Ish-deputetja socialiste dhe një nga ikonat e PS, Arta Dade, akuzon kryeministrin Edi Rama se ka thelluar kulturën e pandëshkueshmërisë njësoj si në qeverinë e Berishës, ndërsa shton se qeveria është përfshirë në disa skandale dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Ajo i kërkon Ramës të largohet nga drejtimi i qeverisë. Dade sqaron ndërkohë se është kundër zgjedhjeve të parakohshme, por shton se PS është në gjendje të formojë një tjetër qeveri pa Ramën kryeministër.
Arta Dade: Nëse bëhet mocion në Kuvend, Rama nuk e fiton, kam marrë shumë SMS nga (përmend emra). Arta Dade thotë se Edi Rama do ta humbiste një mocion besimi në Kuvend. Sipas saj, grupi parlamentar i PS do votonte për largimin e tij nga qeveria. Ish-deputetja socialiste tha se ajo shkëmben vazhdimisht SMS me ish-kolegët e saj në Kuvend dhe këtë mendim ndajnë edhe ata por kanë preferuar të heshtin. Dade shton gjithashtu se opozita e sotme nuk e largon dot Ramën nga pushteti, por përkundrazi e ka forcuar atë. “Nëse do ketë një votim të fshehtë në Kuvend. Një mocion dhe votimi të jetë i fshehtë, Rama nuk e fiton grupin parlamentar. Kam marrë shumë mesazhe dhe mendojnë shumë si puna ime, por nuk kanë kurajo. Opozita e tanishme nuk besoj se vërtetë e dëmton Ramën, por e kanë forcuar sepse kanë qenë inekzistentë”, tha ish-deputetja socialiste, Arta Dade.
Ish-deputetja dhe njëherazi ish-ministre e Jashtme në qeverinë “Nano”, Arta Dade shprehet te “5 pyetjet nga Babaramo” se kryeministri Edi Rama duhet të largohet për t’i hapur rrugën një tjetër qeverie të PS-së. Dade tha se është kundër zgjedhjeve të parakohshme, por shtoi se PS-ja është në gjendje të formojë një qeveri tjetër pa Edi Ramën. “Edi Rama duhet të largohet, jo që të vijë opozita, por që PS të ketë një ekip të vërtetë me vlera. Më duket se vendi po shkon keq e më keq. PS e ka marrë mandatin për 4 vjet, korrigjimet mund të bëhen brenda PS dhe mund të krijojë qeveri mjaft dinjitoze. Jam për një qeveri socialiste dhe nuk bie dakord me tezën që Rama e përdor shpesh edhe nëpër blogje që e vetmja alternativë është Edi Rama, ose Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Nuk është e vërtetë. PS ka plot alternativa qeverisëse. Jam për procese në parti. Ka edhe nga të rinjtë, por edhe nga ata me përvojë. Unë çuditem pse kanë heshtur. PS i ka të gjitha kapacitetet që të reformohet”, tha Dade.