Thonë që dita e mirë duket që në mëngjes, por ngrohja globale e ka ndryshuar edhe këtë shprehje të vjetër të popullit.
Megjithëse paraditet do të jenë tipike pranverore, përsëri sinoptikanët nuk ju këshillojnë ta lini çadrën në shtëpi.
“Muaji maj do të ngelet në kushte të paqëndrueshme atmosferike, pasi, edhe pse kemi kryesisht gjatë orëve të para të ditës mot të kthjellët, pritet që të kemi zhvillim të vranësirave gjatë mesditës dhe pasdites, duke gjeneruar edhe reshje shiu.
Herë pas here do të jenë edhe në formë shtrëngatash. Përsa i përket temperaturave, kjo javë do të jetë e ngrohtë. Ato do të luhaten nga 26-27 gradë Celsius”, thotë meteorologia Adiola Bani për Klan Plus.
Megjithëse qershori po vjen, nuk duhet të gëzohemi para kohe për ditët me diell.
“Qershori do të jetë një muaj i ngrohtë dhe i lagësht, kryesisht pjesa e parë, ku do të kemi prezencë të dukshme të reshjeve të shiut.
Ndërsa pjesa e dytë e qershorit do të jetë me më shumë mot me diell”, shton Bani.