AKU bllokon në kufi 24 tonë kripë dhe 42 viça për therje

Kryesore Sociale

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ka bllokuar në kufi kafshë të gjalla që vinin nga Serbia dhe dhjetëra tonë kripë që vinte nga Austria.

“Ngarkesa me kafshë të gjalla të ardhura nga Serbia (42 krerë viça për therje) në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së Dermatozës Nodulare”, tha AKU në një njoftim për shtyp.

AKU vendosi mbajtjen e këtyre kafshëve të gjalla në regjim karantinor (21 ditë) përpara se te futen në proces therje.

Ndërsa në Pikën kufitare Hani i Hotit, AKU ka bllokuar 24 tonë kripë e ardhur nga Austria për tu përdorur për konsum human dhe industrinë ushqimore në Shqipëri u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit përkatës si dhe pas kontrollit fizik të ngarkesës ka rezultuar se certifikata e analizës dhe etiketa e produktit kripë, paraqesin nivelin e jodit më të ulët se kufiri i lejuar.

AKU vendosi masën administrative “Bllokim produkti” për sasinë prej 24 tonë kripë dhe masën administrative “Kthim në vendin e origjinës” së produktit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njëkohësisht me intensifikimin e kontrolleve në terren, shprehet e vendosur për të mos toleruar asnjë shkelje të ligjit në dëm të jetës së konsumatorëve.

Share: