“Duhet të mësojmë të themi jo. Mendimi i lirë është në rrezik”

Intervista Kulturë Libri

INTERVISTA / GEORGE STEINER / Librat nuk do të zhduken, mendimi i lirë ndoshta po. Sepse dobësia e vërtetë është e njeriut: “Frika ime është që kolektiviteti, apo më mirë fuqia e tij teknologjike, do të mbysë gjithcka. Sot, një person autonom, i lirë e ka vështirë të gjejë një portë të hapur për të bërë të njihet vizioni i tij. Mendimet anarkikë rrezikojnë të humbasin në mesin e zhurmës pa kufi, në uniformitetin e shijes vulgare dhe diktaturës së pasurisë”

books-glassesGeorge Steiner, kritiku më i kthjellët dhe më origjinal i krizave që kanë ndodhur në kulturën perëndimore ka qenë këto ditë në Milano për të shoqëruar daljen e tekstit të tij të shkurtër, Libri i Librave, me nëntitull “Një prezantim me Biblën hebraike”, dhe, pavarësisht diversitetit të qasjes dhe bindjeve, në Universitetin Katolik, ku ka dialoguar me kardinalin Gianfranco Ravasi, është ndier tamam si në shtëpi: “Mos harroni që për ne hebrenjtë teksti është një atdhe, unë besoj se judaizmi është më shumë një pedagogji e jashtëzakonshme, një mësim më shumë se sa një fe. Rabin do të thotë mësues dhe lexues i fjalës, jo prift. Bibla është një përzierje diversiteti fantastik rrëfimesh, tregimesh, legjendash, ligjesh, ritualesh – sic do të thoshte miku im i madh Umberto Eco është vërtetë “forma e hapur” – pa të cilën nuk do të kish patur as art, as letërsi dhe as muzikë, në historinë perëndimore. Kjo është lidhja e vërtetë, e thellë mes meje dhe botës së Kardinalit Ravasi: dashuria jonë për librat, në një botë ku përvoja e letërsisë së vërtetë, e dialogut personal dhe privat me tekstin po bëhet fatkeqësisht shumë e rrallë”. E kështu, përvecse si në shtëpi, George Steiner është gjendur këto ditë edhe i humbur, ashtu si gjetkë në perëndim: “Eshe këtu në Itali po zhduken seminarët e vegjël. Një shenjë. Sepse homologizimi i peisazhit urban dhe i jetëve tona, është aq i fortë saqë e bën të vështirë shqiptimin e asaj fjale thelbësore që është “Jo”-ja. Edhe përsa kohë do të dijë individi t’i kundërvihet konformizmit? Për këtë arsye besojs e bota jonë, ajo e profesorëve dhe ajo e atyre që ende na dëgjojnë dhe lexojnë, duhet të ruajë një mundësi rezistence”.

Ku sugjeroni të fillojmë?

Sic u thashë të rinjve që kam takuar, fillohet me letërsinë dhe kujtesën. Të rinjtë kanë një frikë të tmerrshme nga vetmia, por letërsia serioze, dialogu me tekstin, të bërit mik i një poeme të madhe apo një libri të madh do të thotë pikërisht të qëndrojmë të vetmuar, në përqëndrim dhe në heshtje, për të njohur vetveten.

Përse e kemi humbur zakonin për ta bërë këtë?

Do të doja të thoja dicka disi të rrezikshme: katolicizmi nuk është një mik i madh i letërsisë. Roli universal i Biblës është një produkt i protestantizmit. Kanë qenë përkthimet e Luterit dhe Bibla e Mbretit Xhakomo që i garantuan librës një universalitet të vërtetë. Katoliku, sidomos në vendet mesdhetarë si Talia dhe Spanja, e lexon pak, por protestanti është lexues i Biblës që në fëmijëri. Por mbi të gjitha sot ka një tjetër problem.

Cili?

Shkolla. Eshtë bërë një formë amnezie e organizuar. Memorizimi i një teksti, i një faqeje të Jeremias apo Dantes, apo Shekspirit do të thotë të fusësh brenda një forcë të madhe rezistence. Despotizmi i financës, diktatura e pasurisë nuk mund të na shkëpusin nga kujtesa jonë e brendshme. Poeti i madh rus Mandelstam, apo Ahmatova kanë mbijetuar në kujtesën e lexuesve të tyre. As Stalini nuk mundi ta shkatërrojë. Për këtë arsye, më duket shumë e rëndësishme t’i japim pak forcë muskulit të kujtesës. Unë do të prferoja më mirë shprehjen franceze “apprendre par coeur”, apo angleze “learn by heart”, se sa atë italiane “imparare a memoria”.

A mund t’u ofrohet Bibla për t’u mësuar përmendësh edhe veshëve tashmë të mësuar me zhurmën shurdhuese?

Bibla mbetet krijuesja e tematikave kryesore të vetënjohjes sonë, mrekullia qëndron në cilësinë edhe letrare të këtyre teksteve, e pakrahasueshme me asnjë libër tjetër për nga forca ë rrëfimit. Faqet për fatin e Jeruzalemit, Jeremia, historia e mbretit Saul dhe David, tregimi i mrekullueshëm i të huajës Ruth në vendin e Moabitëve: këta dhe shumë të tjerë janë pjesë tekstesh pa të cilët nuk do të ekzistonte kultura perëndimore. Zëri i mrekullueshëm që jehon nga shkretëtira dhe nga e shkuara – bashkë me Homerin, Danten e Shekspirin, tre kryeshkrimtarët e tjerë – mbetet kodi dhe definicioni i vetëdijes sonë europiane dhe i asaj amerikane.

Homeri, Dante, Shekspiri, Bibla, antidoti i dështimeve socialë të të sotmes. E megjithatë keni qenë pikërisht ju, profesor, që keni përshkruar më mirë se kushdo tjetër kulturën perëndimore, në vepra si Kështjella e Mjekërrkaltrit apo më i fundit “Mbi poezinë e mendimit”, si një vazhdimësi krizash dhe frenimesh, nga klasiciteti deri tek “post-kultura”.

Po, është shumë e lehtë të qahesh dhe të besosh që në cdo brez, qytetërimi ynë është në prag të fundit. Ekziston rreziku të gabosh, ashtu si intelektualët më autoritarë të Europës që me ardhjen e revolucionit të Gutenbergut nisën të flasin për vdekjen e librit. Eshtë një bast i madh të bësh parashikime për gjëra aktuale, shfaqen gjithmonë forma të reja. Mundesh që vetëm të përcaktosh tranzicionin teksa ndodh, të shohësh hapin që kapërcen kufirin: mendoj këtu Uliksin e Joyce, një kryevepër klasike në kuptimin më radikal, një vepër shumë pranë Homerit, e më pas Zgjimi i Finegan, një vepër totalisht e re e shkruajtur për të gjetur një gjuhë të nënvetëdijes, të ëndrrës dhe të natës, një esperanto e të panjohurës. Joyce ka qenë një gjeni në dy anët e kufirit, dhe epoka jonë nis vërtetë pas Zgjimit të Finegan, pas surrealizmit dhe pararojave të tjera. Në botën e rrokut ka ndryshuar cilësia e tingullit, e dritës e madje edhe e trupit. Por kujdes, problemi nuk është suksesi i formave të reja. Përkundrazi. Cdo formë e re është shpesh shprehje e një kreativiteti.

Që sot rrezikon të shuhet.

Po. Për shkak të këtij “kolektiviteti teknologjik”. I cili nuk lë hapësirë për eksperimentuesit. Nëse Uliksi i Joyce përfundonte me të famshmen “Yes” të Molly Bloom, sot është e domosdoshme të qëndrojme me Jean Paul Sartre që shkruante: “Mendimi është të thuash jo”. Përpara kësaj, më pëlqen të kujtoj që për popullin hebre libri i librave ka qenë garancia e mbijetesës dhe e identitetit, një libërt i përhershëm në xhep, me të cilin nga një eksod në tjetrin ka mundur të marrë me vete esencën e vetvetes.

Në parathënien e librit tuaj, që është njëkohësisht edhe një dialog mes jush, Ravasi shpreh një keqardhje të madhe për faktin që “Steiner, i vendosur në kufirin (gjithësesi të lëvizsshëm) të agnosticizmit, e lë të shfaqet aty-këtu, por nuk përballet asnjëherë me “pikëpyetjen e skajshme”. Me një fjalë, nuk parashikon që autori i vërtetë i Biblës mund të mos ketë qenë një njeri…

Po, unë nuk besoj në një zbulim të mbinatyrshëm. Edhe pse në Librin e Librave ka tema dhe kapituj, që kanë një fuqi të tillë dhe një perfeksion formal të tillë sa që është shumë e vështirë për mua t’i imagjinoj të prodhuar nga një njeri si ju, apo si unë. E kam bërë këtë duke dhënë një shembull tashmë të njohur: mund të imagjinoj Danten që pasi ka shkruajtur takimin me Brunetto Latinin, shkon në supermarket dhe blen bukën apo gjalpin, por nuk mund të imagjinoj autorin apo autoren – është e mundur të jetë një autore – e fjalëve të Zotit në stuhinë e librit Job apo Psalmin 23 si një person të zakonshëm.

Pra kush e ka shkruajtur Biblën?

Heidegger për këtë temë ka dhënë një përgjigje mbresëlënëse: Bibla përfaqëson një moment të evolucionit njerëzor ku gjuha ishte më pranë aurorës së qenies, një gjuhë pothuajse adamike, shumë pranë të vërtetës. Një teori e mrekullushme por totalisht absurde, sepse evolucioni gjuhësor i njeriut është një proces sociobiologjik natyror. Përpara origjinës së këtij teksti të jashtëzakonshëm preferoj të qëndroj në enigmën dhe mahnitjen e pakufi. /Corriere.it/

George Steiner ka lindur në Paris në 1929 nga prindër hebrej vienezë. Ai emigroi në SHBA në 1940. Ka dhënë leksione në universitetet kryesorë amerikanë dhe anglezë dhe konsiderohet një prej ktitikëve më të rëndësishëm bashkëkohorë të kulturës./bota.al

 

Share: