Kur ju shoh që pëlqeni dhunën, mua m’i sillni zorrët te goja

Analizë Opinion

Nga Mustafa Nano

Unë i rri larg dhunës fizike, dhe atyre që ushtrojnë dhunë fizike, dhe atyre që e nxisin këtë dhunë. Me njerëz të dhunshëm nuk dua të kem të bëj. Dhe me këtë fakt shpjegohen më së shumti edhe qëndrime të mijat publike kundër nerëzve të caktuar me ndikim të madh politik e publik.

Njerëzit e dhunshëm ma shpifin. Njerëzit e dhunshëm janë të neveritshëm. Dhe Shqipëria, duhet ta themi këtë, është e mbushur me njerëz të dhunshëm. Më shumë se çdo gjë tjetër, në Shqipëri ka njerëz të dhunshëm.

Ndoshta mund të ketë më shumë njerëz të korruptuar, por unë jam i prirur të besoj se ka më shumë njerëz të dhunshëm sesa njerëz të korruptuar, sidoqë e di që korrupsionin e kemi në gjak, bashkë me albuminën, proteinat, glukozën, kolesterolin, etj.

Ne e duam dhunën. E keni dëgjuar shprehjen “huri ka dalë nga xheneti”? Është e jona. Nuk di nga e kemi marrë.

Nuk di nëse kjo shprehje, kjo frazë, ka qenë pjesë e ethosit osman apo arab, por edhe nëse ka qenë, është interesant fakti që ne e kemi pëlqyer kaq shumë, sa e kemi bërë tak-fak pjesë të ethosit tonë. Huri ka dalë nga xheneti. Pa mendojeni pak!

Në xhenet, ç’është e vërteta, nuk ka hunj. Kështu thonë ata që besojnë se ka një xhenet. Në xhenet ka pemë, ka hije, ka lumenj, ka djem që shërbejnë shishe vere, ndoshta Brunello di Montalcino, ka edhe virgjëresha që janë në dispozicion të burrave që përfundojnë në parajsë, ka e çfarë nuk ka, por hunj nuk ka.

Nuk ka se si të ketë. Huri në parajsë është i pamundur pa aq sa është i pamundur edhe mendimi në kokën e idiotit. Ne shqiptarët nuk është se nuk e dimë këtë gjë. E dimë, por ngaqë huri na pëlqen shumë, na vjen mirë t’i gjejmë për burim më të mirën e botëve, dmth parajsën. Sa të çmendur që jemi.

Ju prisni që këtë ide ta ilustroj me klasën politike. Jo, po e ilustroj me një ngjarje tjetër. Pardje, disa studentë dolën të protestonin te Ministria e Arsimit. Kanë kërkesa që ia drejtojnë qeverisë. Dhe kjo është punë e tyre. Dhe kjo është ok. Por në një moment të caktuar u mor vesh se ata kishin shkuar atje për të përdorur dhunë, për t’u sjellë si njerëz të dhunshëm. Dhe filluan të gjuajnë në drejtim të ndërtesës së Ministrisë. U thyen edhe xhama.

Ky është një veprim marrok, apo jo? Nëse nuk biem dakord që ky është një veprim marrok, unë nuk e di pse duhet të biem dakord që rruga Tiranë-Tropojë është më e shkurtër se rruga Tiranë-Tokio. Mirëpo ja që ata studentët e panë të udhës të sillen si të dhunshëm.

Kushedi se çfarë u thotë truri. Nëse e kanë këtë të fundit, trurin. Sepse unë mendoj që ata kanë çdo gjë, por jo trurin. Ndryshe, do dilnin të protestonin, e jo të silleshin si rrugaçë.

Asnjë shqiptar nuk doli t’u thoshte: Hej, çfarë po bëni? Asnjë pedagog nuk doli t’u tërhiqte vërejtjen, e t’u thoshte se nuk ka nevojë të thyesh xhamat e ministrisë. Përkundrazi, të gjithë e kanë në majë të gjuhës justifikimin: Emo se ca xhama u thyen! A, ju kërkoj ndjesë, ishte një pedagog që e ngriti zërin. Ishte një pedagoge. Veçse ishte një pedagoge amerikane. Quhet Lory E. Amy.

Nuk di pse u ndodh atje. Por në momentin që pa se të rinjtë po hidhnin sende të forta e gurë në drejtim të ministrisë, ajo shpërtheu.

Dhe studentët e shihnin në sy, pa reaguar, si të kishin përballë një aliene. Nuk dinin ç’t’i thoshin. Ata që janë shumë të zotë të shtien me gurë e të kacafyten, mbetën si guakë përballë asaj zonje.

Hej studentë që ushtroni dhunë, ndoshta nuk ju bëhet vonë, por unë po ju them: Kur ju shoh që pëlqeni dhunën, mua m’i sillni zorrët te goja.

Share: