Ndonëse në fillim të këtij viti duhet të linin postet e ministrave, një pjesë e të cilëve i mbanin prej 6 vitesh, ish-ministrat socialistë ashtu si edhe kolegët e tyre që janë ende pjesë e kabinetit qeveritar kanë pasur një vit të begatë sa u përket financave të tyre personale dhe familjare. Rekordin e mban padyshim ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili deklaron disa llogari bankare me qindra mijëra euro, të cilat edhe në 2018 kanë pësuar rritje. Më konkretisht, Arben Ahmetaj deklaron një llogari bankare në vlerën 135.384 euro, shtuar në 2018 me 100.133 euro. Gjithashtu ai deklaron një depozitë në euro me vlerë 115.674 euro, shtuar me 9.6 euro në 2018, një tjetër llogari me vlerë 256.841 euro e cila është shtuar me 15.730 euro në 2018, një tjetër llogari me vlerë 1.070.070 lekë, shtuar me 1.800 lekë, si dhe një tjetër llogari bankare me vlerë 1.389.474 lekë, shtuar me 226.787 lekë. Ahmetaj ka deklaruar edhe marrjen e një kredie më parë për blerje automjeti me vlerë 37.242 euro, nga e cila në 2018 është shlyer shuma 5.264 euro. Nuk mbetet pas as bashkëshortja e tij, e cila po ashtu ka deklaruar një numë të madh llogarish bankare me shuma të konsiderueshme. Ajo ka deklaruar bono thesari 2 vjeçare me 3.400.000 lekë, llogari page 1.811.562 lekë, llogari plan kursimi për pension në vlerën 5.725.638 lekë, e cila vetëm në 2018 është shtuar me vlerën 1.232.215 lekë, llogari me vlerë 4.407 euro, shtuar në 2018 me 1247 euro, llogari me vlerë 13.819 dollarë, shtuar me 53 dollarë, llogari me vlerë 30.254 euro, shtuar me 53 euro.
Ndërkohë që bashkëshortja e tij deklaron si të ardhura pagën nga banka me vlerë 6.074.016 lekë, të ardhura nga dhënia me qira e dy ambienteve me vlerë 11220 euro dhe 12.000 dollarë në vit. Edhe vajza e Ahmetajt ka deklaruar tri llogari bankare përkatësisht me 18.575 dollarë, shtuar me 71 dollarë, llogari me vlerë 953 euro, shtuar me 33 euro dhe një llogari me vlerë 40.339 euro, shtuar me 85 euro. Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar disa lëvizje në llogaritë e tij bankare. Më konkretisht pakësim llogarie me 749.771 lekë, 2.305.493 lekë dhe shtesë llogarie me 26.973 euro (nga konvertimi i monedhës gjendje në lekë). Ai gjithashtu deklaron edhe marrjen e një kredie studimi për vajzën në Itali në vlerën e 15 mijë eurove, ndërsa të ardhura deklaron ato të pagës dhe ato nga qiraja e dy dyqaneve në Vlorë. Ndërsa bashkëshortja e tij deklaron shtesë llogarie me 26.723 euro dhe të ardhura neto nga fitimi i realizuar nga fitimi tregtar si notere me vlerë 1.152.464 lekë. Ndërkohë që në familjen e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ajo që mendon për financat e shtëpisë është bashkëshortja e tij. Kjo, pasi Bushati ka deklaruar vetëm llogari page dhe të ardhurat vetëm si ministër, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar shuma të konsiderueshme të ardhurash nga puna si konsulente projektesh. Ajo ka deklaruar shtim llogarie me 797.981 lekë dhe një tjetër llogari bankare shtuar me 49.430 euro nga puna si konsulente. Po ashtu, ajo ka deklaruar edhe një pakësim llogarie bankare 3.653 euro. Ndërsa si të ardhura ajo ka deklaruar 2.384 euro, 46.540 euro, 1750 euro, 525.000 lekë, 930.000 lekë, 231.786 dhe 1.200 euro. Edhe Damian Gjiknuri, ashtu si Ditmir Bushati ka deklaruar më shumë të ardhura të bashkëshortes se sa ato të vetat. Ndërsa ai deklaron si të ardhura vetëm pagën si ministër në vlerën e 1.664.213 lekëve, bashkëshortja e tij ka të ardhura nga aktivitetet tregtare në shumën e 5.575.240 lekëve. Gjithashtu Gjiknuri deklaron se ka paguar interesa kredie në shumën e 6900 eurove dhe 35 mijë eurove. Këto të fundit në favor të sipërmarrësit të apartamentit, të cilit deklaron se i ka si detyrim edhe 136 mijë euro.