Gjyqtari Artur Malaj, i akuzuar për trafik prostitucioni kaloi vetingun/ Vilë në emër të sekretares dhe miliona lekë të pajustifikuara

Sociale

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Genta Tafa (Bungo) kryetare, Pamela Qirko, relatore dhe Suela Zhegu, anëtare në vitin 2018 konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, Artur Malaj.

Gjatë seancës dëgjimore, në KPK,  përfaqësuesja e ONM-së, Mia LHE Roessingh-Bakels e pyeti disa herë për mënyrën sesi ai kishte firmosur një kontratë për shtëpi, kishte marrë një kredi edhe më pas nuk e kishte blerë kurrë.

Por reagimet e ONM nuk e ndikuan vendimin e KPK-së.

Në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas portalit CNA thuhej se gjyqtari Malaj rezultonte i përfshirje në korrupsion sistematik dhe përfitime të paligjshme. Sipas DSIK, Malaj, në një rast kishte marrë para nga një i akuzuar për trafik prostitucioni.

Por, ky fakt u anashkalua nga KPK, bashkë me pronësinë mbi një vilë tre katëshe, pasuri kjo me origjinë të dyshimtë, pasi në hipotekë ishte regjistruar me emrin e ish-sekretares së tij – shkruan CNA.

Komisioneri Publik,  me rekomandim të ONM ka ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK -së për gjyqtarin Malaj dhe pritet zhvillimi i seancës.

“Përfundimet e nxjerra nga Komisioni janë të gabuara, bazuar kjo, te provat dhe aktet e dosjes. Duke çuar në një vlerësim të gabuar të pasurisë”, thuhet në ankimin e KP-së.

Më poshtë replikat mes përfaqësuesit të ONM-së me gjyqtarin Artur Malaj, gjatë seancës dëgjimote në KPK, 31 Korrik 2018

ONM: A mund të na shpjegosh si ju dhe firma ndërtuese keni bërë kontratë në maj, duke thënë se pagesa e parë është bërë ditën e marrëveshjes dhe në Vetting thoni se keni pamundësi për të paguar. Në marrëveshje është e vërtetë kjo që thoni ju, por e vërteta ka qenë se në mirëbesim ke firmën sa për të marrë kredinë.

Malaj: S’ka patur likujdim real

Mia LHE Roessingh-Bakels: Nëse e kuptova drejt, ju dhe kompania e ndërtimit keni bërë kontratë për një fakt të pasaktë? Përse në deklarimin e vitit 2005 dorëzuar në mars të vitit 2006, ju ende deklaronit këtë prenotim me kompaninë, In Gg construction?

Malaj: Kontrata u prish në vitin 2005, dhe me ndërtuesin ramë dakord, jo me shkrim që të më jepte një apartament të ngjashëm me vlerë të përafërt dhe rinegociuam dhe për garazh dhe të kushtonte 55 mijë euro.

Mia LHE Roessingh-Bakels: Më shpjegoni se përse ky garazh s’është deklaruar asnjëherë në vitin 2005 në deklarimet tuaja. Përse kjo kontratë e 2005 u përdor në bankë për të marrë një kredi për një kontratë të vitit 2008?

Malaj: Kredinë time, 9 % e paguan shteti dhe 3% e paguaj unë. Në atë kohë s’kisha banesë dhe më takonte kredia e butë.

Mia LHE Roessingh-Bakels: Për kredinë ju keni përdorur si kolateral shtëpinë  e kunatit të motrës. Shpjeguat se deklaruat në ILDKPI kontratën me argumentin se ai nuk prodhon efekt. Nëse jam e saktë, ky dokument ka prodhuar efekt, pasi ju e keni depozituar në bankë për të marrë kredi.

Malaj: Banka edhe pa një kontratë të tillë do ma jepte kredin.

Mia LHE Roessingh-Bakels: Kompanisë i keni paguar 55 mijë euro

Malaj: Në shtator 2005 kam paguar 5 mln lekë nga kredia e bankës tek firma.

Mia LHE Roessingh-Bakels: Për 6 vite ju paguat bankën, kredinë e interesat për një apartament që se përdorët kurrë? Ju keni marrë kredi të butë për banesë kur ishit me punë në Vlorë dhe bletë apartament në Tiranë?

Share: