Sektori i energjisë “me sytë nga Zoti”, 100 mln euro për importet

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Në pesë muajt e parë të vitit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur të zhvillojë disa dhjetëra procedura prokurimi, për të blerë energji në tregun e parregulluar. Për shkak edhe të situatës jo të favorshme hidrike, sasia që është blerë nga ky treg, ka qenë e lartë dhe në disa raste, me çmime të kripura, duke vënë në vështirësi financiarisht kompaninë publike të shpërndarjes.

Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se nga janari në maj, janë importuar 1.3 milionë MWh energji, me një çmim mesatar prej 73.47 eurosh, çka bën që në total, blerjet në tregun e parregulluar për të plotësuar konsumin në vend të kenë kapur vlerën 96.8 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Blerjet në tregun e parregulluar në 5 muaj, në janar çmimi më i kripur

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e nisi 2019 me shpenzime të larta në importe. Për shkak të prodhimit minimal të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sasia më e madhe e energjisë u sigurua në tregun e parregulluar.

Konkretisht, në janar, u blenë në këtë treg mbi 338 mijë MWh energji me një çmim mesatar prej 89.86 euro/MWh, çka rezultoi me një faturë rreth 35 milionë euro pa TVSH. Ky është muaji me shpenzimet më të larta të OSHEE për energji të blerë nga tregu i parregulluar.

Në shkurt, nga ana e kompanisë së shpërndarjes, është bërë 173 mijë MWh energji me një çmim 69.81 euro/MWh. Kjo është edhe sasia më e vogël e kontraktuar nga ky treg në këta 5 muaj, me një faturë prej 12 milionë eurosh. Çmimin mesatar më të lirë, OSHEE e ka siguruar në muajin prill, me 62.92 euro/MWh, çka pavarësisht sasisë së konsiderueshme prej mbi 236 mijë MWh importe, fatura kishte një vlerë prej 14.8 milionë euro pa TVSH.

Kompanitë në vështirësi, sektori me sytë nga Zoti

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk po përjeton ditët e tij më të mira, çka duket si një përsëritje e vitit 2017, kur i gjithë sektori u vu në vështirësi, për shkak të importeve të larta. Në atë kohë, për të mbuluar blerjet e energjisë, u përdor edhe një pjesë e kredisë së Bankës Botërore nga projekti i Rimëkëmbjes. Gjasat janë që, nëse nuk ndryshojnë kushtet hidrike, kompania të gjendet në një situatë të ngjashme.

Sasia e energjisë që OSHEE po ble sot në tregun e parregulluar është dukshëm më e lartë sesa mesatarja e viteve të shkuara, të paktën kjo për majin. Kjo do të thotë që, edhe kostot janë dukshëm më të larta. “Zakonisht muaji maj është mbuluar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pra ka pasur një situatë më të mirë hidrike, çka na ka ndihmuar edhe ne. Këtë vit, KESH ndodhet vetë në situatë të vështirë hidrike, çka është transmetuar edhe te ne”, konfirmojnë burime pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

OSHEE ble nga KESH me një çmim 1.45 lekë/kwh dhe e shet atë tek konsumatori fundor me 9.5 lekë, ndërkohë që për disa kategori biznesi, edhe me 14 lekë/kwh. Çmimi me të cilën OSHEE ble nga KESH është dukshëm i ulët në raport me atë që OSHEE siguron nga tregu i parregulluar. Reshjet e fundit duket se nuk kanë dhënë ndonjë efekt të dukshëm në prodhimin vendas.

Prodhuesit me përparësi të energjisë kanë një prodhim modest, që nuk bën ndonjë diferencë të madhe sipas OSHEE-së, ndërkohë që vetë KESH po tenton të krijojë rezervë hidrike. Në këto kushte, duket se si për Shpërndarjen, ashtu edhe për Korporatën, sytë janë drejtuar nga qielli dhe shpresa për më shumë reshje.

KESH tenton për procedura optimizimi për të siguruar të ardhura

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare prej vitesh zbaton praktikën e optimizimit, duke tentuar përmirësimin e portofolit ekonomik. Edhe gjatë këtij viti, KESH është përfshirë në këtë lloj procedure që do të thotë se shet një sasi të caktuar energjie në kohë piku, duke siguruar një çmim të mirë dhe ble gjatë orëve të natës me një çmim më të lirë.

Rasti më i fundit i optimizimit ishte në muajin mars kur KESH shiti 3360 MWh energji me një çmim të ponderuar prej 57.34 ndërkohë që bleu 3332 Mwh me një çmim të ponderuar 45.02 euro/MWh. Vetëm nga kjo procedurë KESH arriti që të dilte me një bilanc pozitiv në të ardhura prej rreth 43 mijë eurosh. Të njëjtën praktikë KESH tentoi të zhvillonte edhe në prill për periudhën 13-22 prill 2019.

Oraret e përzgjedhura edhe për këtë procedurë ishin në orare piku, ndërkohë që blerja e KESH do të përqendrohej në 23:00-24:00. Gjithsesi, procedura e prillit nuk rezultoi e suksesshme, çka bëri që KESH të njoftonte pezullimin e saj.

“Pas shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga pjesëmarrësit në procedurën e njoftuar për optimizim për periudhën 13-22 prill 2019, Autoriteti Kontraktor vendosi të anulojë procedurën për arsye të çmimeve të ofruara anomalisht të larta në blerje dhe të ulëta në shitje, duke mos justifikuar për rrjedhojë qëllimin e shpalljes së procedurës”, do të njoftonte KESH në faqen internetit të kompanisë.

Në kushtet kur importet e energjisë kanë arritur rreth 100 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë i është dashur që të marrë vendimin e pezullimit të investimeve. “Për ne, prioritare në këto momente është që të sigurojmë furnizim me energji dhe situata nuk ka qenë aspak e favorshme. Për të pasur mjetet e nevojshme financiare, na është dashur që të pezullojmë gjithçka.

 

Janë të paktën 30 milionë euro kontrata investimesh të ngrira, ndërkohë që pezullimi i përgjithshëm për investimet nuk ka një afat. Pra nuk e dimë se kur do të rifillojmë dhe kjo do të varet shumë nga ecuria që do të ketë aspekti hidrik në vend”, – thanë burime zyrtare pranë OSHEE. Për vitin 2019, kompania ka planifikuar një total prej 8.5 miliardë lekësh, si plan investimesh, ndërkohë që gjatë periudhës 2015-2018 në rrjetin e shpërndarjes janë investuar afërsisht 33 miliardë euro.

Një pjesë e mirë e këtyre investimeve janë mbështetur me të ardhurat e vetë kompanisë, e cila ka pasur rritje të vazhdueshme të arkëtimeve falë edhe aksioneve kundër lidhjeve të jashtëligjshme dhe procedurës së aktmarrëveshjeve për detyrimet e prapambetura. Një pjesë tjetër e këtyre investimeve janë financuar nga kredia me Bankën Botërore, e cila në vitin 2015 do të angazhonte 150 milionë dollarë për të rimëkëmbur sektorin e energjisë dhe që përfshinte disa komponentë.

Pagesat, OSHEE ka 180 ditë afat për të likuiduar faturat

 

Kompania e shpërndarjes njoftoi në fillim të muajit mars se ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme me vështirësi likuiditeti, për shkak të shpenzimeve të konsiderueshme për të siguruar energji. Në atë kohë, ajo kërkoi që afati për shlyerjen e pagesave të bëhej 180 ditë nga 90 ditë që ishte. Kërkesën e parë, Enti Rregullator i Energjisë do ta rrëzonte duke e cilësuar si jo të argumentuar.

 

Por nuk vonoi shumë dhe një kërkesë e dytë për të njëjtën gjë u paraqit në ERE, e cila mori edhe mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në kërkesën e dytë të paraqitur nga OSHEE thuhej se kompania ka vijuar me blerjen e energjisë elektrike gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor 2018, si dhe janar, shkurt, mars 2019, duke siguruar pjesën më të madhe të saj në Treg të Lirë, për shkak të mungesës së theksuar të prodhimit nga ana e Shoqërisë “KESH” sh.a.

 

“Jo vetëm që nuk mundi të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga thatësira e jashtëzakonshme e vitit 2017, e cila solli rritje të kostos së blerjes së energjisë elektrike, por edhe u përball me një kosto shtesë për blerjen e energjisë elektrike, si pasojë e mungesës së furnizimit nga KESH sh.a. në pjesën e dytë të vitit, si dhe nga rritja e prodhimit të Prodhuesve të Pavarur të Energjisë Elektrike në pjesën e parë të vitit 2018.

 

Mungesa e likuiditetit, si pasojë e faktorëve sa më sipër, e detyroi OSHEE sh.a. të ngadalësojë programin e investimeve në rrjet për vitin 2018, i cili është rreth 2 miliard lekë më i ulët se ai i parashikuar në Programin Financiar të miratuar”, nënvizohej në kërkesë.

 

Më tej, kompania ka argumentuar se vetëm në janar – shkurt 2019, shpenzimet për blerje të energjisë elektrike ishin 3.7 miliardë lekë, ose 29.6 milionë euro më të larta se ato të planifikuara dhe sipas pritshmërive, kjo gjendje mund të vijojë edhe në pjesën e parë të vitit 2019, gjë që ndikon në aftësinë paguese të saj.

“Shoqëria “OSHEE” sh.a. analizoi me shumë kujdes situatën e jashtëzakonshme dhe sipas këtyre analizave, parashikohej që gjatë muajve shkurt, mars, prill 2019 të përballej me pamundësi financiare të pagesës së Faturave të Blerjeve në Treg të Lirë, si pasojë e përplasjes së këtyre pagesave me faturat korente të HEC-eve dhe KESH sh.a. gjatë muajve janar, shkurt, mars 2019, me afat pagese 30 ditore, të cilët gjatë këtyre muajve parashikohet të rrisin dukshëm prodhimin e tyre.

 

OSHEE sh.a. vlerëson se, risqet dhe dëmet që do të shkaktoheshin nga kjo situatë me pamundësi likuiditeti, të cilat lidhen me penalitetet që do të aplikoheshin nga shoqëritë tregtare të energjisë, riskun e pamundësisë së blerjes së energjisë elektrike gjatë muajve shkurt, mars, etj., 2019, si rezultat i debive të krijuara, do të sillnin përkeqësimin e reputacionit të shoqërisë OSHEE sh.a., si pasojë e mosrespektimit të kontratave ndaj shoqërive tregtare të energjisë” thuhet në shkresën e OSHEE drejtuar ERE-s.

 

Duke parë këtë parashtrim, por edhe mbështetjen dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Energjisë miratoi shtyrjen e afatit për pagesat e faturave nga OSHEE ndaj palëve të treta nga 90 ditë në 180 ditë.

Treguesit e përmirësuar “nuk e shpëtojnë” OSHEE-në

Kompania publike e shpërndarjes së energjisë ka arritur të sigurojë tregues pozitivë në 3 muajt e parë të vitit, por pavarësisht kësaj, duket se vështirësia financiare ka qenë e pamundur të tejkalohet. OSHEE raportoi ulje të përgjithshme të humbjeve dhe rritje të arkëtimeve për periudhën janar-mars, por sfida më e madhe mbetet fakti që 26.2% e energjisë që hidhet në rrjet humbet.

 

“Totali i Arkëtimeve ka shënuar një rritje në masën 4.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i abonentëve të rinj është shtuar me 2,3%. Në 3-mujorin e parë, të ardhurat nga arkëtimet janë 18.3 miliardë lekë, me një përmirësim prej 816 milionë lekësh krahasuar me vitin e kaluar”, raportoi OSHEE.

Një element i rëndësishëm në financat e kompanisë është ecuria e arkëtimit të borxhit të keq principal për faturat e prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE, borxhi i keq principal për fatura 2007-2014 ishte 44,3 miliardë lekë në fund marsit 2019, nga 67,8 miliardë, që ishte në fund të vitit 2014.

“Kjo nënkupton reduktim në masën 1,1% nga fundi i vitit 2018 ose 34,7% nga fundviti 2014. Ky tregues është përmirësuar në sajë të ndjekjes së debitorëve nëpërmjet proceseve të vazhdueshme, ashtu sikurse edhe riaktivizimit të aktmarrëveshjeve”, – sipas OSHEE.

Operatori tha gjithashtu se në 3-mujorin e parë të këtij viti është regjistruar edhe një rënie e numrit të ankesave për faturim në masën 19,8% krahasuar me një vit më parë, çka dëshmon për rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim. Mesatarja e ankesave mujore në raport me numrin total të faturave të lëshuara është në nivelin e më pak se 0,6%/Monitor

Share: