimit, e cila pothuaj pas çdo gjëje sheh një tendencë raciste. Në dhjetor të vitit të kaluar në Zürich iu ndërrua emri lokalit të njohur “Café Mohrenkopf”. Fjala e vjetër gjermane “Mohr” domethënë zezak. “Mohrenkopf” quhen edhe disa çokollata të pëlqyera jo vetëm nga fëmijët. Fjala “Mohrenkopf” mund të përkthehet në shqip si “kokëzezaku”. Një “komitet kundër ëmbëlsirave raciste” bëri thirrje që t’i ndërrohet emri lokalit, dhe kjo u bë për hir të “korrektësisë politike”.

Pasi policia gjuhësore arriti këtë sukses, tani, pas debateve lidhur me racizmin në SHBA, punët i ka keq edhe çokollata “Mohrenkopf”. Rrjeti i dyqaneve ushqimore zvicerane “Migros” e ka hequr nga raftet e shitjes çokollatën “raciste”. “Mohrenkopf” prodhohet nga firma zvicerane “Dubler”, e cila ka refuzuar t’ia ndërrojë emrin, me argumentin se problem më i madh është plaçkitja e Afrikës që bëhet prej shekujsh dhe jo një emër që, sipas pronarit Robert Dubler, nuk e poshtëron, por e lartëson zezakun. “Për një prodhim cilësor nuk do të përdorja një emër të dorës së dytë”, thotë Dubler dhe ky mendim i tij meriton së paku pak vëmendje. Por nga milicia e mendimit nuk duhet të pritet vëmendje, kjo milici shquhet për tolerancë represive. Mjafton që dikush të dalë në Twitter dhe të thotë se po ndihet i fyer apo i diskriminuar nga një fjalë e caktuar dhe pastaj fillon i ashtuquajturi “Shitstorm” në platformat digjitale: “Industria e barazisë” vihet në aksion kundër keqbërësit. Qoftë ky edhe një prodhues çokollate nga provinca zvicerane.

Një çmim të shtrenjtë e ka paguar edhe prodhuesi i çokollatës “Läderach” nga Glarusi i Zvicrës. Pronari i “Läderach” është kundërshtar i rreptë i homoseksualëve dhe i abortit. Për idetë e tij të zymta Jürg Läderach organizon edhe protesta. Natyrisht që këto ide të Läderach duhet të hidhen poshtë. Por a duhet të bojkotohen edhe prodhimet e firmës së tij, që ua siguron ekzistencën dhjetëra punëtorëve? Pikërisht kjo ka ndodhur: nën presionin e lobit të homoseksualëve dhe dashamirësve të vetëshpallur për të drejtat e pakicave, kompania ajrore zvicerane “Swiss” ka vendosur të përfundojë bashkëpunimin me firmën “Läderach” dhe të mos ua shpërndajë pasagjerëve çokollatat e vogla me logon “Läderach”.

Në Basel furra “Sutter-Begg” ia ka ndërruar emrin një ëmbëlsire. Ajo quhej “Meitlibei” (që i bie: këmba e vashës) dhe e ka pagëzuar me emrin e ri: “Glücksbringer” (“Fatsjellësi”). Me gjasë fjala “Meitlibei” zgjonte mendime të pista, ndonëse kjo fjalë gjendet në inventarin e “Trashëgimisë kulinarike të Zvicrës”. Tash ka mbetur t’i ndërrohet emri edhe ëmbëlsirës gjermane “Nonnefurz”, që përkthyer në shqip domethënë – na falni! – “pordhë murgeshe”. Ç’të bëhet me specialitetin “Frauenschenkel” (kofsha e grave), një lloj qofteje?

Milicia e mendimit këto ditë i është vërsulur edhe shkrimtares Joanne K. Rowling, autores së romaneve të njohura me Harry Potterin. Rowling u kyç në një debat mbi çështjet transgjinore. Shkas ishte një artikull në të cilin në mënyrë konsekuente flitej për “njerëz me menstruacione”. Rowling pyeti me ton ironik nëse këta njerëz mund të jenë gra, siç janë quajtur dikur. Papritmas asaj iu vërsul milicia e mendimit, duke e quajtur edhe “transfobe”, domethënë urrejtëse të transgjinorëve, dhe duke e akuzuar se nuk e pranon se krahas gjinisë biologjike ekzistuaka edhe një identitet tjetër gjinor. Akuza absurde kundër një shkrimtareje që angazhohet në projekte humanitare dhe investon miliona për të hulumtuar shkaqet e sëmundjes së sklerozës multiple, nga e cila ka vdekur e ëma e saj.

Sa i përket fjalës “Mohrenkopf”: historikisht “Mohr” janë quajtur banorët e Mauritanisë, pastaj në përgjithësi njerëzit me ngjyrë tjetër të lëkurës. Në letërsi zezaku luan rol prominent, për shembull Otelloja, zezaku i Venedikut (te William Shakespeare), “Zezaku i Tunisit” (Friedrich Schiller), “Mbreti i zezakëve” (poezi e Heinrich Heines). Çka është zhvilluar historikisht, jo patjetër është bërë me paramendim racist. Perëndimi ka bërë krime të tjera të llahtarshme ndaj zezakëve dhe ato duhet të tematizohen. Për shembull, roli i belgëve në Kongo, ku një metodë për të luftuar zezakun “dembel” ka qenë prerja e duarve. Sepse belgët si shumë kolonizatorë të tjerë kishin vetëm një synim: të eksploatonin resurset e Kongos.

Share: